Pasi ia morën jetën e sollën trupin në oborrin e burgut… flet shoku i tij

Nauini dëshironte të bëhej inxhinier

Nauni dëshironte të bëhej inxhinier, ia ndërprenë studimet në mes. Nisi të ndërtonte një jetë- e dënuan. Tentoi të arratisej e vranë dhe e sollën të masakruar në oborrin e burgut. Fundi i dhimbshëm i Naun Kondakçiut, një ditë dhjetori, siç e ka rrëfyer shoku i burgut që e pa me sytë e tij skenën makabre.

Ishte dënuar me 5 vjet burg, që duket pak përballë dënimeve të gjata që jepte regjimi komunist për ata që i quante armiq por ta kalojë atë kohë në kampet e punës së detyruar, duhej të dukej përjetësia vetë në një cep të ferrit. Pjesa dërrmuese e të dënuarve gjithsesi iu dorëzuan asaj torture. Të vetëdijshëm se ishte e pamundur t’i shpëtonin, por kishte dhe nga ata, që zgjodhën ta provonin të pamundurën. Kështu bëri dhe Naun Kondakçiu.

Ai i kishte humbur shpresat që mund të bënte ndonjëherë një jetë normale nën këtë regjim. Në fillim i shkatërruan ëndrrën për t’u bërë inxhinier mekanik. Pasi u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, studentët shqiptarë u detyruan të kthehen në Shqipëri. Mes tyre ishte edhe ai. Kishte parë shumë në Rusi dhe me siguri edhe kishte fantazuar për të ardhmen e tij, por tani i duhej të jetonte në Plug të Lushnjës e të punonte si punëtor mekanik.

Përgatitja e dënimit

Me siguri kjo nuk mund ta kënaqte djalin nga Lushnja. Ai ishte rritur jetim në një familje me pesë fëmijë. I ati i tij e kishte humbur jetën gjatë bombardimeve të pushtuesve italianë. Njëri nga vëllezërit kishte rënë në luftë. Me gjithë vështirësitë, ai i ishte kushtuar shkollimit. Kishte mbaruar shkollën e mesme “29 Nëntori” në Shkodër dhe ishte nisur për studimet e larta në Moskë. Kishte shpresuar që një ditë do të kthehej në vendin e tij si inxhinier. Kishte menduar se do të jetonte me një profesion që i përgjigjej aftësive dhe kapacitetit të tij.

Se do të jepte dhe ai kontributin e vet për vendin; për lirinë e të cilit i vëllai, dëshmori, Uan Kondakçiu, kishte dhënë jetën; se do të mund të ndërtonte një jetë, por e kuptoi që asgjë nga këto nuk do të ndodhte.

Regjimi në fuqi nuk donte t’ia dinte për idealet e të vëllait dhe gjithë të rënëve, as për ëndrrat e tij dhe gjithë të gjallëve.

Si kujtdo tjetër, e veçanërisht atyre që vinin nga Rusia edhe atij i vunë pas spiunë. Njëri prej tyre ishte baxhanaku i tij. Sipas burimeve familjare, ai i ngriti një kurth Naunit dhe i shkëputi deklaratën që “në Rusi kur hapje rubinetin nuk derdhej ujë, por birrë”. Kaq mjaftonte për t’i hedhur prangat dhe pas përpunimit në laboratorin e hetuesisë u formulua akuza “për tradhti ndaj atdheut, mbetur në veprime përgatitore”. E dënuan me 7 vjet burg. Ndoshta sepse ishin të vetëdijshëm që bëhej fjalë për një akuzë të trilluar. Ndoshta sepse ende në opinion duhej të ruanin një farë respekti për familjen e dëshmorit, dënimin ia ulën në 5 vjet dhe e çuan në kampin e punës së Laçit.

Arratisja, ëndrra e fundit e lirisë

Në atë kamp, u takua me Sazan Hadërin. Ishte nipi i Shefqet Peçit, por Sigurimi kishte parë te ai shumë më qartë armikun e pushtetit, sesa nipin e pushtetarit. Në këtë rast, ai kishte parë qartë. Ndaj e kishin arrestuar dhe dënuar me 25 vjet burg për “tradhti ndaj atdheut”. Por Sazani nuk kishte hequr dorë nga ideja për t’i shpëtuar diktaturës, ndaj mendonte pareshtur për arratisjen nga burgu.

Me të njëjtat ide duhet të ketë qenë edhe Murat Marta. Nuk dihet se për sa kohë e kanë menduar planin e arratisjes, por dihet që atë fillim dhjetori të vitit 1966, ditën e arratisjes, ata vepruan pa u menduar asnjë çast më shumë.

