Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dy personalitete, Agathokli Xhitomi e At Aleksandër Lipe, të ekzekutuar nga diktatura komuniste.
Presidenti Meta shprehet se këtë dhjetor mbushen 75 vite, që kur Përmeti i Frashërllinjve, kulturës, dijes e patriotizmit, me një shembull të lartë qytetarie dhe guximi të rrallë, kundërshtoi me votë diktaturën, në mënyrë unikale, që në zgjedhjet e para pas Çlirimit.
“Ishte e pabesueshme për udhëheqjen komuniste të pranonte se Përmeti i Luftës Antifashiste, t’i thoshte jo, me votë dhe qytetari, tiranisë që po vendosej. Ndaj hakmarrja nuk vonoi ndaj të gjithë atyre, që u shprehën për demokraci dhe pluralizëm. Mes dhjetëra intelektualëve e përfaqësuesve të familjeve më të shquara të Përmetit, të cilët u arrestuan, u torturuan dhe u ekzekutuan me vdekje, ishin edhe Agathokli Xhitomi e At Aleksandër Lipe”, shprehet ai.
Meta shton se “Xhitomi, demokrat e intelektual properëndimor, deputet i Parlamentit në vitet 1920-1924, Sekretar i Përgjithshëm i partisë së Fan Nolit, u dënua me pushkatim, së bashku me të ashtuquajturin Grupi i Deputetëve. Ndërsa At Aleksander Lipe, intelektual i shquar dhe me ndikim të madh, themelues i një prej shkollave të para në gjuhën shqipe u ekzekutua në Kalanë e Gjirokastrës”.
“Për guximin dhe kurajën e jashtëzakonshëm, për vizionin për t’ju kundërvënë diktaturës dhe për sakrifikimin e jetës për demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë, pata sot privilegjin t’i vlerësoj këto dy personalitete kombëtare me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.Përulem me nderim, para shembullit të jashtëzakonshëm të guximit qytetar, largpamësisë dhe dëshirës për demokraci, që populli i Përmetit dha me votimin kundër regjimit komunist, që në 2 dhjetor 1945.Ky mesazhi i fuqishëm demokratik, qytetar dhe kurajoz, në zgjedhjet e 75 viteve më parë, kundër vendosjes së diktaturës, është i gjallë dhe i vlefshëm sot dhe për të ardhmen”, shprehet Meta./ATSH