Tregim nga Ndue Ukaj: Shpërfillja e një udhëheqësi

ndue ukaj:

           Që nga kohërat e lashta, njerëzit kishin treguar interes të jashtëzakonshëm të flisnin për gjëra madhore, për perandorë të fuqishëm, gjeneralë sypatrembur, mbretër e pallate plot ar e argjend, sallone ballosh vezulluese, pasqyra magjike, legjenda që të lebetitnin trutë dhe histori që copëtojnë kufijtë imagjinarë dhe shkojnë e futen në skutat e errëta të shpirtit njerëzor.

           Dhe toka ishte e mbushur përplot me rrëfime dhe histori të tilla.

           Por njëherë e në një kohë flitej për një Udhëheqës të pakënaqur me popullin e tij, dhe çuditërisht, krejt kjo kishte ndodhur për një arsye të pakuptimtë që do t’ju habisë.

           Ju – siç e dini – udhëheqësit kur janë në fron, kanë shumë sy dhe nga vështrimi i tyre i rreptë, pakkush mbetet pa u vërejtur. Ata gjithmonë ndjehen të lumtur, në qoftë se në vendet ku mbretërojnë, s’ka trazira të brendshme dhe s’kërcënohen nga ndonjë forcë e jashtme.

            Por, pakënaqësia e këtij Udhëheqësi s’lidhej me asnjërën nga to dhe me asgjë të zakonshme e as të jashtëzakonshme. Mbretërimi i tij ishte i qetë, s’kishte rrezik të jashtëm dhe as trazira të brendshme.

            Udhëheqësi ishte tërbuar meqë njerëzit e vendit të tij flisnin për gjëra të parëndësishme. Dhe ç’ishin ato gjëra të parëndësishme, ju do të mbetni pa mend. Po – Udhëheqësi ishte tej mase i mërzitur, sepse, sipas raportit të fundit vjeshtor, të cilin e kishte kërkuar vetë ai, ishte vërtetuar ajo që kurrë s’donte ta dëgjonte: njerëzit e vendit të tij, kur ishin në kafene, në orët e mbrëmjes, në mbrëmje vallëzimi, në darka e organizime të ndryshme, e shpërfillnin atë. Po, e shpërfillnin dhe s’flisnin për të dhe pushtetin e tij, por tregonin barsoleta, vallëzonin, flisnin për dashuri, talleshin dhe shpërfillnin çdo temë që mund të lidhej me të dhe mbretërimin e tij. Dhe kjo shpërfillje u bë arsye madhore që ai të tërbohej dhe të dëshpërohej pamasë. Sepse, ai e dinte mirë se një udhëheqës mund të ekzistonte vetëm përmes adhurimit ose përbuzjes që i jepnin banorët e vendit të tij, por kurrë jo përmes shpërfilljes, ngaqë, shpërfillja, për një udhëheqës ishte gjëja më skëterrshme që mund të përfytyrohej, ishte skaji i trishtimit, ferri ku ai mund ta shihte veten të mbërthyer në kryq.

        Në heshtje e lexoi dhe e rilexoi raportin dhe assesi s’mund t’u besonte syve të tij. S’mund ta kuptonte si ishte e mundur që njerëzit të mos flisnin fare për të? Kështu, në zemër i mbiu një shqetësim mizor, siç mbinte një pemë e keqe mes një kopshti me lule dhe mbulonte harmoninë e gjërave.

        Puna e parë që iu ndërmend se duhej ta bënte pas kësaj goditje të papritur, ishte, të hiqte atë dreq peme sa më parë që të ishte e mundur, por pa u vënë re, dhe rrënjët e saj t’i digjte, pa u dukur kund tym i zi. 

