Në një prej gropave, ka mbetur e ngulur një tabelë hekuri e ndryshkur, ku është salduar numri “8”. Atje u varrosën dikur trupat e Fejzulla Çepi, Agim Agaraj, Sandër Sokoli, Ilmi Çoçka, Dilaver Hysi, Hariz Braho, Pandi Sterjo, Sefedin Pula, Ndue Deda.
Eshtrat e tyre mbetën të dënuara aty, edhe pas vdekjes, larg familjeve dhe vendlindjes, të fshehur mes maleve, në pyllin e errët… Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u pushkatuan mesnatën e datës 9 Qershor 1984.
Varri i tyre u fsheh deri në vitin 2011, kur familjarët i gjetën pas kërkimeve të gjata prej 27 vitesh
Nga Luljeta Progni
Disa qindra metra pranë burgut të Qafë-Barit, mbi rrugën e ngushtë, derdhen disa shkëmbinj të lëmuar që ngjajnë si shkallarja sekrete e ndonjë bote legjendash. Pasi ngjit disa prej atyre shkallëve, sheh një pllajë të vogël mbuluar nga trungjet e kalbur.
Pak hapa më tej, arrin të dallosh dy gropa të mëdha, ndoshta sepse kanë thithur shumicën e trungjeve që rrëzohen shpesh prej shpatit.
Këto gropa kanë mbajtur brenda tyre, trupat e 9 të burgosurve që dhanë shpirt në Burgun e Qafë-Barit prej punës së rëndë, aksidenteve në minierë dhe torturave çnjerëzore:
Fejzulla Çepi, Agim Agaraj, Sandër Sokoli, Ilmi Çoçka, Dilaver Hysi, Hariz Braho, Pandi Sterjo, Sefedin Pula, Ndue Deda.
Në një prej gropave, ka mbetur e ngulur një tabelë hekuri e ndryshkur, ku është salduar numri “8”. Pas vitit 1991, kur burgu ishte mbyllur dhe zona nuk konsiderohej më e rëndësisë së veçantë. Familjarët kanë ardhur këtu për të marrë eshtrat e të afërmve të tyre dhe nga nëntë tabelat e hekurta, ka mbetur vetëm kjo me numrin “8”.
Ndoshta e kanë lënë këtë tabelë, si një shenjë për të mos e harruar këtë varrezë të fshehur mes pyllit, për ta mbajtur në memorje. Edhe pas zjarreve e ngricave, që as pylli nuk u rezistoi dot. Ndoshta ende eshtrat e dikujt që skedohej me numrin “8”, janë ende aty…
Pse i varrosnin pikërisht këtu?
Të burgosur edhe pas vdekjes, larg familjeve dhe vendlindjes, trupat e tyre duhet të fshiheshin mes maleve, në pyllin e errët, e emri i tyre duhej harruar, që të mos ktheheshin në martirë të lirisë.
Ndoshta aty poshtë, në rrugën e heshtur, kaluan familjarët e tyre për të shkuar në vizitën e radhës, për t’iu sjellë rroba dhe ushqim, e po aq pranë kaluan, kur u kthyen përsëri me lajmin e kobshëm me vete.
Në asnjë ligj, në asnjë rregullore, nuk shkruhej se shteti kishte të drejtë t’i fshihte, përdhoste apo të eksperimentonte me trupin e viktimës, që humbte jetën në burg.
Në asnjë kod moral, prej mijëra vitesh, shqiptarët nuk e kanë përdhosur kurrë trupin e një viktime, qoftë ky shqiptar apo pushtues i huaj.
…përveç viteve të diktaturës komuniste, kur jo vetëm u mbajtën të fshehta të gjitha vendvarrimet e të ekzekutuarve dhe të vdekurve në burgje. Por u plaçkitën, përdhosën dhe u eksperimentua me ta, duke ju hequr organe trupi, me justifikimin e studimeve mjekësore.
Pranë kësaj varreze që ka fshehur trupat e pajetë të sakatosur, ndodhet edhe varreza e madhe, aty ku mbaheshin ata që ishin ende gjallë: 500 të burgosurit – skllevër të Qafë Barit.
Kampi – burg i Qafë Barit ishte ndërtuar në vitin 1982, pranë një miniere bakri dhe filloi të popullohej kryesisht me të dënuar politikë, në vitin 1983.
