Dëshmia tronditëse e klerikut Dom Nikoll Gjergji për torturat që përdoreshin në birucat e diktaturës ndaj të dënuarve politikë
Dom Nikoll Gjergji (Kimza) (1878-1960), ishte ndër meshtarët e parë të dënuar. I lindur në Gjakovë dhe i shkolluar në Kolegjin Saverian të Shkodrës në vitet 1892-1905, që prej vitit 1905 meshonte në dioqezën e Lezhës dhe një tjetër afër saj. U arrestua më 2.8.1945 në moshën 67-vjeçare së bashku me një grup të madh me 23 persona nga Prefektura e Shkodrës. Një ndër oficerët pyetës të tij ishte Bardhok Biba. Hetimet i zhvillonte shtabi i Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit. Të gjithë u akuzuan në bazë të nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944, “Mbi sabotatorët e luftës…” dhe neneve 15, 18, 19 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”.
Akuzoheshin se gjatë luftës penguan partizanët, ndërsa pas saj, në janar 1945, do organizonin një kryengritje. Nga zhvillimi i gjyqit kuptohet se kleriku prej 12 vjetësh shërbente në Kalivarë të Mirditës. Ai deklaroi përpara gjykatës se Gjon Marka Gjonin e njihte, sepse ai i blinte rakinë, se nuk ishin thënie të tij deklarimet e marra në hetuesi, duke bërë në këtë mënyrë që të dështojnë gjithë sajesat komuniste për këtë ngjarje.
Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Qarkut të Shkodrës i përbërë nga toger Mustafa Iljazi, kapiten II Namik Qemali dhe Pjetër Daragjati, me pjesëmarrjen e prokurorit Aranit Çela, me vendimin nr.235, datë 4.10.1945, e deklaroi fajtor dhe u dënua me 10 vjet burgim e punë të detyruar.
Dom Nikolla e vuajti dënimin në burgun e Shkodrës, si dhe nëpërmjet punës së detyruar në kampet sezonale të Vloçishtit e Bedenit. Ai u lirua nga burgu më 2.8.1951 në moshën 73-vjeçare. U vendos në Kalvarë. Dy vjet më vonë, duke nuhatur se do arrestohej sërish, me ndihmën e luftëtarëve antikomunistë u arratis në Jugosllavi e prej andej në Perëndim. Ai u tregoi të gjithëve mbi gjendjen e keqe në Shqipëri, vuajtjet e popullit e klerit, krimet e qeverisë komuniste, si dhe gjendjen e të burgosurve e të internuarve. Këto në një dëshmi që u botua në gazetën “Shqipëria”, organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, Nju-Jork 30 shtator 1955. Pjesa e mëposhtme i takon rrëfimit të tij për shtypin e emigracionit politik. Paraqitet e përmbledhur dhe e redaktuar nga ana gjuhësore. Dom Nikolla vdiq në Romë. Trupin ia sollën me anije për ta varrosur në Shqipëri, por regjimi nuk e pranoi.
***
Dëshmia e Dom Nikoll Gjergjit (Kimza):
“Të flasim tani më imët për llojet e torturave e për tmerrin që shtinin ato kreatyra të pangishte në gjak njerëzish gjatë hetuesisë nëpër seksionet e sigurimit, në paradhomat e fundit të ferrit:
I lidhnin e i varnin të burgosurit mbi hunj të ngulur në oborrin e seksionit e aty u i linin pezull 1 metër mbi tokë, për 5-6 ditë rresht, pa bukë, pa ujë, si në dimrin e acaruar, ashtu edhe në verën e përcëlluar. Të tjerët deri në 6 veta bashkë i mbyllnin në dhoma që nuk ishin më shumë se 1 metër katror. Të zbathur e në fill të brekëve, ua mbushnin qelinë me ujë. Aty në këmbë si hunj akulli, duhej të duroje me qindra orë. Edhe kur vinte nevoja, në të shumtën e herëve, do ta kryenim aty brenda në enën ku hanim. Për të mos arritur deri në këtë hall, shumë vetë provonin të dilnin pa leje, por si dënim, i linin pa bukë, pa ujë, për 30 ditë rresht.
Unë që shkruaj për këto ngjarje të pahijshme, mjerisht të vërteta, më ra të kërkoja me ngulm tre herë rresht për të dalë jashtë për vete. Të katërtën herë më lejuan me kusht që pasi të kryeja nevojën të rrija në nevojtore sa të më nxirrnin ata. Pranova kushtin, por mbeta brenda për 12 orë rresht.
Një herë tjetër, kur ishim ende pa fjetur, u shtrënguam të dalim nga dhoma 56 veta për të kryer nevojën. Nuk kishin çfarë të na bënin tjetër, por rojet na mbyllën dhomën e nuk na lanë të ktheheshim për 6 orë rresht në pikun e janarit. Për popullin e për klerin këto ishin dënime të përditshme, të mërzitshme e të padurueshme, por rojeve të të urdhërdhënësve të kuq nuk u bënte kurrfarë përshtypje, përkundrazi e kishin shpeshherë shenjë argëtimi shikimin e të burgosurve në këto dënime kolektive.
Të tjerë të burgosur, gra, burra, ishin të shtrënguar me nga 10 ditë të qëndronin në çimento dhe gjysmën e racionit të bukës (racioni ishte 250-300 gram çfarë buke). Të tjerëve u vinin nga dy vezë të ziera të nxehta nën sqetulla e ua shtrëngonin krahët, e ashtu duhej të duronin dhimbjet derisa binin në tokë.
Të tjerëve e të tjerave, ua lidhnin këmbët e pantallonat, duke u futur brenda tyre ndonjë dac apo mace. Pasi e lidhnin mirë grykën, me thupër e godisnin kafshën, e cila duke mos ditur nga të dilte, gërvishte duke gjakosur trupin e të shkretit të burgosur.
Të tjerët i shtrinin në tokë, u vinin nga një tavolinë të madhe të rëndë. Duart e këmbët mbesnin jashtë, por ato i lidhnin e nuk kishe si të lëvizje. Nuk mbaronte me kaq, por e zeza vinte prapa. Xhelatët pritnin kunja të holla pishe, nga ato që përdoren për dhëmbët dhe ua ngulnin fatzinjve në mishrat e thonjve. Pastaj i ndiznin të gjitha kunjat të cilat shuheshin derisa të digjeshin plotësisht në mish. Vetëm pas kësaj i zgjidhnin dhe çlironin viktimat e tyre të pashqisa të nxira si trungje të djegur. Asnjë nuk ka mundur të mbijetojë nga kjo provë e fortë torture, por kanë vdekur menjëherë ose disa ditë më pas.
Të tjerëve u çanin lëkurën prej gjunjëve deri te kërci në 4-5 vende. Të çarat i mbushnin me kripë e pastaj e mbathnin lëkurën e rrjepur mbi të. E lidhnin me lëvere e pëlhura të vjetra që të mos binte kripa. Këtë tmerr e provoi imzot Volaj, ipeshkv i Sapës, por shpëtoi.
Ipeshkvit tim, imzot Frano Gjinit, që njëherazi ishte edhe zëvendësisht delegati apostolik, ia rropën mishin me krehër hekuri nga gjunjët e deri te këmbët. Pastaj ia mbushën me kripë dhe ia lidhën me pëlhurë. Ky është pushkatuar së bashku me 17 vetë. Ende nuk kishin dhënë shpirt të gjithë kur varrtarët me urdhrin e komandantit të skuadrës së pushkatimit, i mbuluan, siç më ka thënë mbesa ime Dava, e cila me motrën e imzot Gjinit, Tonen (të cilës pak më vonë i ra pika në Tiranë). Mbesa ime i kujton me trishtim fjalët e fundit të imzot Gjinit para buzës së varrit: “Rroftë Krishti Mbret” rroftë feja e Krishtit! Poshtë komunizmi. Bini bre horra”
Me këta njerëz të pushkatuar, vdekur ose torturuar nga njerëzngrënësit komunistë, që nuk ngopeshin me gjakun e vëllezërve të tyre, kam jetuar 6 vjet rresht. Oh çfarë jete qensh kam kaluar e prapë jam gjallë. Po kush mbërriti të thotë se mund të bashkëjetohet me këta?!”/kujto.al