Si vdiq e si u varros fëmija 3- vjeçar?
Mlikajt ishin një shtëpi bejlerësh, ndër më të pasurit e Lezhës në vitet ’30 dhe fillim të viteve ’40, por me t’u vendosur regjimi komunist, u vunë në shenjestër. Babai i Kydretit u arratis për t’i shpëtuar dënimit dhe nga ky çast, do të nisnin vuajtjet për familjen. Kydreti kishte një moshë që kujton gjithçka nga sekuestrimi i pasurisë, nga endja me një grusht plaçkash, nga një vend në tjetrin dhe mbi të gjitha, nga kampi i Tepelenës, ku qëndroi dy vjet. Çdo ditë ngarkohej me dru dhe hante përshesh me lëng kazani, por të gjitha i ka hedhur pas krahëve, veç vdekjes së vëllait 3-vjeçar në atë kamp, ku për drejtuesit dhe policët, një tezgë vlente më shumë se një jetë fëmije…
Dëshminë e gjeni të plotë, si më poshtë:
Si ka nisur historia e persekutimit të familjes suaj?
Baba iku në Jugosllavi më 25 dhjetor, të ’50-ës. Sa iku baba, pas 10 ditëve, lindi djalin nana. Të pasnesërmen pasi ka lindur nana djalin, kanë ardhur na kanë marrë të tëra çfarë kemi pasur në shtëpi. Pasi i kanë shkruar i kanë lënë nanës gjoja pajën: një arkë të madhe dhe dy dyshekë e dy jorganë, kurse ne të tërëve: nga një shilte, nga një jorgan, nga një batanije dhe nga një jastëk, edhe ndërresat që kishim.
Nuk shkoi shumë, dhe na nxorrën nga shtëpia dhe morëm në gjysmë të kamionit, më shumë dru se tesha, edhe erdhëm në Shkodër. Kur erdhëm në Shkodër, shkuam te halla. Prej aty, morëm shtëpi me qira, te familja e Skënder Rrojit, familje e mrekullueshme. Na kanë dashtë, na kanë avit, as kishin frikë, as hiç. Ishin katër djem të mrekullueshëm. Atëherë, edhe unë isha e re. Mbasi ndenjëm aty, më arrestuan vëllanë e vogël. Ka qenë te të 18-at.
Me çfarë akuze?
Me demek falsifikim dokumentesh, se punonte në arkë të kursimit. Pastaj kur e dënuan, tre vjet për atë (akuzën e falsifikimit të dokumenteve) dhe katër vjet që ke ndjek babën. Ai babën nuk e kishte ndjekur hiç.
Përse u arratis babai?
Baba kishte shkuar për festa, për Kërshëndella. E kishin ftuar dhe s’u kthye më, pse atij ia kishin vënë syrin një vit para sepse ne ishim të prekur, bejlerë, kishim toka shumë. Vaini ishte krejt i yni. E mori shteti me të tëra, edhe na bënë kulakë; një kushëri e pushkatuan; baba iku me frikën mos e arrestonin dhe atë sepse të them të drejtën shumë ikën, prej frikës më shumë. Mandej pas një viti, ka ikur kushëriri prej Mlikajve, edhe ai u arratis. Në Jugosllavi, baba ka ndejt’ 17 vjet. Mandej pas 17 vjetëve, baba vdiq.
Çfarë ndodhi me ju më pas?
Tani ne erdhëm në Shkodër në familjen e Rrojve. Datën nuk e mbaj mend, veçse e di se nëntor ka qenë kur kanë ardhur për të na internuar. Erdhi makina edhe thonë: “Jeni për internim…Dokumenti”. Vëllai, i madhi, ishte në Lezhë, punonte në bankë. Atë, fill prej banke, e kapën, e futën në Degë. Ne erdhën, na morën: nanën, me motrën e vogël, ishte 5 vjeçe a 4 vjeçe edhe djalin e vogël. Hipim në makinë. Na çuan në Lezhë, në Degë.