Galeritë kryesore të minierës ndaheshin prej burgut nga një kodër
Galeritë kryesore të minierës ndaheshin prej burgut nga një kodër, në majë të së cilës ndodhet edhe sot një ndërtesë, ku ka qenë reparti ushtarak me forcat speciale të batalionit të sigurimit. Poshtë saj, ndodheshin kapanonet e të burgosurve, menca, birucat, shesh-pushimi dhe komanda e burgut.
Gjithë zona e rëndësisë së veçantë, ishte rrethuar me një brez prej tre radhësh me tela me gjemba e hekura, me lartësi mbi 3 metra.
Perimetri përforcohej me tela me rrymë elektrike dhe vend-roje me prozhektorë të fuqishëm, ku ishin pozicionuar ushtarë të armatosur me automatikë e mitroloza.
Por më shumë se sa një burgu, ky vend i ngjante një kampi skllevërish, ku punohej me turne, natë e ditë, në galeritë e akullta të minierës.
E ku shpesh për mosrealizimin e normës së papërballueshme. Ushtrohej dhuna barbare prej xhelatëve, me mjete primitive si bishtat e kazmave. Deri sa iu thyenin kockat e nuk mund të qëndronin më në këmbë.
Torturat makabre shpesh kryheshin pa asnjë shkak. Shumë nga ish të burgosurit e Qafë Barit, kujtojnë se si liheshin zhveshur për orë të tëra në oborrin e burgut, nën acarin e dimrit të egër, deri sa iu binte të fikët.
Të burgosurit, pa asnjë rrugëdalje u detyruan të gjunjëzohen
Mëngjesin e së martës, më 22 Maj 1984, kur turni i parë po kthehej nga galeritë, dy prej të burgosurve u veçuan prej policëve.
Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolli u urdhëruan të futeshin përsëri në galeri për të plotësuar normën.
Të rinjtë kundërshtuan dhe ndërsa policët po iu afroheshin me shkopinj gome e drunj nëpër duar. Ata kërkuan ndihmën e të burgosurve të tjerë: “Në besë tuaj burra!”.
Sokol Sokoli, Sokol Progni, Tom Ndoja, Sandër Sokoli e të tjerë të burgosur, morën në mbrojtje dy të rinjtë dhe u përleshën me policët.
Pas përleshjes, të burgosurit u futën në mencë, ndërsa policët bllokuan hyrjen dhe kërkonin të merrnin me forcë të rebeluarit.
Të burgosurit e tjerë, që ishin në oborr dhe nëpër fjetina u vërsulën drejt mencës dhe pas përleshjeve të ashpra. Policët u larguan prej aty, drejt zyrave të komandës.
Një pjesë e të burgosurve i ndoqën nga pas. Por në ato momente filluan të shtënat. Duke plagosur një prej tyre, Kostandin Gjerdenin.
Ndërsa kampi ishte boshatisur prej policëve, rrethimi u përforcua me forca të tjera. Prej Pukës, Mirditës, Lezhës, Shkodrës e Tiranës u nisën përforcime me policë dhe ushtarë të armatosur.
Për disa orë, të burgosurit e rrethuar po përpiqeshin të gjenin një zgjidhje për ecurinë e revoltës. Por nuk mundën, deri sa forcat speciale, sampistët dhe snajperat u vendosën rreth e rrotull luginës.
Horizonti ishte mbushur nga siluetat e ushtarëve, forcave speciale dhe fshatarëve të zonës.
Ndërsa në luginën e ngushtë oshëtinin zhurmat e autoblindave dhe makinave ushtarake. Nga brenda luginës oshëtinin thirrjet: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë diktatura”, “Rroftë Shqipëria”.
Zhurma e një helikopteri u dëgjua pas kodrës, dhe prej andej, zëvendës ministri i Brendshëm, Zylyftar Ramizi. Bashkë me zyrtarë të lartë, iu bënë thirrje të burgosurve të dorëzoheshin pa kushte.
Të burgosurit, pa asnjë rrugëdalje u detyruan të gjunjëzohen. Duke menduar për pasojat që do t’i prisnin orët e ardhshme.
Forcat speciale dhe policët e kampit hynë me furi në kamp dhe i lidhën me zinxhirë dy nga dy të gjithë të burgosurit e gjunjëzuar. Tashmë të gjithë e dinin, se ato do të ishin orët më të vështira për të gjithë.