          Qe stinë e shirave të rrëmbyeshëm dhe gjatë gjithë asaj kohe, re të dendura përdridheshin nëpër qiell dhe zbrisnin deri poshtë në tokë. Ditë të tëra qielli s’u duk dhe për njerëzit vërtet s’kishte gjë më lemeritëse sesa kur qielli iu pushtohej, kur s’mund të shikonin kthjelltësinë e tij, hënën, yjet, që të mallëngjeheshin me kujtime të shkuara ose të mendonin dëshira për ditët e ardhshme.

            Moti i keq, mjegulla dhe i ftohtë i madh, sikur u bënë aleatë për të ndihmuar trishtimin shpirtëror të Udhëheqësit, aq sa ai një ditë iu shtri në krejt fytyrën e tij të pamësuar me gjëra të trishta.

           Ndërkaq, duke e parë fytyrën e tij të zymtë, ndër bashkëpunëtorë e shërbëtorë shushurihej se Udhëheqësi s’ishte mirë me shëndet. Madje, vetë ai një ditë me veshët e tij e kishte dëgjuar kuzhinieren syblu tek fliste me një grua tjetër për udhëheqësin e sëmurë.

            Gjërat e këqija, kur trokasin, çeljua derën – iu kujtua shprehja e vjetër dhe vrik iku në dhomën e gjumit, ku për disa minuta u step përpara pasqyrës së madhe, duke këqyrë vetveten dhe duke prekur herë ballin e herë gjoksin që i rrihte fort.

            Gjepura, s’jam i sëmurë – tha me vete dhe u largua vrik nga pasqyra.

            Pas kësaj dite, Udhëheqësi e kuptoi se më s’mund të flitej për dëshpërim të kontrolluar, meqë tani ai dukej dhe ishte vizatuar në krejt fytyrën e tij. 

          Kurrë më parë s’ishte dëgjuar të flitej për një dukuri kaq shpërfillëse, sepse, zakonisht udhëheqësit kishin kundërshtarë të flaktë ose përkrahës të flaktë. Por që një popull të mos fliste fare për udhëheqës, vërtet s’ishte dëgjuar kurrë, as në kohët më të lashta e as në ato më të rejat. Ndaj, në ato çaste të vështira shpirtërore, ai më me dëshirë do të pranonte përbuzje, sharje, pështyma e ulërima kundër tij, sesa shpërfillje kaq mizore.

             Ato ditë vjeshtake me shira të përditshëm, tërë kohën mundohej të gjente ndonjë ide me të cilën të rikthente vëmendjen e popullit. Që të organizonte lojëra gladiatorësh si në kohërat e Perandorisë së Romës, ishte e pamundur. Populli kishte çka të hante dhe as me një kafshatë s’e mashtronte dot.

            Flinte keq, fliste pak dhe një krusmë mendimesh e ndrydhte përditë e më shumë. Atë stinë, Udhëheqësi s’qe në gjendje të bënte asgjë, po-ja dhe jo-ja e tij ishin ngatërruar keq si leshi i pa rruar kohë të gjatë tek organi i tij, dhe kjo paqëndrueshmëri shpirtërore u bë e padurueshme edhe për këshilltarët dhe bashkëpunëtorët tij, të cilëve kurrë s’u tregoi drejt se çfarë ndjente.

            Për shkak të tërbimit të brendshëm s’i pëlqente të merrte pjesë në takime të mëdha, dukej rrallë në publik dhe kryesisht kohën e kalonte duke lexuar rrëfime për udhëheqës, ku kërkonte të gjente një shëmbëlltyrë për të dalë nga skëterra ku ishte katandisur ose për ta ngushëlluar vetveten. 

          Një krusmë e brendshme kishte bërë hije mbi të, si një pemë e mallkuar, duke i  dhënë një hije të keqe krejt shtëpisë së tij, aq sa shpeshherë mendonte se mjegulla tashmë s’ishte jashtë, mes qiellit e tokës, por brenda në pallatin e tij, në mendjen e tij dhe në tërë qenien e tij.

