Historia e këngës “Në pijetore jam ulur”- e këndonin të burgosurit e Spaçit

Koncerti “Tingujt e Kujtesës”, solli kohë më parë, në vëmendjen e publikut në Tiranë, vuajtjet e burgut të Spaçit në 50-vjetorin e revoltës.

Artistë, mes të cilëve këngëtari Tomi Kondakçi rrëfyen emocionet që ngjall arti kur vendoset përballë diktaturës. 

“Tingujt e kujtesës” një mbrëmje e veçantë ku ndërthurej muzika dhe poezia me dëshmitë historike, sollën emocione të pazakonta në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë.

Kënga “Në pijetore unë jam ulur”,  e njohur gjerësisht në publik, kishte deri më dje një histori të panjohur.

Ajo është krijuar nga një grup artistësh të burgosur politik në Spaç, në vitet ‘70. Historia e krijimit të saj është zbuluar nga muzikanti Bujar Bakalli, edhe ai i burgosur politik në Spaç në vitet ’70.

Sipas tij, kompozitori i kësaj kënge është Andon Vanko, vargjet janë shkruar nga Astrit Delvina dhe Gezim Medolli. Ndërsa orkestrimi i saj ishte realizuar nga trompisti Ali Hoxha.

Pas krijimit të saj, kënga ishte kënduar në burgun e Spaçit, 5 apo 6 të diela rresht, në ato pak orë të lira që të burgosurve, ju lejohej nga komanda e burgut, të kalonin kohë, në një ambient që quhej salla e lojërave.

Refreni i këngës, po sipas dëshmisë së Bujar Bakallit, këndohej nga një kor të burgosurish që drejtohej nga basi i mirënjohur Lukë Kaçaj.

Të gjithë këta artistë të shkëlqyer ishin të burgosur njëkohësisht në Spaç.

Por, kjo këngë ishte vetëm njëra prej krijimeve të artistëve të burgosur në këtë kamp-burg, të cilët u rikujtuan në edicionin e dytë të “Tingujve e kujtesës”, organizuar nga Kujto.al, e mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe fondacioni Konrad Adenauer.

Poezi nga Visar Zhiti, Havzi Nela, Maks Velo e Sadri Ahmeti si dhe këngë e instrumentale, të cilat të gjitha lidheshin me temën e 50-vjetorit të revoltës së Spaçit, u interpretuan  nga grupi i artistëve që sollën emocione të forta në këtë koncert si aktorja Ema Andrea, mezosopranoja Vikena Kamenica, baritoni Ylber Gjini, këngëtari Tomi Kondakçi i cili po ashtu ka qenë ish-i burgosur politik në Spaç, pianistja Kristina Laço, violiniçelistja Dorina Laro dhe violinisti Fatos Badulla.

Pjesa dërrmuese e pjesëve muzikore ishin përpunuar nga kompozitori Endri Sina dhe sjellë në linjat e muzikës së dhomës.

“Tingujt e kujtesës” u organizua në nderim të 50-vjetorit të Revoltës së Spaçit, e cila kulmoi më 21 maj të vitit 1973.

Ndërsa u shtyp me dhunë nga regjimi komunist duke çuar në pushkatim katër djem të rinj Skënder Daja, Pal Zefi, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko./ kujto.al

ObserverKult


vallja e osman takës

Lexo edhe:

HISTORIA E “VALLES SË OSMAN TAKËS”… VALLES SË LIRISË

Kur je para valles së lirisë… Meditime rreth Valles së Osman Takës. Nga Namik Selmani

Ajo nuk është thjesht një valle. Është histori që rri krah legjendës.Maja e shpirtit të paepur të kombit

Lartësia ku duhet të ngjitemi si komb. Dhimbja që rri ballë dashurisë. Pasaporta që nuk njeh doganë e kufi. Pastaj fuqia e një kombi që di të përballet ballaz me sfida.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult