Tmerret e komunizmit: “Ja çka hoqi gjyshja ime franceze në kampet e internimit në Lushnje”

Nipi i Niko Lezos rrëfen për kujto.al, jetën studentore të gjyshit të tij në Touluse, dashurinë me vajzën franceze Odette, kontributin e gjyshit si inxhinieri që themeloi laboratorin e parë të kimisë në Shqipëri, internimin nga fashi stët për tri vjet…. dënimin nga regjimi komunist dhe natën e pushkatimit. Më tej, vijon kalvari i Odette në kampet e internimit në Lushnje. Një rrëfim i ndjerë i Daniel Lezos për fatin tragjik të gjyshërve të tij.

Nga Luljeta Progni

Odette Jules Taillet, ishte një vajzë e brishtë, e rritur me kujdes nga dy prindër të përkushtuar në një familje të mesme franceze në Touluse. Babai i Odette ishte rrobaqepës me origjinë belge, ndërsa mamaja e saj ishte infermiere në spitalin e qytetit. Odette do të njihej me një djalë shqiptar, i pashëm dhe i fisëm, student në universitetin e Touluses në Francë. Niko Lezo do të ishte fati i saj i bukur dhe gjithaq i dhimbshëm.

Prindrit e Odette-s e bekuan dashurinë e tyre dhe dy të rinjtë filluan të jetonin së bashku në qytet derisa Niko përfundoi studimet. Në gazetën e qytetit, është publikuar lajmërimi për martesën e Nikos me Odette, ndërmjet njoftimeve për çifte të tjera në Touluse që martoheshin atë ditë. Në njoftim përshkruhen detaje, emrat e të sapomartuarve, profesionet dhe adresa e shtëpisë së tyre.

Me mbarimin e studimeve Niko u gjend përpara një zgjedhjeje të vështirë, të shkonte me të Odetten dhe të zhvillonte profesionin e tij në Greqi apo të vinte në Shqipëri. Zgjodhën Shqipërinë. Por ata nuk e dinin se e ardhmja në atdheun e Nikos, do të ishte mjaft e trishtë.

E ka rrëfyer historinë e tyre, nipi i Nikos, Daniel Lezo. Më poshtë do të lexoni rrëfimin për jetën e gjyshëve të tij, në përgjigje të disa pyetjeve nga Kujto.al. Përmes emocioneve dhe dhimbjes, Daniel Lezo sjell detaje të dhimbshme të jetës së vështirë të Odettes në Shqipëri, sepse diktatura do ta shpallte shkencëtarin Niko Lezo, si armik të popullit dhe brenda pak ditësh do ta ekzekutonte.

***

Daniel Lezo

“Niko dhe Odette e zgjodhën Shqipërinë, ndoshta se në atë kohë kishte më shumë mundësi zhvillimi në profesionin e kimisë meqënëse nuk ekzistonte asgjë me parë. Çifti i ri u vendos në Tiranë. Pas pak kohësh, Niko krijoi laboratorin e parë kimik me aparatura të sjella me vehte nga Franca.

Puna si kimist nuk e pengoi të merrej edhe me aktivitete të tjera dhe inisiativa interesante siç ishte krijimi i një shoqërie për elektrifikimin e qytetit, ndërtimi i nënstacionit të parë elektrik në Tiranë, ku elektriciteti prodhohej nëpërmjet një motorri me karburant.

Punësoi një inxhinier gjerman qe merrej vetëm me atë nënstacion dhe u elektrifikua qëndra e Tiranes. Mbreti Zog, i cili kuptoi interesin e asaj ndërmarrjeje, pas pak e shtetëzoi ndërmarrjen dhe detyroi Nikon të merrej me diçka tjeter, siç ishte krijimi i SITA-s (Shoqëria që merrej me nxjerrjen dhe shfrytëzimin e karburanteve në Shqipëri, ku Niko ishte aksioner dhe drejtor. 

Prodhimi i një Sharre për të prodhuar lendë ndërtimi në Pyllin e Divjakës, pyll qe ishte marrë me konçesion nga shteti nga një ndërmarrje e krijuar prej Niko-s, ndërmarrje qe u shtetëzua pas pak, përsëri nga mbreti. Niko Lezo është ndër nismëtarët e mendimit për krijimin e Akademisë së shkencave.

