Vëllezërit Rifat dhe Asim, të dy tregtarë, jetonin në qytetin bregdetar shqiptar të Durrësit në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Asimi i lindur në vitin 1900 dhe Rifati në vitin 1910. Vëllai i madh u martua me një grua të quajtur Hatixhe dhe u bekuan me 15 fëmijë. Prej tyre 10 mbijetuan deri në moshën madhore, derisa i fundit lindi në vitin 1946.
Rifati u martua me Nadiren, por ata nuk mundën të kishin fëmijë, pavarësisht se kërkuan ndihmë nga klinika në Itali, Austri dhe Bosnje.
“Kur çifti u sigurua se nuk mund të kishin një fëmijë të tyre, vëllai i Rifatit u ofroi një nga fëmijët e tij më të vegjël, Refikun. Më vonë u bë xhaxhai im”, kujton Redi Myshketa. Por nuk funksionoi.
Refiku në atë kohë ishte tre vjeç dhe mjaftueshëm i rritur për të kuptuar se ishte ndarë nga prindërit dhe vëllezërit e motrat e tij. Ai shkoi me vrap duke qarë te nëna e tij biologjike, Hatixhja. Pas kësaj, ata e morën sërish mbrapsht.
“Ata vendosën të merrnin Refikun dhe t’i jepnin çiftit fëmijën tjetër që do të sillnin në jetë, qoftë ai djalë apo vajzë”, tha Myshketa. “Kështu që pas lindjes, babai im u dhurua te xhaxhai i tij.”
“Rregull i pashkruar”
Tradita e birësimit nga të afërmit pa fëmijë ishte e përhapur në familjet shqiptare në shekullin e kaluar. Ai konsiderohej si një “dhurim” dhe zakonisht kufizohej tek anëtarët e ngushtë të familjes.
“Çdo çift kur nuk lindte fëmijë, kur moshohej kishte nevojë për t’u mbajtur ekonomikisht. Nuk mbaheshin dot vetë dhe kishin nevoja birësimi”, thotë Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, profesor në Departamentin e Sociologjisë, Universiteti i Tiranës.
“Në këtë shoqëri, e cila nuk e ka patur institucionin e jetimores, si rregull birësimet bëheshin brenda fisit. Gjatë kësaj periudhe, ekzistonte një “rregull i pashkruar” që birësimi ndodhte brenda familjes së babait. Në shumicën e rasteve, fëmija në fjalë ishte djali i një vëllai.
Nëse nuk kishte vëllezër, ai mund të ishte djali i një kushëriri. Kjo ndodhte që të ruhej mbiemri i familjes dhe që pronat dhe gjaku të ruheshin brenda familjes”, tha Dervishi.
“Fëmijët me mbiemra të ndryshëm nuk birësoheshin për të shmangur implikimet morale. Nëse një çift kishte vetëm vajza, ata mund të birësonin një nga nipërit e tyre, i cili do të bëhej djali i tyre. Ne dimë edhe raste kur nipi kthehej në shtëpinë e gjyshit dhe kishte detyrimin të luante rolin e dajës. Ai komunikonte me nënën e tij si të ishte vëllai i saj dhe trashëgonte të gjitha pronat e gjyshit”, tha Dervishi.
“Dhuruar”, më pas braktisur
Babai i Myshketës, Shpëtimi, lindi në janar 1944. Emri i tij simbolizonte dëshirën për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Pasi “iu dhurua” xhaxhait të tij, Shpëtimi u shkollua në Durrës, ku zhvilloi një talent për të luajtur në violinë.
Megjithatë, fundi i luftës dhe ardhja e sundimit komunist ndryshoi gjithçka për familjen Myshketa. Komunistët konfiskuan pronat e Asimit dhe Rifatit dhe, njësoj si industrialistët e tjerë, ata u burgosën. Asimi vdiq në spital në vitin 1952, Rifati në burg tre vjet më vonë.
E veja e Rifatit, Nadirja, e braktisi Shpëtimin kur ai ishte adoleshent dhe u martua përsëri në kryeqytet, Tiranë.
“Babai im ishte 17 vjeç kur një ditë vëllezërit e tij [biologjikë] e çuan në kinema”, tha Myshketa.