Ne rrinim në shkallët e apartamentit, s’e harroj kurrë. Kishim një bishtuk, i themi, pak dritë jepte ai, me vajguri. Kur donim të kryenim punët tona, nana delte gjithmonë me rroje, kurse ne fëmijët na mbyllnin nën shkallët e Degës së Brendshme. Ajo shkallë nuk kishte lëvizje, as ajo derë se kishte shkallë të tjera.
Ne na lanë aty, ndenjëm një javë. Pas një jave, na thanë për të ikur me det dhe na çuan në Shëngjin: nanën me fëmijët edhe ato shiltet, ato jorganët që kishim me vete, edhe do tesha që kishim marrë me vete. Shiu ka filluar që aty dhe nuk ka pushuar një javë rresht. Kemi hipur në anije e na kanë çuar në Durrës. Në Durrës, në Degë të Brendshme. Me vëllanë nuk jemi takuar hiç se edhe vëllanë e kanë mbajtur një javë pa u takuar me ne. Edhe aty, në atë anije, pa u takuar me ne. Kur shkuam në Durrës, po ashtu, e ndanë prej nesh. Ne, më fal, na çuan në WC-në e madhe, për burra.
Ishte gjysma xham, gjysma ishte dërrasë. Vunë tri dërrasa të mëdhaja për të fjetur ne se flihej në çimento. Ata vinin aty, shihnin familje. Nana zgjuar e shkreta, por ne kishim rënë aty te nana për të pushuar.
Të nesërmen, në mëngjes herët na thanë për të shkuar me tren. U nisëm e shkuam në Rrogozhinë. Zbritëm, pritëm sa erdhi një makinë për të na marrë. Erdhi një makinë edhe aty në Rrogozhinë e na mori, makinë e mbuluar, si ushtarake, por kishte dhe pasagjerë të tjerë. Kur shkuam në Vlorë, na çuan prapë në Degë. I hapëm ato teshat, ishin bërë ujë…në një vend…ku janë bërë mbledhjet. Të nesërmen në mëngjes pastaj na kanë marrë e na kanë çuar në Tepelenë.
Si e kujtoni kampin e Tepelenës? Çfarë gjetët në atë kamp?
Ka qenë terr, aksham. Hymë brenda, kazerma, 400 veta në një kazermë. Kazermat i keni parë dhe në televizor, që kemi fjetur kokë më kokë. Kush ishin me fëmijë të vegjël dhe kush ishin pleq ose të sëmurë, i linin poshtë. E kishim të shtruar një pëllëmbë. Edhe lart kishim një binar dhe një dërrasë sipër ku vinim teshat. Nën të, ishte e hapur. Ditën i mblidhnim, natën i hapnim ato teshat, jatakun ku flinim.
Mundoheshim të gjenim pozicionin: domethënë nana të ishte afër një gruaje, ne fëmijët midis, vëllai afër ndonjë burri…se ishte kallaballëk aty. Me dy stufa, kur ishte dimër, se ishte ftohtë, një në fillim, një në fund, me roje kuptohet, për të shkuar për t’u ngrohur gjoja. Thoshta nana e shkretë: “mos shkoni moj nan’, se është kallaballëk, rrini këtu te unë”. Na mbulonte.
Ne, pas dy ditëve: mua, me gjithë këta të tjerët, por unë isha e reja aty që kisha filluar, 14 vjeç e gjysmë kam qenë, me muaj fiks, na kanë çuar në mal për të bërë dru edhe numërimin na e bënin te ura e Tepelenës, ku ishte lumi Vjosa, një rrugë shumë e ngushtë, vetëm një person mund të kalonte, këtej ishte vija e mullirit…punonin me mulli atëherë. Ngjiteshim lart në mal, tri orë rrugë, të tërë bashkë. Aty kam pasur shoqe Nush Topallin, do me thënë Suzana Topalli, halla e burrit të Jozefinës, edhe Kaleshët, Ndreajt që janë dibranë, Camajt, Merlikajt e Krujës, (vajzat e) Hasan Dostit, të Abaz Kupit, Bajajt, Gjonmarkajt (i përmend pas intervistës), kemi pasur plot, nuk di t’i kallëzoj se kemi qenë shumë, por këto që ishin shoqet e mia, i mbaj mend.
Familja juaj pësoi një tragjedi gjatë kohës që jetonit në kampin e Tepelenës
Vëllai ishte tre vjeç në atë kohë. Atë skenë nuk do ta harroj sa të vdes. Ishte skena më e vështirë. Të tëra ia bëj hallall babës…edhe këta ia bëj hallall, edhe pse kam punu e kam vuajtur, e më ka shkuar rinia në terr…Kur na vdiq, djali ishte si molla edhe shëtiste nëpër atë oborrin, shumë i shëndoshë.
I thotë nana, drejtorit: “A ka mundësi, t’i bëj një vizitë se e kam me temperaturë këtë djalë?” “Jo, jo, s’ka gjë”, thotë. Ka qenë e diel.”Nuk ka kurrgjë”. Në rregull! Të hënën, unë dola në punë, me të tërë shokët, të bënim një metër kub, kishim normën. Burrat prisnin drutë, edhe ne i rreshtonim me metër kub. Mandej, ngarkoheshim. Edhe më thotë djali kur shkova: “Merr lule.” Në mal, demek, këput ndonjë lule. “Po, po”, i thashë unë. Duke ardhur të hënën, të ngarkuar edhe një herë, plus normës që bënim, duhej të ngarkoheshim me dru e me ardh’ te ajo rruga me kujdes, se nxinte vetëm një njeri. Kur shkoj në shtëpi, thonë: “është një f’mij tuj dek”.
S’më shkonte mendja, se ishte i shëndoshë ky, fëmijë i bukur, i mirë. “Hë moj nënë?”- them unë. “Mos bëj zë, -thotë,- se vdiq djali, por mos u ndi se do ta çojnë djalin mbasandaj në kazermë dhe s’ka njerëz atje brenda. Po unë i thashë: “ala s’ka dek” dhe po e mbaj të mbuluar që të ma lënë djalin këtu”, por me qa, jo. Ishin Bajajt, ishin familje shumë aty. Vdiq djali. Të nesërmen, me e fut në dhe. S’kishim ne, veçse çarçafë. Thotë një mirditore: “Kam unë, beze”.
Edhe e mori ajo, e lau se zakonisht meshkujt i lajnë burri, femrat, gruaja. “E laj unë, tha kjo, është engjëll ky, i vogël”. E lau, e lidhi te kembët, te kryet, si e kemi ne dhe e vuri përmbi tezgë. Kur e vuri në tezgë, do ta çonin tash…Thotë nana: “A bën me ardh edhe unë me e çu?” Se fill pas rrethimit që kishim telat me ferra, me gjemba, të gjata, aty ishin, më fal, WC-të, që ishin për të tërë.
Pas WC-ve, kishin hapur një gropë. “Jo, thotë, kurrkush! Vetëm do vij ky.” Një infermier që ishte, Haziz Ndreu, e kujtoj mirë edhe një fshatar prej Lezhe. “Këta të dy, thotë, ta marrin.” Se vëllai që ishte me ne, që u internua, e lanë pak kohë dhe e çuan në Tiranë, në fabrikë të tullave…nja tri makina me të rinj.
Kur e varrosën djalin, i thotë ky burri: “A ka mundësi t’ia vëmë këtë tezgën sipër?” Se në tokë krejt, “t’i vëmë tezgën”. “Në asnjë mënyrë, se na duhet tezga”, thotë polici. Policë ishin dy. Edhe i vunë ferra djalit, që na kallëzonte ai, ferrë-kuqe. Ferra edhe dhe sipër. Ajo skenë atje, me atë fëmijë, nuk më harrohet. Edhe nanës kuptohet, se i dhimbte edhe më tepër nanës se mua…
Si ushqeheshit në kampin e Tepelenës?
Ne të dielën, që kishim ditë pushimi mbanim dru për t’ua çuar racionet që kishim marrë nga një metër kub, se furnizonim Degën e Brendshme me dru, të tëra ne të rejat, të rinj çfarë ishim, të ngarkuar. Ua çonim nëpër shtëpi. Edhe merrnim nga një bohçe me metrazhe që kishte hyrë në atë kohë.
E merrnim, kur shkonim për të çuar drutë, edhe blinim djathin, gjizën me ato copat. Thoshim: “A t’jua shes me ndonjë lekë, lirë, sa për të blerë një fije sheqer?”, se atë ushqim nuk mundeshin ta hanin, as motra, as djali, se ishin të vegjël. Kurse ne merrnim racionin njëlloj, si i madh, si i vogël, edhe bukën njëlloj. Nana s’e hante. Unë shkoja, merrja, sa vija nga puna, edhe pasi kishte vdekur djali…Uuhf, veç Zoti na ka mbajt! E përzienim kazanin, domate, speca, patëllxhanë, oriz, bullgur, makarona, çfarë ishin, edhe i merrnim. Të betohet Kydreti, atë kam ngrënë.
As kam pasur veshka, as kurrgjë. Motrën, që e kam parë si sytë e ballit, se kishte 11 vjet gati diferencë me mua, mbasi vdiq ky djali, sytë te kjo vajza i kishim, kësaj nuk i jepnim se kishte vështirë… Ajo vdiq me ato veshka të shkatërruara. Mua asnjë send. E lija të kullonte në fund, merrja atë lëngun, e bëja përshesh. Bukë 900 gram kishe në ditë. Nana thoshte: “U më rraftë pika, s’mundem me të pa”.
Ju vizitonte ndonjë i afërm në kamp?
Në Tepelenë nuk ka ardhur kurrkush me na pa. Një axhë ka ardhur, që ishte plak, vetëm një herë.
Gjatë kësaj kohe, nëna juaj u aksidentua
Nana u rrëzua se kishim çimenton për të shkuar në kazermën tjetër, 30 cm më lart. Nana, natën, se i kishim larg WC-të, kujtoi se ishte drejt dhe ra dhe plasi kockën, edhe u dëmtua, me sa duket në kolonë, por për kolonën e kemi marrë vesh vonë.
Pas Tepelenës, ku ju çuan?
Mandej, pas vdekjes së vëllait, erdhën tri makina për të na marrë ne. Kishim dhe dy gjermane me vete, që ishin të dyshimta, që i kishin prurë në internim. U thotë nana: “Ku po i çoni? Që ta dimë të paktën ku janë”.”E dimë ne, ku i çojmë!” Nana më thoshte mua aty te gardhi: “Fytyrën… Ruaj fytyrën”.
Mos më turpëro me demek se kush e dinte ku po na çonin. Unë qaja, qaja… E nejse…U nisëm. Na çuan në fabrikën e tullave në Tiranë. Kam punuar me turne aty, unë me të gjithë…Gjeta dhe vëllanë. Vëllai nuk më njohu, punë muajsh, nuk më njohu. Isha dobësuar, e re kam qenë, e shkurtër kam qenë gjithmonë, me ato teshat në krahë. “Uu, -thotë,- Kydreti.
Po ty moj të kanë prurë? Po nana?” “Nana, atje,- them,- me motrën.” Pastaj aty kam ndenjur me Gjosho Vasinë, me Karlet Lukën, me babën e këtij Lukës, plot kemi pasur, shkodranë e gjithfarësh. Të tërë njerëz të mirë, familje të mira.
Deri kur keni qëndruar aty?
Aty, për Zotin, nuk di çfarë muaji ka qenë. Pa bërë dy vjet tamam, kam qenë në Tepelenë, pastaj kam shkuar në fabrikë të tullave. Aty mandej, erdhi lirimi. Erdhën të na lironin disave. U thirrën emrat. Na thirrën në atë fushën e madhe. Thirrën emrin. I parafundit kishte qenë emri im.
Vetëm imi: Kydret Mlika. Ata të tërë: “Rroftë partia!”. Se gjithkush kishte gëzim që dolën, kapërcenin njëri-tjetrin. Unë me Gjosho Vasinë dhe një lezhjan isha, dola duke qarë. “Po çfarë ka që qan?” Të tërë gëzoheshin. “Pse qan, thotë, ti moj vajzë?” I thotë një shkok i vëllait: “Qan se nuk u ka dalë emri as nanës, as motrës, as vëllait. Ku me shku kjo?” “Nuk kam ku shkoj”, i thosha vëllait.
