Në një nga ditët e fundit të pushimit, banorët e M., vend i qeshur (kështu e përcakton atë udhëheqja e Turing Klub) i gjirit të Napolit, panë të vërtitej nëpër rrugë një pushues i pazakontë, i veshur si marinar, veçse jo me rroba të kaltra, por me rroba të kuqërremta, me sandale të stolisura dhe me një shami në qafë.
I pakët, i zeshkët e paksa çalok, dukej në përgjithësi një prej atyre borgjezëve, që u pëlqen të maskohen në det si peshkatarë, por disa vathë që mbante në vesh dhe krenaria e ngrysur e fytyrës, të fusnin në mendime.
Në M. ka të huaj nga të gjitha anët e botës; dhe banorët pothuaj nuk habiten më për asgjë. Kështu, edhe kësaj herë, nuk guxuan të shpreheshin për pamjen e të huajit që, në kohë të tjera më pak kozmopolite, do t’u sillte ndërmend një emër familjar.
Bënte shumë vapë dhe i huaji nuk dukej se ngutej. Ai vizitoi kishën, bashkinë, oborrin e manastirit; u ul në kafenë e pjacës dhe piu një birrë; më në fund hyri në një kioskë, bleu katër kartolina me ngjyra, i shkroi dhe i futi në kutinë e postës. Pas largimit nga posta, gjurmët e tij humbën; u zhduk ose më mirë, iku, si gjithë turistët e tjerë të kësaj bote.
E gjitha kjo ndodhi të premten. Qëlloi data 17.
Një ditë më vonë, të shtunën, ndodhi diçka e veçantë.
Të dy mijë e pesëqind banorët e M., para se të zgjoheshin, nga gjumi i mëngjesit, panë në ëndërr sikur ishte e diel. Ëndërruan gjithashtu sikur ishte e diel edhe: famullitari, doktori, mamia, farmacisti, kryebashkiaku, katër a pesë avokatë të qytetit; ëndërruan, më në fund, sikur ishte e diel, të gjithë ata që pushojnë në ditët e festave: rrëmihësit e tokës, fshatarët, artizanët, punëtorët, ndërtuesit.
Të bindur se ishte e diel, gjithë këta njerëz, pasi u vonuan pak në krevat, u veshën më në fund për festë dhe shkuan në sheshin e qytetit.
Gjithë dyqanet mbetën të kyçura, me përjashtim të atyre që shesin artikuj ushqimorë dhe që mbyllen mbasdite. Mesha e së dielës mblodhi në kishë numrin e zakonshëm të besimtarëve. Famullitari, si zakonisht, bëri një predikim të mirë pikërisht për shenjtërinë e së dielës duke kujtuar se në këtë ditë Zoti pushoi, pasi përfundoi krijesën më të rëndësishme e më komplekse nga të gjitha krijesat e tij: njeriun.
Banorët e M., shkuan të flinin, duke menduar për punët dhe lodhjet që i prisnin të nesërmen, të hënën.
Por me t’u ngritur në mëngjes, u kujtuan për të dytën herë se ishte ende e diel, u kujtuan kur panë kalendarin, kur dëgjuan radion, kur lexuan gazetën.
Banorët e M., janë njerëz të thjeshtë, por siç kemi thënë, këmbëngulës për të parë të huajt, tashmë të pandjeshëm në habitjen e tyre. Kështu, e pranuan faktin e kryer dhe përsëritën pa mëdyshje të dielën: meshën, drekën, lojërat me gjyle, ballot, piknikët.
Gjer këtu asgjë e jashtëzakonshme: një gabim dhe për më tepër lehtësisht i ndreqshëm, por të shtunën ëndrra u përsërit dhe, në mirëbesim, banorët e M., festuan ditën e diel. Natyrisht, edhe të nesërmen qe po e diel dhe ishte e nevojshme ta festonin nga fillimi.
Banorët edhe këtë herë nuk u habitën, por u betuan se të shtunën e ardhshme do t’i mbanin sytë të hapur mirë.
Iluzion i kotë. E shtuna erdhi dhe qe një ëndërr më shumë. Shkurt, deshi s’deshi, që atëherë M. pati jo më një, por dy të diela.
Në këtë pikë, çështja filloi të propagandohej.
Në fillim për këtë foli një gazetë e Napolit, natyrisht, me shaka, duke e përcaktuar M., si vendin më dembel të botës. Pastaj autoritetet u alarmuan. Qeveria çoi në vend një inspektor policie, peshkopi një ftues të tij.
Të përditshmet e mëdha të kryeqytetit pyetën të dërguarit e tyre specialë. Inspektori i policisë pyeti hollësisht edhe parinë e qytetit, edhe njerëzit e varfër, si dhe hartoi një raport të gjatë; ftuesi i peshkopit e bëri solemnisht për një lek famullitarin.
Por me të ardhur e shtuna, të gjithë hetuesit ranë po ashtu në iluzionin e përgjithshëm. Ftuesi i peshkopit mori pjesë në mënyrë solemne në Meshën e ndreqjes. Inspektori i policisë u ftua në një drekë kolosale të diele.
Gazetarët telegrafuan se truku ishte zbuluar: bëhej fjalë për një zë të përhapur nga postieri i qytetit, Kakaç, me qëllim që të gëzonte në qetësi dy ditë pushimi me të fejuarën.
Mëngjesin e së nesërmes, që të gjithëve iu desh të besonin se edhe një herë më shumë ishte e diel.
Që atëherë ka dy të diela; dhe mund të thuhet se kjo çështje e dy të dielave në M., në rrafshin turistik, goditi Shpellën e Kaltër të Kaprit. Nga të gjitha anët e botës njerëzit shkuan në M. për të parë atë ëndërr të famshme dhe të gëzonin dy të diela rresht.
Qeveria mbylli një sy dhe lejoi që t’u bëhej publicitet dy të dielave të M.
Mirëpo çështja nuk kaloi lehtë nga ana e fesë. Ndërhynë teologët dhe demonstruan se, po qe se Zoti do të kishte pushuar jo një, por dy ditë me radhë, nuk do ta kishte krijuar kurrë njeriun, nuk do të ishte bërë mëkati i parë dhe, si pasojë, nuk do të kishte histori me qeveri, luftëra, qytetërim dhe fé.
Të dielën e M., këta teologë e quajnë e diela e djallit që, siç dihet, kërkon mallkimin e gjinisë njerëzore.
Por teologë të tjerë përgjigjen se kjo e diel e dytë nuk është veçse një shenjë e përkrahjes qiellore për M.; në M. bota do të ishte projektuar para krijimit të njeriut; banorët e M., do të ishin engjëj.
Tezë e guximshme, sado që nuk gjen miratim në karakterin e popullsisë së M., por që tani për tani mbetet e vlefshme për të mbajtur pezull procesin e shkishërimit që kërcënon këtë vend./ Përktheu: Faslli Haliti
ObserverKult
Lexo edhe:
PSE U QUAJTËN “LEKË” PARATË E SHQIPTARËVE, KUSH PROPOZOI QË TË QUHEJ “SHQIPE”?