          I pëlqente të rrinte i vetmuar dhe ndërmjet atyre mureve të ndritshme, i trishtuar çohej në këmbë dhe si të ishte në një amfiteatër të madh, pyeste veten: çfarë mund të jetë një udhëheqës, nëse shpërfillet nga populli i tij, nëse për të s’flitet në secilën shtëpi, në secilin gëzim, në secilin hidhërim?

           Ç’mallkim ka pllakosur në këtë vend – i thoshte vetvetes – teksa endej si hije nëpër shtëpinë e madhe, ku dukej se mbretëronte zbrazëtia e botës.  

            Por, meqë për ndjesitë e tij s’donte të fliste me askë, pyetje s’i bënte askujt, pos vetvetes, dhe ashtu, pyetja dilte prej gojës së tij, si prej një pylli të frikshëm dhe kthehej furishëm e ngulej si gjemb në zemrën e tij. 

          Atyre netëve të asaj vjeshte të ftohtë, të një të ftohti të pazakontë, Udhëheqësi qe i bindur se mbi popullin e tij kishte pllakosur magjia e zezë, një mallkim i madh, por një gjë të tillë s’guxonte ta nxirrte nga goja, në një kohë kur puna e magjive të mallkuara dukej se u përkiste kohëve më të vjetra.

*

        Mendimi se Udhëheqësi ishte në qendër të vëmendjes së krejt shtetit, perandorisë, domethënë se ai ishte, si të thuash, zemra e krejt ngrehinës shtetërore, tashmë i ishte shuar si një shandan i thyer dhe i rrëzuar përtokë.

           Vërtitej andej e këndej, pa ditur ç’të bënte. Dhe vuante shumë. Po, vuante pamasë dhe donte atë mundim të brendshëm ta mposhtte, siç mposhtet një ushtri armike. Sepse, për të dhe për çdo udhëheqës, të mos ishe në qendër të vëmendjes  donte të thoshte të mos ekzistoje fare. E mos ekzistenca ishte krusmë e tmerrshme, më e tmerrshme se përbuzjet, sharjet, pështymat. Ndaj, kjo ishte arsyeja pse udhëheqësit tërë kohën kujdeseshin të bënin gjëra të habitshme, që të ishin pjesë e secilës familje, secilës kafene, secilit organizim gëzimi ose pikëllimi.

          Secili udhëheqës e dinte se në ndërgjegjen njerëzore prej kohësh ishte thadruar thellë çështja e rëndësisë së prijësit në jetën shoqërore. Këtë e dinin mirë të gjithë ata që bartnin emërtime të ndryshme: mbretër, perandorë, presidentë, kryeministra, shefa shtetesh. Po, soji i tyre e dinte  mirë se njerëzit gjithmonë kishin derdhur gjak e kishin shkatërruar qytete e qytetërime për të mbrojtur ata dhe kauzat e tyre, edhe kur ato kishin qenë të marra.

         Të gjithë udhëheqësit e dinin mirë një gjë të tillë, ndaj, secili, përpara se t’ia mësynte rrugës për t’u ngjitur lart në fron, e mësonte mirë e mirë këtë zakon të vjetër, kurse ai që e mësonte më së miri, shkonte lart e më lart dhe mbretëronte gjatë e më gjatë. 

         Të gjitha këto i dinte mirë edhe Udhëheqësi i pakënaqur, ndaj i dukej vetvetja një bari pa grigjë, i përhumbur në një nënqiell të tërbuar, ku godisnin rrufe e bubullima, një bari që kishte kullota pafund, livadhe, male, kufij dhe çdo gjë tjetër, përpos grigjës.

*

          Shirat u ndalën në fillim të dhjetorit dhe retë e dendura u terratisën. Malet u zbukuruan me borë, duke u bërë madhështore, por Udhëheqësi s’doli asnjë ditë që të shijonte muzgun e mbrëmjes, siç e kishte zakon, dhe ky ndoshta qe dimri i parë që s’doli  për gjah.

