Tronditëse: Si i ekzekutuan komunistët 988 shqiptarë që tentuan të arratisen

Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

Një dokument tepër sekret i Sigurimit të Shtetit, i publikuar së fundi në Tiranë, e që mban datën 20 nëntor 1990, e nxjerr se që nga viti 1944 e deri në vitin 1989, nga regjimi diktatorial në Shqipëri janë arratisë 13.692 persona, nga të cilët 988 janë vra në përpjekje për ta kaluar kufirin.

Gjysma e tyre, ose 7.211 kishin ikë brenda 15 viteve të para të diktaturës, nga viti 1944 deri në vitin 1959, e 208 prej tyre konsideroheshin kriminelë lufte. Dokumenti mban nënshkrimin e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Hekuran Isai, dhe i drejtohet liderit komunist Ramiz Alia, në detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Madje, ky raport thuhet se i është mbajtë sekret edhe vetë Enver Hoxhës. Raporti erdhi pak kohë mbas ikjes së 4.785 personave në ambasadat perëndimore në Tiranë, në 2 Korrikun e vitit 1990.

Dokumenti po ashtu tregon edhe për 800 persona të tjerë, që mbasi kishin dalë jashtë Shqipërisë në mënyrë të rregullt me pasaportë e me vizë, nuk ishin kthye ma në atdhe. Dokumenti përmend një amnisti të vitit 1959, prej të cilës përfituar një pjesë e të ikurve, si dhe riatdhesimin e vetëm 60 shqiptarëve gjatë 46 viteve të komunizmit.

Në raport ceken gjithashtu edhe një numër i madh i shqiptarëve të arratisur, e që sipas Sigurimit të Shtetit, merren me veprimtari armiqësore kundër Shqipërisë.

Që prej vendosjes së diktaturës komuniste, në vitin 1944, arratisja nga Shqipëria konsiderohej tradhti ndaj atdheut. Ky nen, i cili ishte përfshi në ligjin për arratisjet, u shfuqizua me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë me 8 maj 1990.

Mirëpo pavarësisht këtij shfuqizimi, që e kaloi arratisjen nga vendi jo si tradhti ndaj atdheut, por si kalim i paligjshëm i kufirit, shumë shqiptarë vazhduan me u vra në kufi. Një nga rastet ma skandaloze ishte ai i Pllumb Pllumbit, 17-vjeçar nga Shkodra, që mbasi u vra në përpjekje për me kalua kufirin, më 16 qershor të vitit 1990, u shëtit nëpër krejt qytetin, i lidhur me tela mbi një kamion të hapur të Sigurimit të Shtetit. Komunizmi ishte në frymën e fundit¸e as këto vrasje nuk ia zgjatën ma jetën./Agustin Anila Miraka-standard.al 

ObserverKult

———————————

Lexo edhe:

Kur ia pashë babait qelbin që rridhte nga kyçet e duarve gropë prej hekurave dhe torturave s’mund t’i ndalja lotët…

ObserverKult