Aktori shqiptar shumë i njohur, Alfred Trebicka ka reaguar ashpër ndaj filmave të Bes Kallakut dhe Ermal Mamaqit. Madje i ka cilësuar ata sharlatanë të kinemasë.
I ftuar në “Vizioni i pasdites” në Vizin Plus, Trebicka ka treguar për moderatoren Evi Reçi edhe për rolet që ka refuzuar. Ai është shprehur se refuzon rolet kur nuk e bindin regjisorët dhe është shprehur se disa vetëshpallen kineast.
“Këtu po ndodh një fenomen jo i këndshëm në atdheun tonë të dashur. Këtu po dalin njerëz pa asnjë lloj formimi dhe thonë unë jam kineast. Fjala kineast është fjalë shumë e madhe. Që të etiketosh dikë apo ti thuash dikujt që je kineast duhet ta pyesësh veten mirë sepse ka një mori komponentësh që duhet të zotërojë një individ që të quhet kineast apo të jetë i tillë,” – është shprehur aktori.
Më tej, Trebicka vazhdon duke folur për fenomenin por pa përmenur emra edhe pse kuptohet shumë qartë se e ka për Bes Kallakun dhe Ermal Mamaqin.
Ai vë në dukje se këta “regjisorë të rinj” bëjnë vetë regjinë, vetë skenarin dhe vetë rolin: “Vetëshpallen kineastë, nuk dua ti përmend me emra sepse nuk është etike, por po i shohim nga dita në ditë, një film nga ky, një film nga ai dhe thua ore kush është ky që thotë një film ka ky. Ore bëjnë skenarin vetë, regjinë vetë, rolet vetë. Është e pamundur sepse nga historia e kinemasë, nga përvoja ime, vazhdimisht them me vete nëse ka art më të vështirë për tu ekzekutuar është arti i kinemasë, është art kompleks ka të bëjë me imazhin, zërin me mendimin, filozofinë, një mori komponentësh. Një njeri që vjen nga asgjëja dhe thotë do të bëj film.”
Ndërsa pyetjes nëse i drejtohet filmave të fundit që po prodhohen në Shqipëri, Trebicka iu përgjigj: “Po. Edhe vetëshpallen, jam regjisor thotë ai, jam kineast sepse e njoh tregun. Këtu janë keqkuptuar shumë gjëra të tjera. Të bërit kinema apo film nuk është çështje tregu. Ka kapur tregun ky, di se çdo tregu ky, cili treg? Për cilin treg flasin këta? Unë si profesionist do ti quaja sharlatanë këta janë sharlatanë të këtij arti të madh siç është kinemaja. Dhe trumbetojnë, kanë ca mjete, kanë gjetur ca burime financiare që ata e dinë, punë e tyre as hyj dhe as nuk më intereson fare. Ti mund të kesh aftësinë për të gjetur këtë por deri këtu, kur vjen puna për të nivelin profesional që do një vepër siç është filmi artistik “ndalu beg se ka hendek”, tha ai.
Trebicka flet me tone të ashpra ndaj këtij fenomeni: “Jam skeptik dhe për njëfarë kohe kam heshtur dhe skam dashur të merrem me këtë gjë, por është e pamundur janë bërë si gripet, viruset e frikshme. Them o Zot ku po shkojmë sepse kjo është e tmerrshme, reklama pa fund, shitje pa fund.” /politiko