        Atij i dukej sikur krejt ato re të larguara nga qielli, kishin kapluar zemrën dhe mendjen e tij dhe ai ishte shndërruar në makth. Në atë gjendje të trazuar s’kishte guxim të kërkonte këshillime, më së paku mëshirë për paqëndrueshmërinë shpirtërore, për mendimet e trishta që vlonin në shpirtin e tij.  Me padurim e priste raportin pranveror, duke shpresuar se gjërat do të kishin ndryshuar në favor të tij, dhe ai raport priste ta çlironte nga makthi i tmerrshëm. 

*

        E kur stina u ndërrua, dimri filloi të davaritej dhe dielli filloi të dukej më shpesh në qiell, njerëzit vazhdonin avazin e tyre.

           Dhe raporti i pranverës së hershme qe edhe më i zi se ai i vjeshtës dhe tregonte se gjatë gjithë netëve të gjata të dimrit, populli s’ kishte çarë fare kokën për Udhëheqësin. Dhe ky qe momenti i tmerrshëm për Udhëheqësin dhe njëherësh i fundit që ai të vepronte diçka dhe të tentonte ta kthente vëmendjen e përgjumur të popullit të tij. E për këtë gjë, stina e pranverës ishte ideale.

         Kurrë s’e kishte përfytyruar një stinë kaq dramatike në jetë: të ishte udhëheqës i një populli që s’çante kokën fare për të dhe as s’bënte zë që ta ndërronte atë.

         Kush e kishte shkaktuar atë plogështi njerëzore? Çfarë mund të kërkonte ai nga ata që të këndelleshin, ose, më mirë të thuhej, çfarë duhej të bënte që të përfitonte vëmendjen e tyre? Këto pyetje e enigma s’dinte t’i shpjegonte dhe dukej se e kishte të pamundur t’i kuptonte.

         Ato mund të ishin lidhje të çuditshme të popujve, që në momente të caktuara, ndodhte të plandoseshin në një gjumë të thellë, derisa të vinte një stuhi e furishme dhe t’i hapareshte ëndrrat e tyre, që pastaj, populli krejt atë gjumë dimëror ta kthente në ëndrra pranverore, për lule, diell, qiell të kthjellët e livadhe gjallëruese. 

            Dikur – jo shumë vite më parë – kishte ëndrra që ndonjë poet t’i këndonte bëmat e lavdinë e tij, kurse tash, kishte rënë në dëshpërim aq të madh, sa më s’bëhej fjalë për lavdi, por për ngjallje. Po, pikërisht për ringjallje, si feniksi, si ai zogu përrallor që kishte veti të digjej dhe të ringjallej përsëri nga hiri i vet.

          Hiri – tha me vete dhe një gëzim i vogël ia përshkoi fytyrën, si fllad i lehtë në një ditë përvëluese verore.

          Pikërisht në atë ditë të stuhishme shpirtërore, duke qëmtuar nëpër libra për udhëheqës e gjeneralë të rëndësishëm, këshilltari i tij i tregoi një histori shumë të lashtë të një mbreti të kohëve të Babilonisë, që pasi kishte ndërtuar pushtetin e madhërishëm, kur kishte parë se populli bjerrke kohën kot, ishte kujdesur që vetes t’ia bënte një trupore të madhe, gjashtëdhjetë e gjashtë kute të lartë, një trupore të ngjashme me synimet që kishte maja e Babelit.

         Ai s’kishte dashur që bëmat e tij t’i linte nën mëshirën e poetëve ose aedëve popullorë, por kishte dashur vetë të bënte një trupore të gjatë dhe ta shihte popullin e përkulur duke e adhuruar atë.

           Udhëheqësi buzëqeshi dhe mendja i shkoi te zogu, te hiri, te ringjallja, te madhështia e ringjalljes. Fundja, këso ëndrre dihej se kishin shumë udhëheqës kudo nëpër botë, që rrëzoheshin, por gjithmonë synonin të ringjalleshin.