“Kur u kthye, ai nuk e gjeti më nënën e tij. Pasi humbi të dy prindërit birësues, Shpëtimi u kthye te familja e tij biologjike. Në përmbledhjen me poezi ‘Fli dashuria ime’ është poezia e nënës”, tha Myshketa.
“Babai im nuk e shihte pozitivisht këtë pjesë, sepse e kishte përjetuar keq. Ai thoshte se 1,000 fëmijë sikur të kishte, nuk do të dhuronte kurrë asnjë prej tyre. Jeta nuk funksionon kështu: një ditë më pëlqen fëmija, ditën tjetër e braktis,” tha ai për BIRN.
“Pra, e ke detyrim që deri në fund të jetës, këtë bekim që të erdhi ta mbash dhe ta ofrosh. Por jo ta mënjanosh për të qenë egoist dhe për të parë jetën tënde.”
Pesëmbëdhjetë vjet pasi e braktisi, Nadirja u ribashkua me Shpëtimin, duke i kaluar vitet e fundit të jetës saj në shtëpinë e tij në Durrës.
Dervishi tha se praktika e birësimit brenda familjes duhet trajtuar me kujdesin maksimal.
“Birësimi i fëmijëve është një ndërmarrje e komplikuar, duke pasur parasysh abuzimet”, tha ai.
“Kjo lloj praktike nuk duhet të ndalohet, por të kufizohet shumë dhe të vendoset nën një monitorim shumë të rreptë nga shteti”.
Birësimi në rënie
Birësimi në përgjithësi në Shqipëri ka rënë pasi shoqëria ndryshon dhe mundësitë ekonomike i lejojnë çiftet të plaken pa pasur nevojë domosdoshmërish për mbështetjen financiare të pasardhësve.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në Shqipëri, numri i fëmijëve të birësuar nën moshën 17 vjeç po bie çdo vit. Në vitin 2017 u birësuan 43 fëmijë, në vitin 2020 ky numër kishte rënë në 26 dhe në vitin 2021 ai ra në 19.
Intervistat me të afërm të fëmijëve të birësuar treguan se shumë nga ata fëmijë, të lindur në periudhën komuniste para viteve 1990 dhe “të dhuruar” brenda familjes, kanë emigruar.
“Pas vitit 1990, një pjesë e fëmijëve të birësuar emigruan dhe nuk janë kthyer më as te prindërit e tyre birësues dhe as tek biologjikë”, tha Dervishi.
“Kur e kanë marrë vesh se ishin të birësuar, ka pasur raste kur u kanë thënë prindërve biologjikë se pse e kanë falur, pse e kanë trajtuar si ‘fëmijë të tepërt’.”
Myshketa tha se falë besimit të tij, nuk do t’i shmangej një praktike të tillë në rrethanat e duhura.
“Njerëzit duhet të besojnë se ata janë të bekuar nëse kanë një fëmijë”, tha ai.
“Për sa kohë ata e shohin trashëgiminë vetëm si një proces natyror, por nuk është vetëm kaq, ka edhe një mision më të madh në këtë botë. Si rezultat i besimit, nëse do të kisha më shumë fëmijë dhe dikush do të kishte nevojë, do ta dhuroja fëmijën tim, sepse ai nuk është prona ime.” theksoi ai./BIRN
ObserverKult
ObserverKult
Lexo edhe:
HISTORIA E TRISHTË E TË NDJERËS, RAFFAELLA CARRÀ: DESHA TA KEM NJË FËMIJË, POR…
Nga: Raffaella Carrà
“Nuk mund ta programosh ardhjen në jetë të një fëmije, ashtu siç bën me një spektakël televiziv, apo me një koncert.
Isha vetëm 30 vjeçe dhe ditët e jetës sime kalonin shpejt. Pra, përmes intervistave, provave në teatër, programeve televizivë dhe muzikës.
Kur vendosa të kisha fëmijë, i shikoja me dashuri dyqanet e dedikuar fëmijëve.
Imagjinoja një dhomë me ngjyra të forta. Po ashtu me një shtrat të vogël në qendër.
Mirëpo kjo ishte një lumturi e shkurtër. Muajt kalonin dhe fëmija nuk vinte.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult