Tronditëse: “O më vratë”- thirrja dëshpëruese e të riut që u vra në përpjekje për t’u arratisur nga Shqipëria

Foto ilustrim

Vrasja e parë në kufi mban datën: 2 shkurt 1990. Është një i ri, që në tentativë dëshpëruese për t’u arratisur është qëlluar nga ushtarët duke gjetur vdekjen, ndërsa ka kërkuar të mos vritet. Dëshmia tronditëse është nxjerrë nga Arkivat e Ministrisë së Brendshme, prej studiuesit Kastriot Dervishi, para pak viteve. Dervishi na ka sjellë këtë raport të plotë të ngjarjes nga një njoftim nxjerrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Vrasja e parë në kufi mban datën: 2 shkurt 1990. Është një i ri, që në tentativë dëshpëruese për t’u arratisur është qëlluar nga ushtarët duke gjetur vdekjen, ndërsa ka kërkuar të mos vritet. Dëshmia tronditëse është nxjerrë nga Arkivat e Ministrisë së Brendshme, prej studiuesit Kastriot Dervishi, para pak viteve.

Dervishi na ka sjellë këtë raport të plotë të ngjarjes nga një njoftim nxjerrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme:

“Përgjatë gjithë vitit 1990 në të gjithë kurin shtetëror të Shqipërisë repartet e kurit vranë shumë qytetarë që u orvatën të largoheshin nga vendi. Vrasja e parë është shënuar më 3 shkurt 1990 në postën kutare të Rehovës në Rrethin e Kolonjës.

Kjo ngjarje është raportuar kështu në komunikatën nr.28, date 3.2.1990 të Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Më datën 2.2.1990, rreth orës 24.00 njësiti i shërbimit i postës kutare

Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje me tre shkelës të kurit nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirian Ismail Zari, vjeç 30. Dy shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave, në orën 5.00 të datës 3.2.1990, u kap Agim Ismail Zari – vëllai i të parit. Vazhdon kërkimi për kapjen e të tretit që është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja, banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm”.

Ushtar Albani, i cili ishte në shërbim së bashku me ushtar Astritin, i pyetur në hetuesi një ditë pas vrasjes dha këtë dëshmi ndër të tjera: “Në këtë kohë desh të largohej edhe ai që ishte i pari.

Në këtë moment neve të dy qëlluam në drejtim të tij. Me qenë se e goditëm, ai u rrëzua dhe tha: O më vratë. Sa dëgjuan krismën e automatikëve tanë, ata të dy u larguan me vrap poshtë.

Astriti i ndoqi ata. Unë pashë personin që kishim qëlluar, i cili kishte vdekur.

Pasi u sigurova që kishte vdekur, kalova në bllokim të kurit, të mos kalonin ata të dy.

Unë di të them se ai që vramë ishte i pari dhe dy të tjerët, ishin pas tij, rreth 3 – 4 metra larg njëri – tjetrit. Pas pak erdhi njësiti tjetër për ndihmë. Unë di të them se ata të dy që nuk i vramë ikën poshtë në drejtim të fshatit Starje”.

Fotografia tregon viktimën Ilirian Zari, ushtarët që kryen krimin dhe hetuesit që qëndrojnë sipër të vrarit me duar në xhepa gjatë procesit të përpilimit të dokumentacionit se ushtarët vepruan siç duhej”.

Ndërsa në albumin “Terrori komunist në Shqipëri”, mes të tjerash sjell edhe një numër dokumentash që zbardhin të vërtetën e vrasjeve të qindra shqiptaëve që tentonin të arratiseshin nga Shqipëria gjatë viteve të fundit të diktaturës komuniste. Më poshte po paraqesim dy prej këtyre dokumentave:

Fjala e anëtarit të Byrosë Politike  Simon Stefani me zv/ministrat dhe oficerët e komandës së kufirit më 19 mars 1990

Thamë se janë rritur tendencat për arratisje e në disa zona për këto flitet hapët. Këtë situatë nuk duhet ta lejojmë, prandaj ligjet që kemi duhet t’i zbatojmë. Nëse në ndonjë rast është bërë politikë në interes të atdheut e të personit të gënjyer e të çoroditur nga ideologjia borgjeze, kjo nuk do të thotë se do të bëhet vijë.

Ata që do të kalojnë në rrugë të fshehtë, të kalojnë kufirin, do të dënohen në bazë të ligjit dhe nëse nuk do t’u binden kërkesave të kufitarëve, dënimi do të jetë dhe kapital. Këtu nuk duhet të ketë asnjë lëshim e iluzion.

Disa çështje të tjera që edhe mund të lidhen me problemin e mësipërm.

Është e vërtetë që tendenca e arratisjes ka qenë dhe është e mprehtë. Organet tona për këtë tendencë kryejnë një volum të madh pune, në ndjekjen e tyre harxhojnë mjaft kohë, forca, mjete dhe para.

Për këtë tendencë nga viti 1984 e deri tani, janë ndjekur afro 2 mijë vetë, janë arrestuar 398 persona, janë këshilluar e demaskuar 11000 persona të tjerë nga organet e Partisë, të pushtetit dhe degët e punëve të brendshme.

Me gjithë këto masa nga viti 1984 deri në 6-mujorin e parë të vitit 1988 mundën të realizojnë arratisjen jashtë shtetit 354 persona. Veç këtyre u kapën me tentativë për t’u arratisur në zonat kufitare 495 vetë. Që nga çlirimi e deri në vitin e fundit janë arratisur në moshë madhore nga Shqipëria 11.800 vetë.

Shënime të Ministrisë së Punëve të Brendshme

 për zhvillimet në rrethe të ndryshme të Shqipërisë

ERSEKA

-Më darë 2.2.1990, rreth orës 24:00, njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje të tre shkelësve kufiri nga brenda jashtë.

Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirjan Ismail Zari, vjeç 30, banues në Tiranë, roje në depon e armatimit të çetës vullnetare Kinostudio. Dy shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave në orën 05:00, të datës 3.2.90 u kap Agim Ismail Zari, vëllai i të vrarit. Vazhdon kërkimi për kapjen e të tretit, i cili është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja dhe banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm.

SHKODRA

Më datën 14.6.1990, në postën kufitare të Hanit të Hotit, nga kontrolli i kryer në pengesën klon, u konstatua një gropë dhe një granatë dore luftarake. U njoftua posta kufitare e cila nisi njësitin e kontrollit së bashku me qenin kërkues, të cilët ranë në përpjekje me shkelësit e kufirit me drejtim nga brenda jashtë. Njësiti bëri paralajmërim duke qëlluar me armë në ajër, për shkak se nuk u ndalën, qëlloi në drejtim të tyre duke vrarë Pëllumb Pëllumbin nga Shkodra, i pa zënë në punë, ndërsa në orën 01:50, të datës 15.6.90 u kap shkelësi tjetër Marjan Zef Ndoja, nga Shkodra. Vazhdon bllokimi i kësaj zone.

ERSEKA

Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27, banues në Pojan të Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të njëshme me shkelësin e kufirit që u largua në drejtim të paditur në përpjekje me njësitin kufitar të postës Shelegur. Në përpjekjen e orës 8:00, më 10.6.90 u vra në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Fatmir Ismail Duro, vjeç 25, banues në Orman, Pojan i Korçës.

SHKODRA

Më datën 12.6.1990, në postën kufitare Zogaj u asgjësua në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Nin Rok Hoti, vjeç 25, rrobaqepës, banues në Shkodër.

POGRADECI

Më datën 17.7.1990, në sektorin e postës kufitare Peshkëpi, nga njësiti i kontrollit u kap në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Artan Ahmet Kushi, vjeç 16, banues në Elbasan, nxënës, i cili u ndalua.

GJIROKASTRA

Në datën 17.7.1990, ora 11:45, në sektorin e postës kufitare Radat në tentativë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, u kapën dy persona dhe u vra një tjetër: Arjanit Ali Vashaj, vjeç 27, shofer, Shkëlqim Avni Deçaj, vjeç 27, banues në Vlorë, punëtor, të cilët u ndaluan, Muharem Fejzo Velaj, vjeç 25, banues në Klos Mallakastër Fier, kooperativist, i cili u vra nga njësiti pas zbatimit të kërkesave të rregullores për kapjen e tij të gjallë.

SHKODRA

Më datën 18.7 1990, realizuan kalimin e paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Frederik Kol Petraqi, vjeç 25, punëtor dhe Mark Noc Çuçia, vjeç 25, punëtor në peshkim.

Më datën 18.7.1990, u kapën në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Rakip Myftar.

KORÇA

Më datën 18.7.1990, në sektorin e postës kufitare Ponçarë, njësiti i shërbimit në orën 03:05 ra në përpjekje me shkelësit e kufirit Nardi Kujtim Ravolli e Osman Xhakolli, të cilët tentuan t’i merrnin armët njësitit të shërbimit dhe pastaj të realizonin kalimin e kufirit. Njësiti i shërbimit asgjësoi Osmanin dhe plagosi rëndë Nardin.

Vrasjet në kufi, katër të rinjtë

korçarë që u pushkatuan në Rehovë

Platforma kujto.al, ka kujtuar para pak ditësh tjetër ngjarje, që lidhet me vrasjet në kufi të shqiptarëve në vitin 1990. Megjithëse ishte gusht i 1990-ës dhe ndryshimet kishin nisur të ndiheshin, forcat kufitare vrisnin kë donte të kalonte matanë. Historia e 4 të rinjve që iu ndërpre jeta në mes dhe ëndrrat për liri nuk iu realizuan kurrë

Në orët e para të mëngjesit të datës 23 gusht 1990, Sigurimi i Shtetit, kapi dhe pushkatoi pa gjyq katër të rinj nga Korça, të cilët kishin tentuar të arratiseshin. Ata u vranë pasi u larguan nga hoteli në Ersekë ku po qëndronin bashkë me shokët e tjerë nga Erseka. Plani i tyre ishte që të drejtoheshin në kufi me Greqinë për t’i shpëtuar ferrit komunist. Kishin planifikuar të kalonin kufirin në afërsi të postës kufitare të Rehovës. Por ata nuk ia dolën dhe u qëlluan nga njësiti i postës kufitare duke mbetur të vrarë në vend: Petrit Bashkim Ajdini nga Korça, 26 vjeç, Artur Xhevahir Kërcelli nga Korça, 25 vjeç, Niko Stefan Joti nga Erseka, 24 vjeç, Safet Irfan Rrapo nga Erseka, 31 vjeç.

U arrestua Avni Sami Rumi, 27 vjeç nga Kolonja, i cili u dënua me 4 vjet burgim. Realizoi arratisjen vetëm Pandush Thanas Nica, 29 vjeç nga Korça.

Kufoma e Safet Rrapos u gjet më vonë pasi kishte marrë edhe dëmtimet e rënies nga shkëmbi. Si rrallë herë, trupat e pajetë të të rinjve iu kthyen familjeve. Ceremonia e varrimit në Korçë ndaj dy të rinjve u kthye në një demonstratë të fuqishme antikomuniste./standard.al

LEXO EDHE: Dëshmitë e rralla të organizatorit të Revoltës së Spaçit: I ngarkonin në qafë rrotat e vagonit