          Pse s’e realizojmë edhe ne një të tillë – i foli këshilltari i vendosur, me sy të zi dhe fytyrë të rrumbullakët, teksa në duar mbante librin voluminoz. 

         Udhëheqësi e këqyri drejt e në drita të syve dhe s’foli fare, por sytë i vezulluan, siç vezullon vesa e mëngjesit në një ditë të bukur diellore.

          Këshilltari duke e parë ngazëllimin në fytyrën e tij, i entuziazmuar u çua në këmbë dhe vazhdoi – fundja – populli do të shohë një vepër madhore arti dhe pas kësaj plogështie, do të rikthehet kah temat e mëdha dhe do të flasë gjatë për të. Në fund të fundit, populli ashtu e bjerr kohën kot.

         Udhëheqësit kjo i pëlqeu dhe e pohoi me kokë, por u përmbajt, që entuziazmi të mos çaraveshej në fytyrën e tij.

         Në ditët në vijim, pa humbur kohë, u caktuan disa ekipe për të bërë truporen e madhe të udhëheqësit.

         Një ekip do të merrej me vendin ku do të vendosej, një tjetër me përmasën e trupores, kurse artistët, do të kujdeseshin për kompozicionin artistik të trupores. Kështu që, në ndërtimin e kësaj vepre madhore, mund të thuhej se Udhëheqësit dikush ia gdhendte sytë, tjetri një cep të gishtit, dikush gojën, artistët e mërzitur flokët, skulptori grushtin e madh, kurse gjeneralët u kujdesën për arin, sepse Udhëheqësi duhej patjetër të dukej prej ari, ndryshe, do të ishte një Udhëheqës prej teneqeje dhe kjo ishte shumë e  padinjitetshme, në mos shumë turpëruese.

*

             Pas tre deshën që gjithçka të bëhej gati, truporja, vendi ku do të vendosej, mjedisi përreth, me lule, pisha e plot pemë të llojllojshme dekoruese.

             Ato ditë qielli ishte i qartë, ditët të bardha dhe netët e pyllëzuara me yje pafund dhe hënë të plotë. Toka ishte mbushur me gjelbërim dhe rrezet e diellit ngrohnin për mrekulli.

             Dhe pasi çdo gjë që gati, truporja e lartë dhe podiumi madhështor ku do të vendosej, me daulle gëzimi e kasnecë të shumtë, për një javë rresht, i tërë shteti u kujdes që lajmi të dëgjohej cep në cep, siç dëgjohej vetëtima e shungullima, në mënyrë që askush të mos mbetej i painformuar.

           Ato ditë të bukura pranvere, kudo në qytete, fshatra dhe skuta malore, kasnecët bërtisnin:

           Të bashkohemi o popull, të gjithë të bashkohemi, Udhëheqësin ta nderojmë. Ju o kryetarë qytetesh, fshatrash, gjyqtarë, prijës rajonesh, qeveritarë të lartë e të ulët të gjithë krahinave, gazetarë, të bashkohemi për të marrë pjesë në përurimin e trupores së Udhëheqësit tonë, që prek qiellin, jo për lavdinë e tij, por për lavdinë tonë.

          Populli përnjëherë u tund u shkund dhe si të zgjohej nga një ëndërr e keqe, fshiu sytë dhe i shastisur filloi të shikonte ç’po ndodhte përreth tij.

        Të nesërmen, në mëngjes, kafenetë e kryeqytetit gumëzhinin nga lajme të shumta, secili më i çuditshëm e më i pabesueshëm se tjetri. Burra e gra, të ri e të reja, kishin dalë nëpër kafene për të marrë ndonjë lajm, sepse lajmet më së shumti merreshin nëpër kafene.

