Nga Çapajev Gjokutaj
Një 66-vjeçare ngriu nga të ftohtit në një fshat të Fierit. Vdekja erdhi nga temperaturat e ulëta, por jetesa e saj ka qenë edhe më e acartë, kallkan e shkuar kallkanit.
Megjithëse e sëmurë nga zemra dhe tensioni, mblidhte e shiste kanoçe. Prej 10 ditësh i kishin ndërprerë energjinë, ngaqë nuk kishte mundësi ta paguante.
Shteti vigjilent sa s’ka, tak-fak i preu dritat, pa pyetur se ku jetonte, si e mbante frymën gjallë, ç’mund të ndodhte me të në netë si këto të fundit, kur temperatura bien disa gradë nën zero.
Shteti është gjë e madhe, nuk merret me vogëlima të tilla. As shteti e as komuniteti. E gjetën të ngrirë tri ditë pasi kishte vdekur.
Mbrëmë televizioni jepte pamje nga brendësia e shtëpisë barakë ku jetonte e ndjera. Varfëri këlthitëse. Mes rrangullave, afër stromës rrinte e priste një qenush i vogël e i bukur.
Jetë qeni, thashë me vete duke parë kafshën mes asaj hapsire të tejmbushur me fukarallëk dhe dhimbje.
Një çast më pas qeni, që priste të zonjën të kthehej nga sosmëja, më nxiti drejt një leximi tjetër. Mes skamjes, kur mezi siguronte sidokudo jetesën e saj, e ndjera kishte zgjedhur të mbante edhe një qen, një gojë tjetër për ta ushqyer.
Po me sa duket gëzimi që i sillte qenushi, marrëdhënia me të, plotësonte sadokudo nevojën për të ndjerë pranë dikë, për të dhënë e marrë dashuri e vëmendje nga dikush.
Pamja të krijonte një lëmsh në grykë dhe të nxiste edhe drejt një leximi të tretë: qenit nuk i afrohemi dot as tek majat e putrave. Nuk iu nda të zonjës as në gjallje dhe as kaq ditë pas vdekjes.
Ndruaj se nëse bjerrja e marrëdhenieve njerëzore në komunitet dhe në familje do të vazhdojë të rritet me këto ritme, mund të vijë një ditë kur shprehja ‘jetë qeni’ të zëvendësohet nga ‘jetë shqiptarçe’.
(Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’)
2022
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇAPAJEV GJOKUTAJ: NJERIU KA NEVOJË EDHE PËR PËRRALLA
Nga: Çapajev Gjokutaj
Ia dha gurit dhe e çau, ia dha drurit dhe e thau, ia dha njeriut dhe ky s’u dha.
Jo se njeriu ishte më i fortë, mishi dhe kockat janë kueku më të dobëta, por se njeriu kishte aftësinë të shpikte e të trillonte, të bënte shkencë e të krijonte art e fe.
Ndaje grurin nga egjra, do hidhej Lilua, shih shkencën e leri trillimet me fera e xhixhilera. Kush ua pa hairin trillimeve e gënjeshtrave!?
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult