Ai e pa axhën tim se me shumë vështirësi po merrte frymë e i tha: “O derr derri, a je duke vdekur” dhe i ra me shqelm gjujvet të axhës tim, kujton Gjoni, ndodhitë e dhimbshme të kampit të Tepelenës.
Kujto.al sjell historinë e përndjekjes së familjes Kadeli, siç e ka treguar Gjoni në librin “Saga e dhimbjes” të autores Fatbardha Saraçi Mulleti, botim i ISKK. Jetë të humbura, burgje, internime dhe dhimbje që përndoqën tri breza
Familja Kadeli është një nga ato familje që diktatura i dha të gjitha llojet e dënimeve, pa pasur asnjë faj. Jo të gjithë anëtarët e saj u mbijetuan internimeve dhe burgjeve dhe megjithëse Pjetri, që u dënua i pari, u arratis shpejt nga burgu, sërish koha e burgimit të të tjerëve, arrin në 43 vjet.
Historinë e familjes së rrëfyer nga Gjon Kadeli, i biri i Pjetrit, e sjell Fatbardha Saraçi Mulleti në librin e saj “Saga e dhimbjes”. Gjoni ishte ende fëmijë kur i arrestuan të atin e më pas, e dërguan bashkë me familjen, në Tepelenë. U bë dëshmitar, gjatë atyre viteve, i fëmijëve që humbisnin jetën nga shpërthimet e predhave. I foshnjave që mbyllnin sytë nga sëmundjet dhe nënave që varnin veten nga dhimbja. U bë dëshmitar edhe i tragjedive që prekën familjen e tij. Në kampin e Tepelenës, ndërroi jetë e motra, dy vjeçe, vajza e xhaxhait e së njëjtës moshë, dhe njëri prej xhaxhallarëve, Gjoka.
Gjoka dhe Zefi u arrestuan të dy, pasi i vëllai, Pjetri iku nga burgu në Kreshë. Ishte një nga ata që u kapën dhe u dënuan pas vrasjes së Bardhok Bibës. E arrestuan teksa po jepte mësim në shkollën e Shpalit dhe e çuan në burgun e Rrëshenit.
Familjen e internuan në Tepelenë. Pas një viti dhe i kthyen në shtëpi, por në këtë kohë, Pjetri me tre shokë të tij: Preng Vorfin, Ndue Dedë Laskën dhe Ndue Shkurt Prengën, përgatitën arratisjen nga burgu. Gjatë arratisjes, Ndue Shkurt Prenga u vra në dritare, Ndue Laska, u vra jo shumë larg burgut. Shpëtuan vetëm Pjetri dhe Preng Vorfi dhe u arratisën në mal. Ata ikën aq larg sa nuk mund të kapeshin, por familjet i kishin aty dhe regjimi do të hakmerrej me to.
Dy vëllezërit e Pjetrit i futën në burg: Gjokën në Porto Palermo dhe Zefin në burgun e Tiranës. Për Zefin, ishte fillimi i një dënimi 23-vjeçar që do ta kryente kryesisht në Burrel, ndërsa Gjoka nuk mundi të mbijetojë. Pas dy viteve izolim, në Porto Palermo, e dërguan në kampin e Tepelenës, ku ishte internuar pjesa tjetër e familjes: të moshuar, gra e fëmijë. Aty edhe ndërroi jetë.
“…axhën tim Lalë Gjokën po e mbante nana ime në prehnin e saj, sepse ai ishte në momentet e fundit të jetës. Rastësisht aty pranë kaloi kapteri i kampit që besoj se quhej Selfo, i cili mbante nën mbikëqyrje qetësinë në kamp. Ai e pa axhën tim se me shumë vështirësi po merrte frymë e i tha: “O derr derri, a je duke vdekur” dhe i ra me shqelm gjujvet të axhës tim”, kujton Gjoni, ndodhitë e dhimbshme të kampit të Tepelenës.
Duke qenë që nuk kishin mbushur ende 14 vjeç, Gjoni dhe i vëllai përfituan nga falja dhe shkuan të banonin për pak kohë, në shtëpinë e tezes në Rrëshen, nga ku, një mik i besuar i familjes, e shoqëroi për në kufi, ku e priste babai dhe të dy u arratisën në Jugosllavi. Përndjekja do të vazhdonte më pas, mbi më të riun e familjes, vëllanë e Gjonit, Gjetë Kadelin, i cili vuajti 16 vjet në burgjet komuniste, në Burrel, Spaç etj..
Burgun e provoi në moshë të madhe dhe xhaxhai i Pjetrit, Marka Ndrecë Kadeli, për një vit. Të gjatë, të dhimbshëm dhe në kampet më famëkeqe ishin dhe vitet e internimit për familjen Kadeli. E ëma e Gjonit qëndroi plot pesë vjet në Tepelenë, ndërsa një pjesë u lirua pas dy vitesh.
Dyzet vjet më vonë, kur babai i Gjonit, Pjetri, u kthye atje për të kërkuar eshtrat e së bijës, mbesës dhe të vëllait, nuk gjeti asgjë.
Nga Gjoka, kanë mbetur si kujtim i fundit në mendjen e Gjonit, çastet kur axha jepte shpirt dhe kapteri e gjuante me shqelma në gjunjë… A.Çano/kujto.al
ObserverKult
Lexo edhe:
SI U TORTURUA SHOQJA E NEXHMIJE HOXHËS, HATLIJE TAFAJ, DERISA U ÇMEND DHE U…