Pas 5 vitesh mbyllje, duke filluar nga data 15 shtator përmes një sërë aktivitetesh celebruese nën sloganin “Rikonstruksioni – Hapja e TKOB”, do të nisin eventet e inaugurimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Shpallja e ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të teatrit u bë dje në përvjetorin e 65-të të krijimit të TKOB.
Në konferencën për shtyp, të organizuar në TKOB, merrnin pjesë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti dhe drejtoresha e përgjithshme Zana Çela.
15 shtator 2021 – Dita e parë e ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB
Nis me ceremoninë zyrtare të inaugurimit të rikonstruksionit të TKOB përmes një prezantimi – guidë të ambienteve të rikonstruktuara, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe të gjithë përfaqësuesve të lartë të shtetit, artistëve, miqve të TKOB, medias dhe trupit diplomatik, etj.
19:00-19:30 – RIKONSTRUKSIONI – 2017 – 2020 – Dokumentar premierë
19:30 – Grand Gala – Hapja e TKOB
Koncert i madh celebrues me pjesëmarrjen e trupave të TKOB, si dhe artistëve më të mirë shqiptarë të operas, baletit, instrumentit. Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të artistit më përfaqësues të historisë së sotme të operistikës botërore, Placido Domingo. Me përfaqësuesen më të denjë ndërkombëtarisht, të interpretimit operistik shqiptar, Ermonela Jaho. Me pjesëmarrjen e solistëve yje të TKOB, si: Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Eva Golemi, Armando Likaj, etj.
Programi është i bazuar në titujt e shfaqjeve më të mira të historisë së teatrit dhe produksionet e TKOB në katër vitet e fundit të cilat janë pjesë të repertorit klasik më të njohur nga e gjithë audienca.
Këto tituj do të prezantohen duke u mbështetur në kronologjinë historike të shfaqjeve të tyre në skenën e teatritshqiptar./ATSH
LEXO EDHE: Placido Domingo dhe Ermonela Jaho, të ftuar specialë në inaugurimin e TKOB