Por në kamp, nuk u kthyen ata që do t’i nënshtroheshin një procesi hetimor me tortura dhe rrahje barbare që filloi qysh aty: Sokol Sokoli, Sokol Progni, Tom Ndoja, Lush Bushgjoka. Haxhi Baxhinovski, Vllasi Koçi, Kostandin Gjordeni, Bajram Vuthi. Martin Leka, Lazër Shkëmbi, Hysen Tabaku, Ndue Pisha.
Një prej tyre, Sandër Sokoli, nuk mundi t’i mbijetojë torturave, e dha shpirt po atë ditë.
Ja si ka dëshmuar një prej pjesëmarrësve në revoltën e Qafë Barit, Haxhi Baçinovski: E pashë me sytë e mi, e pashë si dha shpirt Sandër Sokoli.
Ishte më i forti ndër ne, me trup të gjatë e gjithë muskuj. E thirrën ditën e protestës xhahilët. I ranë me shkelma, me shkopinj druri, me shufra hekuri. E thyen në mes dhe ai ra si lis në tokë duke bërtitur nga dhimbjet. Çaste të tëra vazhdoi të lëngojë e të bërtiste nga plagët i gjori.
E kapën me forcë dhe pasi e ngritën lart e palosën më dysh në dysheme. Pas dy-tre rënkimeve të mbytura, Sandri ra në qetësi. Më lëndon mashtrimi i madh i atyre palo mjekëve, që e panë me sy si përfundoi Sandër Sokoli dhe firmosën diçka krejt tjetër, infarktin.”
Për grupin që u cilësua si organizator i revoltës, pas 10 ditësh hetuesie u dhanë dënimet e rënda. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja me vdekje – pushkatim, ndërsa të tjerët nga 11 deri në 25 vjet burgim. Kuvendi Popullor nuk bëri asnjë falje dhe një ditë më vonë, mesnatën e datës 9 Qershor 1984, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u pushkatuan.
Asnjë njoftim për të afërmit e të dënuarve, asnjë lajm. Gjithçka në fshehtësi të plotë. Askush nuk e mori vesh se çfarë u bë me 12 të dënuarit që nuk u kthyen më atë natë në fjetinat e burgut të Qafë Barit.
U gjetën eshtrat pranë Antenave të Radio Shkodrës
Eshtrat e të dy të dënuarve me pushkatim, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja nuk u gjendën në varrezën pranë burgut të Qafë-Barit, por shumë më larg.
Trupi i Sandër Sokolit që dha shpirt nga torturat ditën e revoltës më 22 Maj 1984, nuk ishte i fundit që do të dergjej në varrezat e fshehta pranë kampit. Pas tij, edhe 6 të tjerë të burgosur, do të preheshin aty, deri në vitin 1991. Kur familjarët nuk i ndalonte kush për të marrë trupat e tyre.
Të burgosurit u larguan prej Qafë Barit, në vitin 1990. Autoritetet provuan të vazhdonin t’i mbanin në punë minierat me minatorë profesionistë, por ishte e pamundur.
Askush nuk mund t’i mbijetonte kushteve të vështira
Askush nuk mund t’i mbijetonte kushteve të vështira mes atyre maleve si të burgosurit – skllevër. Askush nuk mund të mbushte qoftë edhe një vagon me mineral brenda ditës.
Pas rrëzimit të diktaturës miniera u mbyll përfundimisht, Qafë Bari u boshatis, u shkatërruan godinat. Dhe u grabit çdo gjë, përveç një pirgu të madh të verdhë minerali që ndodhet ende aty.
Sot Qafë Bari ka rënë në qetësinë e harresës. Përmendet veç nëpër kujtimet e atyre që lanë një pjesë të jetës në këtë burg dhe brenda galerive të akullta. Por asnjë institucion shtetëror nuk ka bërë diçka për ta dokumentuar këtë pjesë të dhimbshme të historisë sonë, ose të paktën për t’i kujtuar ata që mbajtën gjallë shpresën për të ndryshuar Shqipërinë./kujto.al
ObserverKult
————————
Lexo edhe:
KLITHMAT E NËNËS NË KOMUNIZËM: “JAM E PAFAJSHME! KAM FËMIJË! PSE PO MË MERRNI NË QAFË?”