Nga Majlinda Nana Rama
Të vihesh përballë pyetjes se cilat janë tri veprat letrare më të rëndësishme, që mund t’ua sugjeroje edhe të tjerëve, duket një frymëmarrje ngushtuese, për shkak se, menjëherë vihesh përballë autorëve dhe kryeveprave të shumta nëpër shekuj. Edhe pse kërkohen vetëm tri vepra, padyshim që në mendje të vërshojnë emra e tituj që i parapëlqen, që i do njësoj e që të krijojnë komoditet dhe bindje se kudo që ta vendosësh dorën, nuk do të gabosh për ta sugjeruar si lexim.
Të parin rekomandim, sidomos për lexuesin e ri, do ta nisja me veprën “Iliada” të më të madhit shkrimtar të të gjitha kohërave, Homerit. Përmes boshtit narrativ epik dhe degëzimeve fabulare, Homeri nuk ka lënë asnjë refleks, pasion apo emocion njerëzor, pa e ballafaquar me sfida universale dhe të përjetshme. Në këtë kryevepër të letërsisë botërore (njësoj si edhe te “Odisea”) realiteti si univers jetësor, vjen – mozaik bëmash, karakteresh e personazhesh, ndër më vitalet dhe më të qëndrueshmet për njerëzimin… Gjenitë e rrëfimit letrar pas Homerit, që nga Eskili, Sofokliu, Euripidi e deri në ditët tona, e kanë konsideruar veten nxënës deri në përulje të kryegjeniut Homer.
Gjithnjë në këtë sërë, do të rekomandoja edhe veprën monumentale të Servantesit, “Don Kishoti i Mancës” që është i pashtershëm në ngasje. Një vepër humaniste që ngre himn mbi vlerat morale të individit dhe bëhet model i botës që ëndërron, por edhe që beson në përsosjen e njeriut dhe njerëzimit. Vetë Don Kishoti (tragjik i vetvetes dhe komik për të tjerët) është një shpirt fisnik, ëndërrimtar që lufton në emër të drejtësisë, me aq pasion saqë humb nocionin e kohës dhe realitetit. Me një botë imagjinare – pjellë e mendjes së vet, ky personazh, rraskapitet dhe, çdo “luftë” të tij, nuk e bën për përfitime personale, por që njerëzit të jetojnë në një botë të përsosur. Servantes, në këtë vepër ka ditur të sjellë forma nga më komiket e më të paimagjinueshmet, duke goditur veset e shoqërisë mesjetare e konservatore të shoqërisë spanjolle. Po ashtu, edhe Sanço Pançoja, megjithëse parazitar, paraqitet po aq njerëzor sa i zoti dhe po aq iluzionist sa ai. Një roman që, sa herë të lexohet, aq herë mbetet libër i hapur për të kuptuar, nëse heroi i saj duhet parë si një personazh qesharak apo si një idealist i dështuar, një dilemë universale që i përket çdo kohe.
Do ta vijoja sugjerimin tim me kryeveprën botërore të autorit rus L. Tolstoi, “Ana Karenina”. Një vepër aktuale, që na lidh, sot e kësaj dite me drama shpirtërore e shoqërore të njeriut që dashuron pa kufi, por që trysnohet dhe anatemohet nga shoqëria moraliste e meskine. “Ana Karenina” është vepër që paraqet thelbin e raporteve të thella mes familjes dhe shoqërisë. Dashuria e protagonistes me kontin Vronski mbetet një dashuri që nuk arrin ta marrë asnjëherë miratimin e shoqërisë ruse, duke u kthyer në tragjike. Ana, e martuar, nis të bëhet viktimë e dashurisë së saj. Çdo ditë e më shumë, ajo bie pre e presioneve të normave shoqërore, duke u artikuluar si tradhtare dhe kurorëshkelëse. E vënë përballë dy zgjedhjeve të mëdha, dashurisë për familjen dhe dashurisë për personin e ëndrrave, Ana ndjek zemrën… Me mijëra Ana vazhdojnë të enden nëpër kësi dilemash, mes ndjenjës universale të dashurisë dhe asaj sublimes për personin e zemrës dhe, po përsëri, kemi Ana që ikin në përjetësi për të njëjtat arsye.
Por, nëse do më lejonit, do të sugjeroja shkurt edhe “Hamletin” e Shekspirtit, si vepër që do të vazhdojë të nxisë pafund dialog, me brezni shekujsh apo “Vëllezërit Karamazovë” të Dostojevskit, që të çon në mendime, si një vepër që procedon thellësive psikologjike të qenies, por edhe veprën “Pylli Norvegjez” të shkrimtarit japonez, Murakam, që ka në qendër, po ashtu, humanizmin dhe dashurinë njerëzore, apo veprën “Zoti President” të nobelistit M. Asturias, që është një nga kryeveprat botërore që portretizon diktaturën. Ndoshta, në këtë tematikë, lirisht mund të konsiderohet vepra e majave romanore, etj.
Lista mund të ishte e gjatë, pasi ka shumë vepra dhe autorë që, secili nga këndi i vet, mbetet i papërsëritshëm. Janë me qindra vepra që, nëpër kohë, kanë luajtur rol të rëndësishëm në orientimin e botës njerëzore drejt qytetërimit e humanes. Nivele të këtij formati, fatmirësisht kemi edhe në letërsinë tonë kombëtare. / ObserverKult