E kisha mbështjellë me krahë. “Unë do rri me ty,- i thosha,- nuk kam ku shkoj”. Isha e re. As shtëpi, as katandi, as kërrkënd. Te axha do shkoja. Me axhën ishim ndarë 15 vjet përpara, por megjithatë faleminderit atyre, më kanë dashur, janë munduar boll. Atëherë u lirova me Gjoshën, Gjosho ndaloi në Lezhë… Aty mandej, ka ardhur dhe më ka marrë axha edhe kemi shkuar pas kalasë, ku kishim shtëpitë.
Më ka mbajtur axha 9 muaj. Vëllanë nuk e liruan. Nanën me motrën pas një jave, se s’kishin makina. Nana donte të nxirrte varrin e vëllait, të merrte eshtrat. Kishte një arkë të vogël, donte t’i fuste aty. Edhe i tha një zotëri, prej Shkodre, me mbiemrin Baja: “Nurije, thotë, toka e Zotit, është gjithkund. Pse t’i marrësh me vete eshtrat? Mos ia luaj, se gjynah.”
E nana e shkretë…po të ishte e dënuar, s’do kishte mundur t’i merrte, por u liruan. E kur e pashë nanën, se erdhën pas një jave mandej…shendi im, se më erdhi nana. Vëllai mbeti në internim. Atëherë unë kam punuar në NSHN. Shkuam në Degë të Brendshme, u paraqitëm.
Na gjetën një dhomë poshtë, në pazar, si i themi ne, në qytet. Kërkova punë, të hyja në punë, të me merrnin në punë. Më caktuan në NLN. NLN i thoshin NSHN-së. Unë thashë punë e mirë se s’e kisha dëgjuar këtë emër. Te kryetari direkt shkova. “U faleminderit shumë prej jush, thashë, që ma gjetët këtë punë.” Kur më thonë ata jashtë: “Po a e di çfarë është? Ndërtim.”
“Po pse s’e kreva dënimin unë? Unë boll kam punuar atje.” Erdha pastaj, fillova punën, e kam punuar në Komitet të Lezhës, vetëm unë, qytetare dhe një fshatare kisha me vete se Lezha e vogël ka qenë atëherë. E kam punuar aty, një vit. Mandej, nëna e sëmurë. Nëna, nga rrëzimi ishte dëmtuar në kolonë. Ka vuajtur nëna shumë. Mblidhja sherebelë, kur lija punën, punoja gjithë kohën veç të mblidhja lekë që të shkonte nëna të takonte vëllezërit. Na kishin mbetur dhe gjëra të arta, me thënë të drejtën, se këto të tjerat, të tëra shkuan.
Nana shkonte takonte këtë vëllanë në burg. Kur na çoi fjalë vëllai, na bëri telegram: “Nanë, tha, janë duke m’u qorruar sytë. Jam në Burrel”. Atëherë hoqi nëna një varëse, e kishte shumë të mirë. E shiti. Më lirë, kuptohet, se shpejt e shpejt. I mori paratë. Bleu gjilpëra, ushqime, gjëra, shkoi takoi djalin në Burrel, vëllanë. Kur shkoi atje, nuk e lanë me u taku. Me mundime, nuk e di si e gjeti mënyrën…”
Kur më ka dalë, tha nëna, prej birucave, ishte si skelet, shkrirë, dobësuar krejt”. Edhe i la ato ushqime, sa e pa me sy, as me fol, as kurrgjë. Kështu i kaloi jeta. 7 vjet (burg) bëri. Ai kur ishte në burgje, i rrihte këta spiunat, “por ata nuk zhduken”, i thoshim, kur shkonin në takim. “Shiko mor shpirt, i thoshte nëna, spiunët nuk zhduken, ata janë tërë kohës, prandaj ti po shkatërron veten”. E përfundoi që përfundoi në Burrel. Mandej e kanë çuar prej Burrelit, në kamp prapë, në Bulqizë. Mandej prej Bulqize, u lirua. Por u lirua pasi dolëm ne.