Ishte një veprim që askush nuk e priste dhe që në literaturën e burgjeve komuniste të Shqipërisë, përshkruhet si një nga ngjarjet e rralla të ndodhura brenda tyre.

Kur në kamp u fut një makinë e madhe që bënte furnizmin, tre të rinjtë hipën në të, shpartalluan portën e oborrit dhe u larguan me shpejtësi.

Minutat e nevojshme për të kuptuar çfarë kishte ngjarë ishin në avantazh të tyre. Por para u doli një autobus pasagjerësh me të cilin për pak sa u përplasën kur dolën në rrugë. Ndoshta më shumë sesa jetën e tyre, të cilën tani e dinin që e kishin në rrezik, mbrojtën atë të të tjerëve dhe ndaluan. Zbritën nga makina dhe nisën të vraponin me sa u hanin këmbët drejt pyllit të Laçit.

Pas i ndiqnin të shtëna armësh, të rojeve të kampit që iu ishin vënë në ndjekje, por edhe të një oficeri të armatosur që ishte gjendur brenda autobusit. Të dënuarit e tjerë që ndiqnin me sy e zemër atë vrap  të tre shokëve të tyre, për jetën, u detyruan të vendoseshin në rresht. Nga apeli, u mësuan emrat e tre të arratisurve dhe në ajër u përhap kërcënimi i oficerit të rojës: “Gjallë a vdekur do t’i keni këtu brenda 24 orëve”.

Fundi makabër i Naunit

Ata të tre u kthyen në kamp, dy të gjallë dhe një i vrarë. Në ditarin e tij, ish-i dënuari politik Neim Pasha i ka përshkruar me hollësi ngjarjet e asaj dite. Pas arratisjes, të burgosurit u mbyllën në kapanon, ndërsa te dera dy policë me automatikë në dorë bënin rojë. Në mesnatë, të dënuarit dëgjuan zhurmë dhe pasi lanë shtretërit, dalluan Sazanin dhe Muratin që tërhiqeshin zvarrë nga dy oficerë dhe shoqëruesit e tyre. Gjysmë të gjallë, të shfytyruar e me duar të lidhura me tel, ndërsa Nauni mungonte. Neimi shkruan që shpresonte që ai t’u kishte shpëtuar xhahilëve, por nuk ndodhi ashtu.

“Nga ora pesë e mëngjesit u bë zgjimi. Na urdhëruan të dilnim të gjithë jashtë. Te rripi i çimentos ku na vinin kazanët e gjellës, kishin hedhur trupin e Naunit. Nxitova për ta parë. M’u rrëqeth mishi e po dridhesha i tëri. Fytyra i kish marrë ngjyrë të zverdhur. Rrobat i qenë bërë të kuqe flakë. Plumbat e shumtë që kishte marrë ia kishin nxjerrë zorrët jashtë. U afrova. Një moment ia mblodha e ia futa në bark. Me një leckë që gjeta aty pranë i mbulova fytyrën. Nuk durova më dhe u ngrita. Këmbët i ndjeja si të mpira”.

Pas ca e kishin thirrur dhe e kishin kërcënuar për këtë veprim. Trupin e Naunit e kishin sjellë aty që shokët të tmerroheshin, jo ta nderonin. Dhe ky dënim i fundit për guximtarin që kishte shpresuar, në kushtet më të pafavorshme, lirinë, më lebetitësi i të gjithëve, nuk ishte i shkruar në asnjë rregullore. E megjithatë me të u dënuan disa të burgosur, në kampin e Laçit dhe të tjerë. Trupat e tyre nuk u jepeshin familjarëve, por as ajo familja e përbërë nga shokët që ndodheshin aty, nuk lejohej t’i nderonte. Jo vetëm kaq, por shokët urdhëroheshin ta shihnin atë pamje makabre për ta kthyer në mësim. Në ndonjë rast, ligësia e drejtuesit të kampit arrinte deri aty sa t’i urdhëronte të dënuarit ta pështynin kufomën.

As familja e Naunit nuk e mori trupin e djalit të saj. Siç tregon një i afërm, ata u sorollatën me mashtrime për ca kohë derisa në fund u kërcënuan që t’u jepnin fund këtyre kërkesave. Familja nisi të denigrohej. Vëllai i mbetur gjallë, Miti, u shkarkua nga posti i sekretarit të Partisë. Të qenit familje armiku iu mbivendos të qenit familje dëshmori. Një vëlla ishte vrarë për lirinë e vendit. Tjetri sepse vendi nuk e lejoi të ishte i lirë./kujto.al

ObserverKult

Lexo edhe:

“NËNA MË VDIQ POSA E MORI VESH QË MË DËNUAN, BABANË MA EKZEKUTUAN NË…