Tri gratë që shënjuan jetën e gazetarit prezantohen në një libër të ri që vjen në panair – Gazetari prezanton në “New Literature Festival” librin e tij të ri “Tirana e Nonës”
Tri gra të rëndësishme të jetës së tij, tri gra që shënjuan tek ai fëmijë, atë që mbase është sot. Blendi Fevziu erdhi në një rrëfim të ndjerë përballë të rinjve në “New Literature Festival”, që nga data 29-30 tetor u mbajt në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar.
Ai prezantoi librin e tij të ri, që do të dalë në Panairin e 22 të Librit, që do të mbahet nga data 13-17 nëntor në Pallatin e Kongreseve.
Alda Bardhyli, drejtoresha e “UET PRESS” prezantoi dhe një kopje maket të librit, apo “kopje pune” siç, tha ajo që quhet në gjuhën e atyre që merren me botime, duke treguar kështu për herë të parë para të rinjve si do të jetë kopertina e këtij libri.
Fevziu tregoi se ky libër është saga e familjes së tij, treguar përmes historisë së tri grave që konfiguruan tek ai për herë të parë idenë për botën. Tri gra të shkolluara jashtë, që dashuronin leximin dhe udhëtimet ishin ato që i treguar se bota është më e madhe se ajo ku shtrihej fëmijëria e tij, duke i ushqyer ëndrrat.
“Ky libër ishte një borxh, të gjithë kemi borxhe ndaj njerëzve që kanë ndikuar në formimin e rritjen tonë, e ndjeja se duhet t’ia ktheja. Ishte një libër që u shkrua shpejt, ndoshta se ishte brenda meje”, tha gazetari Blendi Fevziu. Por historia e tri grave nuk është thjesht historia e tyre, pasi ky libër është dhe historia e një Shqipërie në ndryshim, sidomos e Tiranës. “Është një libër për fatet e tre personave, që unë i njoha në fillimet e mia, po aq sa një libër për transformimin e Tiranës. Madje më shumë sesa një libër, është një borxh. Një prej atyre borxheve, që njeriu duhet t’i kthejë në jetë. Edhe pse jo gjithnjë ia arrin. Ato ishin tri të moshuara që shënjuan nisjen time në jetë. Investuan gjithçka iu kishte mbetur nga dekada të trazuara të jetës së tyre te një fëmijë. Në radhë të parë, rrëfimet e mrekullueshme për qytetin, pushtetin, fuqinë, dështimin, modestinë dhe zvetënimin. Sot mendoj se ato kishin nevojë t’ia thoshin dikujt. Ishte një lloj borxhi që e mora pa dashje përsipër, pa e ditur. Por, pa dyshim, me besimin se një ditë do ua tregoja sa më shumë njerëzve. Dhe po e bëj sot. Me këtë libër”, u shpreh ai.
Libri është shkruar i gjithi në udhëtim, nisi gjatë një udhëtimi mbi Paqësor, nga San Francisko për në Honolulu për të përfunduar sërish në një vend shumë larg Tiranës.
Tri gratë ishin Nona, teta Meti dhe Bibia. “Ky libër është për to, për qytetin e tyre siç e njihnin ato, dhe si u bë ai pas vdekjes së tyre. Deri më sot… Stërgjyshja ime, Nigjari, ose Nona, siç e kam thirrur gjithnjë dhe siç e thërras në këtë libër; motra e saj, Ganimeti, ose teta Meti, siç e thërrisja unë dhe kushërira e tyre e largët, Sybija, ose Bibia, siç do të dalë në këtë libër, që u bë një nënë më shumë për time më. Ishin tri gra që shënjuan jetën time. Tri gra, nga të cilat mësova aq shumë dhe tri gra, të cilat së bashku, ilustrojnë më mirë se kushdo historinë e trazuar të Shqipërisë dhe qytetit ku jetuan, Tiranës”, thotë ai.
“Ato janë tri gra të jashtëzakonshme që Blendi i ka marrë nga zona e kujtesës për t’i dhënë jetën e përjetshme që ta japin vetëm librat. Jam e bindur se tashmë për to ka filluar një tjetër jetë, më e gjatë; ajo me lexuesit. Ju do t’i doni këto gra, jo vetëm për finesën dhe mençurinë që ato përcjellin, por dhe për faktin që na sjellin një histori krenare të gruas shqiptare. Ky është një rrëfim dhe për emancipimin e hershëm të grave shqiptare, formimin europian të tyre”, tha Bardhyli./gsh