Me vëllanë tjetër çfarë ndodhi?
Kur punova në ndërtim, vëllanë e kishin çuar nga Tirana, në Lushnjë: në Savër, edhe në Plug. Më thotë vëllai: “Ne na kanë çuar në Savër, edhe jam shumë mirë, në krahasim me Tiranën, fabrikën e tullave” se në Tiranë ishin me policë, si të burgosurit. Na linin me u taku, në takim te dera. Një herë na ka ardhur një djalë halle, sa më takoi dhe iku i shkreti, sa me fol, me lanë një valixhe me do tesha…
Prej aty ne mandej i thamë nanës: “Shiko, nuk rrihet moj nanë”. Unë në ndërim, lart atje në Shehër, vajzë e re, duke u ngjitur, duke u ulur. Të betohem kur dilja në punë, vija një shami, mbulohesha, që mos të dukesha. Edhe isha me tesha ushtarake biles, na kishin dhënë bluza të mëdhaja, e më bëri dhe pantallona dhe fund, nëna, e qepi me dorë. Me këto bluzat më bëri një xhaketë të shkurtër.
Edhe kalonin: “Po kjo këtu, çfarë do?” Se më nxirrnin në mes të rrugës, për të hequr copa tullash që vinin grumbull, që mbeten mbeturinat që thyhen prej makinave. Dikush thoshte: “Është e internuar”. “Mirë e ka. Aty të rrijë.” Dikujt i vinte keq: “Gjynah. E bija e kujt është? Vajzë e re, me punu në ndërtim.” Nga i gjithë fisi, vetëm unë isha në punë. Atëherë i them nanës: “Shiko, unë më, nuk rri këtu. Unë po marr motrën. Ti je e sëmurë. Ne po bëjmë kontrolle pas kontrollesh”.
Filloi nënës t’i dhimbte kolona, po i dhimbte shumë. Shkoi nana në Tiranë. I thanë: “Do të përfundosh në Vlorë, në spital të Vlorës”. I them nanës: “Po marr motrën me vete, po shkoj unë në Lushnjë te vëllai” se të lejonin të merrje familjen me vete. “Po rri me vëllanë në internim. Ata shokët, shoqet e mia janë, që kam qenë me ta.”
Edhe këtë punë bëra unë, mora motrën. Më çoi axha deri në Lushnjë. Nëna filloi u paralizua dhe e mbajtën te halla ime, tre muaj. Prej aty, mandej, e çuan në Vlorë, në spital të Vlorës, kur ne ishim në Plug. Ndejtëm sa u lirua vëllai. Unë si e internuar, veçse s’kisha apel, se me ata rrija, punonim, në ndërtim, në bujqësi, vilnim pambuk, të tëra këto punë i kemi bërë.
Ditë të diele, bënim dru për t’i pasur në shtëpi, për të bërë për të ngrënë ndonjë send se këtu nuk kishim gjellë gati. Rrogën e merrnim, sa punonim e merrnim në fakt. Lejonin të mbanim ndonjë bagëti, kush ka mundësi, po ku kishim ne lekë me marrë bagëti e me mbajt gjëra? U lirua vëllai, shkuam takuam nënën në Vlorë, e paralizuar ishte e shkreta. E re ka qenë 40 e ca vjeçe. Atje, edhe vëllai, edhe unë, edhe motra thamë: Po shkojmë në Lezhë. Vëllai, kur mbaroi dënimin, e liruan. Kishte tre vjet dënim. Kursë këta: pesë vjet! Ua shtonin nga pesë e nga pesë dënimet. Edhe i kam lënë ata unë, ou sa vjet kanë ndenjur!
Si jetuat në Lezhë?
Na qëlloi një grua shumë e mirë, s’e harroj, ajo ka vdekur, dritë pastë! se ka qenë katolike, e shkreta. Tha: “Na lekët, shkoni. Kur të keni lekë, do m’i çoni. Po patët. Nuk keni, s’ka gajle.” Tani, çfarë të shisnim nuk kishim. Filluam punën motër e vëlla. Unë me motrën te axha, vëllai në fabrikë të tullave në Shkodër. Kam ndenjur 9 muaj.
