Tregim nga Sami Milloshi: A thua jam verbuar?

Po të më kërkohej një raport mbi zoomin e fundit, fjalia e parë që do të thosha do të ishte : ” Asgjë për t’u mbajtur mend!”
    Në të vërtetë , me aq sa numërova unë qenë pothuaj dyqind vetë në zoom.
   Sekush shfaqet për motivin e vet, por ajo që na bashkon është një frymë hyjnore për ta mbajtur me të mirë njeri tjetrin se një ditë, dashtë Zoti i madh, do të kthehemi në një gjendje, siç thuhet, normale. Por, edhe nëse ndokush ende nuk e ka guximin ta quajë normale, sepse bosi kërkon ta quajë normalitet të ri, përsëri ka nga ata që kanë gjetur një term më të pranueshëm: gjendje më e mirë…
    Kur Zuk, shefi i ushqimit, i gjumit dhe i qejfeve në kampusin tonë e përmendi termin ” gjendje e pritshme më e mirë”, me sa duket për të na ndezur shpresat e padukshme, mua seç më hipi një dalldi . E hapa vrikthi mikrofonin e kompjuterit dhe i kërkova zonjës Ruth që moderonte zoomin të bëj një pyetje.
    – Po -tha zonja Ruth- bëje pyetjen, je krejt i lirë.
    – Zuk- thashë unë- kur ti thua gjendje më e mirë, ke parasysh se do vijnë studentë nga Kina apo edhe nga vendet e tjera aziatike ?
   – Kjo është jashtë vizionit tim- tha Zuk , dhe askush nuk komentoi pyetjen time.
    Unë, ndërkaq u ndjeva mirë sepse, tek e fundit bëra një pyetje, si të thuash, dëshmova se isha gjalle, dhe kjo nuk ishte pak. Shumë të tjerë, vetëm rregullonin baluket, përkëdhelnin macet, ose pinin ndonjë gllënjkë ujë para kamerave në zoom. Kaq, jo më tepër…
     U bë një copë herë heshtje, por zonja Ruth tha se ia jepte fjalën zonjushës Meredith, të cilën e prezantoi si shefe të një zyre të re. Sipas saj zyra e zonjushës Meredith do të merrej me rregullimin e mosmarrëveshjeve që kanë për burim ndryshimet në ngjyrën e lëkurës, në timbrin e zërit, në preferencat seksuale dhe qasjet ndaj gjinive humane…
    Unë të them të drejtën nuk e kuptova mirë detyrën e re që kishte marrë zonja Meredith, jo vetëm për faktin se çdo gjë të re e thith ngadalë truri im i lodhur me kotësira shekullore, por edhe sepse tashmë unë kam vetëm hallin që të mos më kapë virusi i mallkuar. Troç,  as që dua t’ia dij për gjë tjetër në këtë Botë…
       Zonjusha Meredith e hapi fjalën e saj me një falenderim të ndezur për bosin që e krijoi posaçërisht zyrën e saj dhe na tha se ajo kishte dy muaj që i gjurmonte mosmarrëveshjet për të cilat ishte punësuar t’i zgjidhte.
     Në një moment bosi ndërhyri dhe e pyeti:
    – Meredith- ne e dijmë që ti u punësove përmes një procesi virtual online, por ke ardhur ti ndonjëhere këtu ku do ta kesh realisht zyrën?
     – Jo – tha zonjusha Meredith- ende nuk e kam bërë atë gjë, por do ta bëj sapo të kthehemi në një gjendje më të mirë, pak a shumë përafër normales, sikurse u shpreh edhe Zuk…
       Pashë Zukun se si i nënqeshi buza diku në një cep të ekranit të kompjuterit, atë Zuk që dukej si një mizë që nënqeshte, kurse në të vërtetë qe një bina burrë që mezi e nxinin për së gjëri dyert e godinave të kampusit …
    Pastaj Meredith vijoi të na thoshte se si i kishte ndjekur nja dy mosmarrëveshje për shkak të ngjyrës së lëkurës, por unë ende nuk mora vesh asgjë .
    Erdhi një çast që i thashë vetes: o tutkun ç’të duhet ty që e vret mendjen kaq shumë? Ajo po ushtron nga shtëpia e vet online fantazinë për të pajtuar njerëzit që ndonjëhere kanë mosmarrëveshje jashtë shtëpisë së saj, ti habitesh se si mund të bëhet një gjë e tillë…
       Kanë ardhur kohë të reja dhe unë shumë gjëra nuk i marr vesh. Unë jam mësuar t’i prek gjërat me dorë, sepse edhe gjyshja më pati thënë një ditë se prekja është shqisa më e vlertë e njeriut. Dhe këtë gjyshja ma kishte thënë kur ajo ishte verbuar.
     O Zot, a thua jam verbuar edhe unë, e nuk e di ?!

ObserverKult