Shfaqja “Totem dhe Tabu” do të jepet sot më 18 maj në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Koreografi Robert Nuha, që është edhe autor i kësaj shfaqje, ka thënë se temat që trajton shfaqja janë të ndryshme, duke filluar nga teknologjia, pandemia, raportet njerëzore, barazinë gjinore.
Ai ka thënë se këto tema vijnë kryesisht përmes lëvizjeve të trupit.
“Ka satirë brenda shfaqjes. Edhe koha e prezantimit të shfaqjes ka qenë e qëllimshme, sepse si shoqëri kemi nevojë, përveç refleksionit ndaj vetvetes dhe ndaj atyre njerëzve që rrethohemi, për me qeshë më shumë. Në provat gjenerale patëm disa mysafirë që janë njerëz të fushës dhe që janë ndarë të kënaqur dhe s’ka pushuar e qeshura, por as qarja”.
Nuha në Klan Kosova tha se edhe tema e depresionit është e prekur sidomos në një kohë të tillë kur ky problem është theksuar më shumë.
Dramaturge e shfaqjes është Zana Hoxha.
Ndërkaq, trupa artistike e Artpolis përbëhet nga aktorët Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli dhe Blerta Gubetini.