Tmerret e komunizmit: Skënder Dume rrëfen punën në kampin e vdekjes të Vloçishtit

Skënder Hasan Dume, lindur në vitin 1912 në Starje të Kolonjës, me profesion nëpunës, ish sekretar në Nënprefekturës së Kolonjës, u arrestua më 22.12.1944. U përfshi në një proces ku ishin edhe 7 persona të tjerë. U akuzua në bazë të neneve 14, 15, 18, të ligjit nr.41, datë 14.1.1945, si ish anëtar i Ballit Kombëtar. Këshilli Gjyqësor Ushtarak i Kolonjës (pjesë e Gjykatës Ushtarake e Korparmatës së 2-të), e kryesuar nga Nexhat Dishnica, me pjesëmarrjen e prokurorit Çome Vodica, me vendimin nr.1, datë 28.5.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim e konfiskimin e pasurisë. Nga ky proces, Dervish Kurtesi, Ahmet NokuQemal BurimiIbrahim Noku, u dënuan me vdekje. U lirua me amnisti më 28.12.1949.  Dume u arrestua për herë të dytë më 21.2.1951 me rastin e hedhjes së dinamitit në legatën sovjetike në Tiranë. Emri i tij gjendet në listën e rreth 170 të arrestuarve me rastin e kësaj ngjarjeje. Skënderi gjeti rastin dhe u largua nga paraburgimi në Tiranë, duke u arratisur nga Shqipëria. Me kujtime të freskëta nga Shqipëria, ai realizon një rrëfim mjaft interesant për kampet e vdekjes në Shqipëri, Vloçishtin dhe Bedenin, të cilat u botuan në gazetën “Flamuri”, nr.17-18, maj-qershor 1951. Pjesa e parë e rrëfimit lidhet me nisjen e një dite pune në kampin e Vloçishtit, i cili ishte një nga tre kampet që shërbyen për tharjen e kënetës së Maliqit.

Rrëfimi me titull “Kampet e vdekjes në Shqipëri”

Kam patur fatin e zi të vuaj 5 vjet në burgun e Korçës dhe gjatë kësaj kohe kam punuar n2 vjet në kampet e ndryshme bashkë me mijëra të burgosur dhe nga të 10 burgjet që ndodhen sot në vendin tonë. Gjer në fund të vitit 1949 në gjithë Shqipërinë ndodheshin 10.000 të burgosur politikë, pa llogaritur ata që janë arrestuar më vonë dhe sidomos me rastin e ngjarjeve të fundit. përveç këtyre, mijëra të burgosur të tjerë ndodhen edhe në burgjet ordinere, të dënuar për shumë vjet pasi nuk kanë plotësuar planin e shtetit në bereqet, mish, vezë, lesh, bimë industriale; të tjerë të mërzitur nga puna e rëndë në ndërmarrje të ndryshme dhe nga rroga e paktë, janë larguar pa leje; një pjesë e konsiderueshme janë dënuar për sabotime. Të burgosurit që ndodhen sot në Shqipëri formojnë divizionesh punëtorët të detyrueshëm.

Në pranverën e vitit 1948 në kampin e famshëm të Vloçishtit të Korçës që u emërua nga ne si “kampi i vdekjes”, u mblodhëm 1200 të burgosur nga burgjet e Korçës, Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, 90% e të cilëve ishim për faje politike. Shumica e këtyre ishin avokatë, profesorë të shkollave të mesme, mjekë, studentë, ish oficerë eprorë, ish nëpunës, tregtarë, priftërinj katolikë, hoxhallarë dhe baballarë bektashinj. Banesën e kishim në disa baraka, ku shiu i tërë nga hynte nga brenda. Për fjetje kishim vetëm nga një batanije, pasi na thanë që për mungesë automjetesh, nuk mund të merrnin tesha të tjera. Si ushqim na jepnin makarona nga më të këqijat dhe në verë kunguj e speca. Por në 10 veta nuk mund të mbushje një lugë me makarona. Pjesa tjetër ishte ujë i ngrohtë. Të 1200 vetat kishim si racion 4 litra vaj në ditë, ndërsa secili nga 600 gram bukë misri. Në mëngjes një ujë të ngrohtë, pa sheqer në vend të çajit. Ky ishte ushqimi special që na mburrte drejtori, në bazë të të cilit duhej të tejkaloheshin normat e caktuara e të jepnim rendiment më tepër për ndërtimin e vendit. Njëkohësisht kjo ishte një provë e re se ne ishim penduar për fajet e kryera kundër komunizmit.

Në orën 3.00 të mëngjesit na bënin zgjimin dhe deri më 4.30 pastroheshim, hanim mëngjesin dhe përgatiteshim për punë. Gjatë kësaj kohe, një mjek i burgosur bënte vizitat në të sëmurët që arrinin 300 veta. Mirëpo raporti i tij nuk pinte ujë se policët Skënder Xhemali dhe Vaskë Deshiri duhet ta vërtetonin (miratonin-shënim).

Nga të 300 të dënuarit, vetëm 10 mund të mbeteshin, të tjerët me dru i nisnin në punë, pavarësisht se shumë prej tyre ishin me temperaturë 40 gradë. Në ora 4.30, në rresht, me vegla në krahë, niseshim për punë, të zbathur. Mbasi gjithë rruga që do bënim ishte  kënetë dhe e mbuluar me ujë dhe kallama, policët, të cilët ishin të veshur me çizme llastiku, na bërtisnin dhe na goditnin me dru për të ecur më shpejt, sepse kalonte orari i punës. Merreni me mend se si ne, të pamësuar me vuajtje të tilla, na shpoheshin këmbët nga kallamat dhe na rridhte gjaku. Ata që ishin në moshë më të kaluar, mbasi nuk ecnin dot shpejt, rriheshin më shumë. ne nuk guxonim në sytë e policëve t’u jepnim dorën ku binin se na rrihte polici Bejçe Belushi.

Puna fillonte në ora 6.00 dhe mbaronte në orën 18.00, duke pasur një pushim prej 30 minutash vetëm në drekë. Gjithë puna për çeljen e kanalit të Dunavecit ishte në ujë. Domethënë do punonim tërë ditën në ujë e në baltë të zbathur. Në ora 19.30 ktheheshim në kamp duke nxituar me vrap, gjithë baltë e ujë të lagur. Aty detyroheshim të prisnim dy orë për të dëgjuar rreshter Vaskën dhe polic Skënderin që na mbanin konferencë dhe vetëm në orën 22.00 pushonim. Merreni me mend se sa të lodhur dhe të drobitur ishim! Por kujt t’i ankoheshim? Askush nuk na dëgjonte, veç Zotit. Me gjithë këtë, nuk përuleshim dhe rezistonim./Kujto.al