Në sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës është çelur ekspozita fotografike “Tirana 100 vjet kryeqytet”. Përmes fotove bardhezi prezantohen gjurmët e qytetit, që në shekujt e parë pas Krishtit në Mozaikun e Tiranës, tek pazari, namazgjaja, vilat e viteve 1930 e deri në ditët e sotme.
Organizatori dhe drejtori i përgjithshëm i “Alsar” Saimir Rusheku rrëfen realizimin e kësaj ekspozite, që i kushtohet kryeqytetit.
“Është bërë një prezantim për të pasqyruar momentet e rëndësishme, duke nis nga fisnikëria tiranase me themelimin e Strehës Vorfënore nga “Zyber Hallulli”, e tek mikpritja që kreu i parë i Bashkisë së Tiranës Ismail Ndroqi i bëri Kongresit të Lushnjes në Qafën e Kasharit. Më tej bëhet një prezantim i plotë ngritja e institucioneve në Tiranë, duke u shtrirë tek infrastruktura dhe zhvillimi i jetës qytetare”, shprehet Saimir Rusheku, drejtor i fondacionit “Alsar”.
Fotot e realizuara nga 1920-ta në 2020-n sjellin zhvillimin kulturor, fetar, etnografik, sportiv, urbanistik dhe arkitektonik
“Më pëlqen shumë, shumë interesante”, shprehet një qytetar.
“Me anë të fotove lexohet historiku i Tiranës. Ndjeva mallëngjim, duke parë shndërrimin e Tiranës”, thotë një qytetar.
“Këtu kam lerë edhe këtu jam rritur. Shumë bukur. Vetëm nuk më pëlqen, që pallatet e mëdha nuk kanë parqe për pushim”, tregon një tjetër qytetar.
Ekspozita pas sheshit “Skënderbej” dhe do të udhëtojë edhe në Prishtinë, Ulqin, Tetovë dhe Shkup./Shqiptarja.com