“Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”… ky është një predikim mirënjohës i një aktoreje që na bën të ndjehemi krenar, një psalm që na mëkon besimin si motivues në sprova dhe si forcë në sfida. Ajo i besoi pasionit, ngadhënjeu mbi çdo pengim dhe ndoqi rrugën ku ia rrëfeu një shpirt i lindur për të jetuar në dhjetëra role, për të shpërthyer në dhjetua yjësi suksesesh skenike. Ajo i besoi Tinka Kurtit dhe mishëroi Tinkën e plazmuar në më të arrirën të mundshme e artit skenik.
Idilikja e portreti të Tinkës
Një fytyrë e skalitur me një mjeshtëri të përsosur. Brazdat e rrudhave që ia shkruajnë me një kaligrafi mahnitëse moshën dhe hijeshinë, ëmbëlsinë dhe dashurinë e një zemre që rreket të shpreh mes atij vështrimi të ngulmët një botë parajsore, një reale që vezullon qëndismash yjësuese, por edhe atë… gruan dhe nënën e drobitur prej merakut dhe mallit, prej mirësisë dhe vetëmohueses. Një vështrim amësor që prehet me një delikatesë, ëmbëlsi, mall dhe një hije transparente meditimi që e përshkon gjithë atë portret, aktoreje, nënë dhe gruaje si me një cohë të hollë dritimi breror.
Kumtim dhe mishërim i aktores
Tinka Kurti, kjo zonjë sharmante dhe e hijshme, zëëmbël dhe rrezatuese, e thjeshtë dhe përplot ëndje gjallëruese, përmes mishërimit të nënës shejtneshë dhe gruas forcë përtëritëse të jetës dhe vlerave të epërme të hyjnimit, ka ditur dhe ka mundur të sjellë përmes artit skenik dhe të përkorës, më shumë se aktoren, shembullin ideal të gruas.
Rolet, karakteret, tipet dhe profilet që jetësoi ajo mjeshtërisht në skenë, e kanë ngulitur thellë në memorin e gjeneratave Tinkën, si një aktore e admiruar, si një personazh i spikatur në skenën e madhe të artit. E avantazhuar nga profili skenik, nga një timbër që ka forcë të depërtojë dhe nga një hijeshi që brendashkrin gruan dhe nënën në rol, ka bërë që ajo të përcillet gjithnjë me adhurim.
Në të gjithë galerinë krijuese, Tinka Kurti është ajo, dhe vetëm ajo. Nuk imitoi askënd, askush nuk mundi ta mbërrinte atë. Si në rolin e Tanës, Pashakos te “Yjet e netëve të gjata”, nënës së Halit Beratit te “Gjeneral Gramafoni”, doktoresh Keti, te filmi “Unë e dua Erën”, Dila te “Besa e Kuqe”, etj. ajo mëton karakteristikat dalluese të patëdyta.
Mishëron në rol, ose rolit i jep nga vetja atë forcë intepretative, atë shpirt përjetues, atë ndjenjë të personazhit që buron nga njerëzorja, nga aftësia për ta trajtuar me mish e me shpirtë atë që udhëprin pasion tek ajo.
Megjithëse ka lindur në Sarajevë më 17 dhjetor 1932, ajo është shprehur se: “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”. Në këtë udhëtim kumtimesh të epërme ky shëmbëllim i femrës ngadhnjimtare, ka skalitur në mbamendjen e kinemasë dhe teatrit më shumë se 120 role, transmeton ‘aktoretshqiptare.info’.
Çfarë është arti për të?
“Është ushqimi im. Oksigjeni. Unë kam mësuar shumë nga mësuesit e mi, nga paraardhësit e mi. Arti është kolektiv, nuk është individual. Është autori i dramës, komedisë, është regjisori, aktorët, skenografi, grimi, kostumografi, muzika etj… Pra në çdo dramë suksesi nuk është individual, por kolektiv”, shprehet Kurti. Tinka Kurti u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç.
Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947-n u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe. Që viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi.
Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Si rrallëkush, Tinka Kurti te filmi TanaTinka Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958-n.
Të paharruar kanë mbetur Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna te “Çifti i lumtur” (1975), sinjorina Mançini te “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), gjyshja te “Zemra e nënës”. Rolet e arrira i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.