        Në atë rrëmujë, s’kishte sesi të mos përhapeshin thashetheme pafund, siç qe ajo që thoshte se Udhëheqësit po i bëhej kurth, meqë  i kishte ardhur fundi dhe se krejt kjo bëhej nga servilët e tij, për t’ia rrëmbyer fronin pas vdekjes, e pastaj për t’ia marrë edhe gruan e bukur.

         Dhe vërtet – si në kohërat e Babilonisë – në një ditë të bukur e me diell, u bashkuan të gjithë ata që ishin në zyra të larta të shtetit, të veshur bukur, të gjithë prijësit e krahinave, gjeneralë, kryetarë katundesh, gazetarë, kasnecë e ushtarë në përurimin e trupores. Dhe si dikur moti, nën duhmën e parfumeve të shumta qeveritare, sepse parfumet qeveritare gjithmonë kanë duhmë të fortë, pas orkestrës madhështore, doli zëdhënësi kryelartë dhe me sa zë kishte, lëshoi një piskamë e shungullimë që mund të dëgjohej deri në qiell:

         “O popull! Ja urdhri që ju jepet: posa të dëgjoni tingullin e borisë, të shoqëruar nga të gjitha veglat muzikore që ka vendi ynë, adhurojeni truporen e udhëheqësit, sepse kështu e adhuroni vetveten…e po qe se ndokush s’përkulet në adhurim, le të dijë se po e përbuz historinë, gjakun, lirinë dhe atë e pret furra e skuqur e ferrit të historisë…”

        Veglat muzikore që përcollën këtë ceremoni ishin të shumta dhe secila luante rolin e vet për të përndezur zjarrin e euforisë së madhe, siç duheshin shumë dru për një zjarr të madh.  E nën ndikimin e asaj euforie, pakkush mund të rrinte indiferent që të mos hynte në valle e të mos galdonte me sa zë kishte: rroftë Udhëheqësi.

         Historia s’ tregon më tej se çfarë ndodhi, por thotë se atë ditë, të gjithë dukeshin të lumtur, përpos vetë Udhëheqësit, të cilit i kishte rënë një hije e zezë trishtimi në fytyrë, meqë i dukej se një zë i frikshëm i pëshpëriste në vesh:

           “Mbretërimi yt po merr fund.”

            Dhe ashtu i trishtuar në shpirt e shikonte truporen e lartë si të shihte varrin e vet të thellë.

           Populli dhe të gjithë ata që ishin përreth tij s’dëgjonin asnjë zë. As gruaja e ngjitur për trupin e tij s’dëgjonte zë. Ai zë ndoshta edhe nuk ekzistonte fare, ndoshta ishte magji e zezë, mallkim, krusmë, kujë…ndoshta…!

         Populli poshtë podiumit vazhdonte të vallëzonte dhe të këndonte rreth trupores së tij.

         Po sikur të dinte vërtet ç’ndodhte në zemrën e udhëheqësit?

         Sikur t’i ndjente tërmetet e shpirtit të tij?!  

*

          Të nesërmen moti u përkeqësua dhe në mbarë vendin filloi të bjerë një shi i furishëm e të fryjë një ere e tmerrshme. Udhëheqësi i vetmuar me të shoqen e bukur, përmes dritares së pallatit qeveritar, shikonte truporen që e rrihnin erëra të forta.

         Përreth trupores s’kishte njeri.

         Dy flamuj të mëdhenj që ishin vendosur, njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtë, ishin leckosur dhe përplasur përtokë.

             Atëherë ofshau fort dhe zemra iu dridh. Gruaja e hakërryer e shikoi e habitur, por s’i foli gjë.

         Udhëheqësi vetëm për një gjë qe i gëzuar, meqë e dinte se atë natë, pavarësisht çfarë ndjente ai në shpirt, pas një kohe të gjatë, kishte arritur të përfitonte popullin që të fliste për të dhe truporen e tij.  Dhe i qetë shkoi në shtrat dhe ra në gjumë të thellë.


Lexo edhe:

NDUE UKAJ: NË QYTETIN E MJEGULLËS