Natën e ndërrimit të viteve, komunistët pushkatuan pa mëshirë 23-vjeçarët, Taqi Koçi dhe Tom Goga. Akuzoheshin se kishin luftuar kundra “vëllezërve serbë”, përkrah shqiptarëve të Kosovës…
Nga: Luljeta Progni
Dhjetor 1946. Ishte muaji i festave në Durrës, qyteti ku si askund tjetër pritej me gëzim Krishtlindja, por edhe Viti i Ri. Qyteti përfshihej nga atmosfera e Krishtlindjes dhe të gjithë përgatiteshin për pritjen e festave. Familja Koçi në Durrës, po përgatitej gjithashtu, për festat e fundvitit. Ishte një ndër familjet e rëndësishme në qytet, jo vetëm sepse ishin me peshë, për shkak se kishin themeluar shoqërinë e parë tregtare atje, por edhe për shkak se burrat e kësaj familjeje shquheshin për patriotizëm. Kiço Koçi kishte qenë një ndër aktivistët më të rëndësishëm në mbrotje të interesave të Shqipërisë në momentet të vështira për fatet e vendit.
Kiço Koçi, i lindur në Labovë (të Gjirokastres), me 25.09.1889, kreu studimet në Athinë dhe në Stamboll. Në 21 janar 1920, ishte përfaqsues i Gjirokastrës në kongresin e Lushnjes, ishte përkrahës i madh i qeverisë së Fan Nolit. Në 1920, vjen në Durrës, ku vazhdon aktivitetet patriotike, duke bashkëpunuar me miqtë e tij, prej familjeve me emër në qytet. Një ndër ta ishte edhe familja e Kristo Ramës, i cili u bë edhe vjehrri i tij. Eftalia, e ëma e Xhorxhit, ishte vajza e Kristo Ramës dhe Athina Trujës, familje shume të vjetra Durrsake. Kiço Koçi dhe Eftalia ndërtuan jetën në qytetin bregdetar, ku lindën pesë fëmijët e tyre, duke vazhduar aktivitetin tregtar e politik njëkohësisht. Pesë fëmijët e Kiços dhe Eftalisë u rritën në një ambjent të kulturuar e patriotik, sepse prindrit e tyre ishin të shkolluar në universitete të perendimit. Dy prej djemve të kësaj familjeje, Xhorxhi dhe Taqi Koçi u angazhuan me lëvizjen antifashiste dhe për këtë arsye, u internuan për tre muaj nga qeveria fashiste. U bënë pjesë e lëvizjes për çlirimin e Shqipërisë, por pa u përzier me idetë komuniste. Taqi Koçi ishte bashkë me shokët e tij, pjesë e bataljonit nacionalist, Besnik Çano, dhe shkojnë në Kosovë për të luftuar përkrah vëllezërve kosovar, atje ku u vra edhe një prej shokëve të tyre, Troplini. Do të ishte pikërisht ky moment, pra pjesëmarrja e Taqi Koçit në luftë përkrah vëllezërve kosovarë e kundër çetnikëve serbë, që do t’i kushtonte atij jetën.
Ishte data 17 dhjetor e vitit 1946, që do të kthehej, dita që për fat të keq, do ta ndryshonte përfundimisht jetën e familjes Koçi. Historia është rrëfyer nga Rita dhe Xhorxhi. Para se të ndaheshin nga jeta, Xhorxhi dhe Rita na kanë lënë të rrëfyer gjithë historinë e tyre të dhimbshme.
Më poshtë, publikojmë një pjesëz të vogël të këtij ditari, që tregon një nga momentet më tragjike të kësaj familjeje, festën që u përgjak nga diktatura komuniste.
Pjesë nga ditari i Rita Koçit, bashkëshortes së Xhorxhi Koçit
Ishte data 17 dhjetor 1946; komunistët arrestojnë vëllain e Xhoxhit, Taq Koçi, së bashku me shokun e tij, Tom Goga. Dy djem të qeshur dhe të rinj, që sapo kishin filluar të venin në praktikë ëndrrat për jetën e tyre. Brenda dy javësh, i nxorrën përpara gjyqit ushtarak (Kinema Esperia/ më vonë Iliria, në Durrës), megjithëse ishin civil, me kryetar të trupit gjykues Gjon Banushi, dhe prokuror Josif Pogaçe, (sebepi ishte për të mos likuiduar 1.6 miljon franga, që shteti i detyrohej Kantierit Privat Goga), dënohen me akuza absurde, qëllimi i këtij gjyqi të montuar pa logjikë dhe të paturp, ishte që mbasi të dënohej pronari, t’i merrej kantieri, në mënyrë që mos t’i paguhej borxhi që shteti i kishte. Pretenca e Prokurorit qe: 15 vjet burg për Tom Goga, ndërsa, pushkatim për vëllain e Xhorxhit, Taq Koçi, të cilit, përveç se akuzave të njëjta si Tomi, i shtuan edhe se kishte luftuar në Kosovë kundra vëllezërve Jugosllavë.
Kryetari i trupit gjykues, ndër të tjera, i tha: “Kosova është e Kosovarëve, Shqipëria e Shqiptarëve”. Sipas dëshmisë së njërit prej anëtarëve të trupit gjykues, Ahmet Luli, gjatë një pushimi të improvizuar, Bedri Spahiu, i cili u gjend në Durrës atë ditë, urdhëron që të dy të dënohen me vdekje, duke luajtur gishtin tregues të dorës së djathtë, sikur të shkrepte një këmbëz pushke. Pesë ditë rresht, familjarët më kot, orvateshin me taku Koçi Xoxën, por nuk i priti. Omer Nishani u premtoi, por nuk e mbajti fjalën. Më në fund, Bedri Spahiu u tha : <Për “Armiqt e Popullit” nuk ka mëshirë… Por plumb ballit!>.
Brenda javës, në mesnatën e 31 Dhjetorit të 1946, kur gjithë njerëzia po gëzonte duke festuar darkën e Vitit të Ri, dy djem të ri, vetëm 23 vjeçar, nxirren barbarisht jashtë burgut, për t’u pushkatuar pikërisht në atë moment. Përpara grupit të pushkatimit, djemtë të tmerruar, vetëm thonin: “ Po çfarë kemi bërë?” “Të paktën të dimë çfarë kemi bërë?”, dhe kjo, e treguar më vonë nga një pjesëtar prezent. Por përgjigjia ishte breshëria e shkarkuar mbi trupat e tyre, duke ua marrë jetën.
Këto ishin ndjenjat makabre të komunistave, makinacionet e të cilëve nuk mbaronin, të pangopur nga kjo, do gjenin mënyrën mbas kësaj ngjarjeje, të burgosnin Xhorxhin që atë kohë, ishte pa bërë 18 vjeç. Komunistët nuk do t’ja falnin rebelimin që ai demonstroi për pushkatimin e të vëllait. Dënohet dhe burgoset, me akuzën absurde : “Agjent Amerikan”. Dhe këtu, fillon kalvari i vuajtjeve të Xhorxhit në burg”./kujto.al