Ka 15 vjet, ku çdo tre muaj të vitit, në sezonin e dimrit, në çdo të dytën javë më kaplon një torturë e tmerrshme ndjesie dhe një luftë me veten saqë shpesh ndiej një frikë aq të ftohtë sikur humbas në kanalet më të errëta dhe shoh veten të mundur. Kjo torturë shpirtërore më vije kur kaloj pranë një luleje që herë më ngjall kujtime, herë dashuri, herë mëri, e herë dëshpërim. Shpesh më mbushen sytë me lot dhe ndiej dhembshuri të skajshme kur e shikoj nga afër.
Kësaj radhe seç mu çorodit mendja për një gjë që kurrë se kisha bërë më herët. Ndjeva frikë nga vetja, po më joshte lulja prej gjethesh gjelbëroshe, me gjatësi mesatare, në një saksi plastike ngjyrë kafeje, së cilës ia pata mësuar edhe emrin dikur, në një kohë krejt ndryshe, në rrethana krejt tjera; mes lulesh me ngjyra njoha emrin e saj, “po, po, e dija” e quanin “druri i jetës”, për këtë isha e sigurt, prandaj më tundonte mendjen dhe kisha një dëshirë që kurrë s’e kisha përjetuar më herët.
Sa herë kaloja në korridorin në fund të shkallëve mendja më shkonte ta merrja dhe të ikja me gjithë të, domethënë ta vidhja, s’ka gjë, më rëndësi është që këtë lule ta kem për vete…, “ta mbaj në shtëpi”. Përkundër që nuk isha ndonjë e pasionuar pas luleve, ja që kjo ma rrëmbeu shpirtin dhe sa herë e shihja më këpuste një copë jete.
Nganjëherë më shkonte mendja të trokas në derën ku pranë saj qëndronte lulja. Por më mungonte guximi dhe s’kisha forcë ta bëja. Koka ime paragjykuese prodhonte miliona mendime dhe përgjigje të pafundme që s’shkonin se s’shkonin në favorin tim: “Jo, jo, nuk mund ta jap lulen” – dëgjoheshin zëra brenda meje. “Nuk ka asnjë pip” – pillte tjetër mendim truri im. “Nuk ta jap, largohuuu”…- vinte britma tjetër, prandaj, mes paragjykimesh, torturash e ëndërrimesh që lulja të bëhej e imja, kaloja pa hequr sytë nga druri i jetës dhe e ndieja zemrën time të thyer, oh… sa shumë të thyer, të bërë copë e thërrime dhe thosha me vete: “Zot është mirë që zemra nuk është nga qelqi për ndryshe moti do të ishte copëtuar.”
Kështu duke bluar në mendje, e munduar shpirtin, kaloja katër katet, me shpresën se do ta shoh edhe kësaj radhe lulen në korridorin e katit të katërt, për të cilën nuk dinte askush tjetër. E sot kur kalova pranë saj e pashë që ishte rritur, kishte lëshuar shtat, gjethe kishte më shumë, por disi ishte zverdhur, nuk e kishte gjallërinë e lules që e shihja më parë, nuk ngjante në lulen që vërtitej në kokën time.
Kësaj here pata aq shumë mall dhe mungesë, sepse lulja e katit të katërt ngjasonte me lulen e fundit të cilën e pata blerë për nënën time.
Nga gjithë mendimet e këqija që ta vjedhë dhe marr me vete e vetmja padrejtësi që bëra është fotografia pa autorizim, e lulja qëndron ende në korridor…
————-
LEXO EDHE: TREGIM NGA SHKURTË KADRIU ÇITAKU: INTERVISTA