Pasi që u është matur temperatura, mysafirët e “DAM”-it janë ulur në karriget e shpërndara nëpër hapësirën e teatrit “ODA”. Pas çdo 30 minutave salla është zbrazur dhe nëpër të njëjtën procedurë kanë kaluar mysafirët e radhës.
Kështu ka ndodhur tri herë të dielën pasi që në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, “DAM”, janë mbajtur tri minikoncerte. Ebru Jilta në vokal e kitarë solli këngë nga vende të ndryshme e të largëta në gjuhën turke dhe këngë të vjetra në gjuhën shqipe. Pas saj kitaristja Tringa Sadiku e dërgoi publikun në një udhëtim muzikor që nisi me periudhën e Barokut e përfundoi me vepra moderne. Një udhëtim nëpër epoka të ndryshme solli edhe treshja që erdhi më pas: sopranoja Kaltrina Miftari, kontratenori Safet Berisha dhe Melos Buza në harpiskord. Por programi i tyre kishte edhe një mision. Përmes muzikës ata theksuan shpresën për rikthim në normalitet apo “rilindjen e skenës muzikore”.
Ebru Jilta ka përfunduar studimet për shkenca politike. Nga ana profesionale qëndron larg muzikës. Mirëpo dashuria për të e bën që shpeshherë të marrë kitarën dhe t’ia thotë këngës. Ani pse nuk ka një shkollim adekuat në këtë fushë nëse nuk llogaritet shkolla e mesme, lehtësisht mund të thuhet se ajo është autodidakte. Sidoqoftë, me qetësi të ëmbël këndon në gjuhën turke dhe shqipe. Të dyja i vijnë natyrshëm pasi që me prejardhje është nga Turqia, por është lindur dhe e rritur në Kosovë.
Jilta, e cila në të mesmen studio për kitarë dhe solfexh, ka thënë se ka dëshirë që të dëgjojë këngë që janë në gjuhë të tjera dhe njëkohësisht t’i këndojë ato.
“Në Kosovë jetojnë njerëz që kanë kultura të ndryshme dhe kam dëshirë që të këndoj këngë që janë në gjuhën shqipe, turke apo edhe në gjuhë të tjera”, ka thënë ajo. Koncertin e nisi me këngën “Rrugës i trishtuar”, kënduar fillimisht në turqisht me titull “Caddelerde Ruzgar”. Në mesin e këngëve të tjera që solli ishte edhe “Nazende Sevgilim”, “Kur e përcolla ylberin”, “Yigidim Aslanim”, “Me lule të bukura”, “Shkodra ka plot dashni”, “Yalgizam”, transmeton ‘koha.net’.
“’Rrugës i trishtuar’ është një këngë që e dinë njerëzit jo vetëm në Kosovë e në Turqi, por edhe në vendet e tjera. Pastaj kënga ‘Yalgizma’ është nga Azerbajxhani e në shqip njihet si ‘Shkodra ka plot dashni’. Pra një kombinim i këngëve turqisht dhe shqip”, ka thënë ajo.
Kalimi nga një gjuhë në tjetrën ia ka kujtuar publikut rëndësinë e shkëmbimeve kulturore dhe të eksplorimit të kulturave të ndryshme. Së paku, kështu ishte për 22-vjeçaren nga Skenderaj, Afrore Ismaili, që ishte e pranishme në këtë koncert.