Në gjithë këtë angazhim akademik, Niko Lezo pati kohe të merrej edhe pak me politikë kur u bë përfaqësues i minoritetit në parlamentin shqiptar. Niko Lezo ishte pjesë e grupit të deputetëve progresistë dhe për këtë arsye me sa duket, pati përplasjet e para me Ahmet Zogu-n, e mbase edhe zanafillën e gjithë “shtetëzimeve” që ndodhën me ndërmarrjet e tij ekonomike.

Gjatë gjithë kësaj kohe Odette, jetonte në “hijen’ e të shoqit i cili ishte gjithnjë nën dritat e reflektorëve për një aktivitet ose tjetrin, Odette ishte përkushtuar me rritjen e dy fëmijeve Elena dhe Vanko. Ndërkohë, ndiqte aktivitetet kulturore e takimet që organizoheshin në Tiranë nëpër përfaqësite diplomatike të shteteve të ndryshme si edhe në rrjetin e tyre shoqëror.

Internimi nga fashi stët

Me afrimin e luftes së dytë botërore, dhe krijimin e situatave gjithnje e më kritike e gjejnë Nikon të merrej eskluzivisht me laboratorin dhe familjen. E megjithatë kjo nuk i ndaloi italianët që me ardhjen e tyre në Shqipëri në 1939 ta merrnin Niko-n e ta internonin në Itali në Ventottenë për rreth tre vjet.  Nuk dihet nëse ky internim ishte si pasojë e pjesëmarrjes së tij dhe perfaqësisë progresiste në parlament apo sepse ishte një pjesetar i mirënjohur i minoritetit grek në Triranë.

Për tre vjet deri në vitin 1942 kur u lirua Niko nga internimi, Odette u detyrua të rriste e vetme femijët dhe të mbante shtëpinë hapur. Kthimi nga internimi në 1942 dhe ato vite megjithëse në lufte, ishin sidoqoftë vite të lumtura të ciftit Lezo me fëmijët e tyre dhe çlirimi i Shqipërisë në vitin 1944 i gjeti akoma të realizuar, gjë që edhe ndikoi në vendimin e tyre për të ndenjur në Shqiperi edhe pas luftës. 

Niko Lezo vendosi të rrinte, megjithëse shumë miq e shokë u larguan sepse gjithnjë insitonte që gjithshka e kishte ndërtuar në shqipëri dhe nuk kishte pse të largohej e të linte punët përgjysëm. Kjo ishte e vërtetë deri në vitin 1951, kur regjimi kishte nevoje për një demostrim dhe kishte nevoje edhe për një kimist që nevojitej të akuzohej si “prodhuesi” i bombës që u hodh në oborrin e ambasadës sovjetike.

Arrestimi i Niko Lezo-s, marrja në pyetje dhe pushkatimi i tij pa gjyq së bashku me ata që e shoqëruan në atë udhëtim të fundit, janë tashmë të mirënjohura, më pak e njohur është epopeja që kaloi Odette nga ajo shkëputje traumatike dhe vrasje aq sa makaber edhe e pa kuptimtë.

Odette

Deri natën e 23 shkurtit 1951, Odette jetonte me Niko-n dhe Vanko-n, sepse Elena ishte martuar ndërkohë me një inxhinier Italian. Ai kishte ardhur në shqipëri si i dërguar nga qeveria italiane për të ndihmuar në rindërtimin e dëmtimeve të luftës. Ai punoi ne projektimin dhe realizimin e urës së Rrogozhinës e cila shërbeu për më shumë se 50 vjet deri sa u krijua ura e re edhe për hekurudhën.

Në momentin që Niko u eliminua me dhunë nga kjo bote, Odette përveç dhimbjes së bashkëshortit të humbur, atij që e kishte sjelle në ato troje, u detyrua të përballonte peripecitë e internimit në Lushnje. Menjëhër pasi u pushkatua Niko Lezo,. Odeta bashkë me të birin Vankon u intrenuan në Lushnje. U lejuan të merrnin vetëm dy plaçka nga shtëpia e tyre në mes të Tiranës. Odette ishte e tmerruar. Ajo kishte frikë edhe për fatine  të birit Vankos, I cili në atë kohë ishte 23 vjeç. Sepse Odette këcënohej çdo ditë nga Sigurimi i Shtetit që nuk e lanë të qetë edhe pse i kishin vrarë bashkëshortin. Presionet e Sigurimit të Shtetit nuk e lanë kurrë të qetë./kujto.al

———————

Lexo edhe:

Rrëfimi rrëqethës i një të burgosuri në komunizëm: Pyesnim veten: “A do dilnim të gjallë“…

ObserverKult