Përditë dilja në punë. Punoja në sherebelë. Kur më binte aty shkurtimi, e para unë, emrin: Kydret Mlika, më kanë çuar në grumbullim, kallamboq e çfarë kishin këta. Edhe i them vëllait: “Çfarë të bëjmë? Hajde këtu se në Shkodër s’kemi pse shkojmë”. Një kushëri i yni na dha një haur pulash.
Ndenjëm sa ndenjëm aty, erdhi nëna prej Vlorës, pas një viti e gjysmë u bë më mirë, u shëndosh. Erdhi nëna për një muaj, te ai haur aty. Gjysma ishte me kalldrëm, gjysma me dërrasa. Na u duk si me qenë pallat. Edhe vëllai që kreu ushtrinë, i madhi, erdhi. Edhe vëllai tjetër, u lirua. U mblodhëm të gjithë bashkë. Mandej prej aty, kemi shkuar në Shkodër, edhe një herë. Te Sokolajt kemi ndenjur.
Aty u fejova. Aty më fejoi vëllai. Do merrnim njëri-tjetrin se s’më merrte kush tjetër mua. U fejova me Xhimshit Kazazin, zotni i zotnive, ka qenë zotni që e ka nderuar gjithkush. Kam gjetur tri kunata, zonja të mrekullueshme. Kena shku a me qenë motra, a me qenë kunata mos me e diktu. Jetime kanë qenë, me këtë vëlla të vetëm, tri motrat. Iu vdiq baba i ri, nana iu vdiq 50 e ca vjeçe.
Në shtëpinë e tyre kanë vrarë Sait Kazazin, në atë dhomë ku unë kam ndenjur edhe vjehrrën e kanë futur në burg. Aty u martova në këtë familje: tre fëmijë kam se një më ka vdek dy vjeç. Djalin e kam të mrekullueshëm, nusen, ka katër fëmijë. Vildanen, edhe këta ndër Gushtajt, familje e prekur, shumë të mirë. Edhe tjetrën ndër Hotajt, edhe ata familje shumë të mirë. Jam pleqëri e lumtur.
A i keni ndeshur në vitet e demokracisë, persekutorët tuaj? Si keni reaguar?
Nuk u kam folur hiç, kam shkuar në punën time. E di që unë kam vuajtur prej tyre, i dinë dhe ata vuajtjet dhe hallet e mia. Unë kam shikuar punën time, punëtore kam qenë tërë jetën. Ata, i gjykoftë Perëndia, i gjykoftë Perëndia! Por unë kam një gjë që jam nënë e lumtur…djalin, vajzat , dhëndurët, nipa, mbesa, edhe shpresoj nuk kanë për ta hedhur mundin poshtë, mua dhe babës së tyre.
Keni një masazh për fëmijët tuaj dhe brezat më të rinj?
Mos me i harru vuajtjet e mia se unë, me thënë të drejtën, nuk ua kam kallëzuar kurrë jetën time, fëmijëve që mos t’i mërzis, mos t’i egërsoj me të tjerët sepse unë shumë i përshëndes sot prej hallit, sepse çfarë ka kaluar, ka kaluar tani. Kam vuajtur unë, fëmijët mos të vuajnë. Në fakt, këta, boll mbiemrin që kanë pasur, e kanë vuajtur, daç vajza ime, djali, vajza tjetër, nipat e mbesat nga burri, që kanë qenë të mrekullueshëm, me shkollë, por nuk kanë pasur të drejtë studimi. Të gjitha prej nesh i kanë pasur, unë prej babës e këta prej nesh. Të mos i harrojnë vuajtjet e nënës dhe të babës, çfarë kanë hequr dhe të bëjnë mirë!
Intervista është dhënë për kujto.al, në dhjetor 2019, Shkodër.
Intervistoi: A.Çano/Kujto.al
ObserverKult
Lexo edhe: