Qemal Draçini lindi në Shkodër më 6 mars të 1922. Shkëlqeu si nxënës në Gjimnazin e Shkodrër, ku dhe kaplohet nga idetë komuniste që nisën të shpërndaheshin nga Skënder Luarasi kur u vendos si drejtor i konviktit “Malet tona”.
Në moshën 15-vjeçare vuajti burgim politik, 1938-’39. Dy vjet më pas u burgos nga regjimi fashist në Mbreshtan se dallohej për shoqërimin me Qemal Stafën dhe Emin Durakun. Më 25 qershor 1940 shkruan në ditarin e tij:
“Át Gjergj Fishta më ka kërkue sekretar të tij privat… nuk kam kurrse-si me përfitue prej kësaj rase veç më duhet me renuncue; asgjamangut, ende s’e kam thânë fjalën e fundit.”
E vijon në kryeradhë:
“Fishta më ka falë një «Lahuta e Malcís» me kushtim e autograf”.
Ndoqi studimet në Firence për juridik, 1941-’43. Më 1945 punoi si mësues i letërsisë ekonomisë politike dhe drejtësisë në Tiranë n’institutin “Donika Kastrioti” e Shkodër në Liceun/Gjimnazin, më vonë në Min. e Arsimit e Kulturës për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Sterjo Spassen.
U arrestua më 1946 mbas lëvizjes së Postrribës prej nderimit që gëzonte ndër intelektualët e kohës por edhe pse i kishte braktisë «mëkatet e rinisë».
Vdiq në burg nga torturat më 10 tetor 1947. Dosjet e deklasifikuara të operacionit BGFIEND përcjellin se Qemali preu damarët mbasi pa dëshminë e shkruar me gjak të Musine Kokalarit.
Veprimtaria letrare
Nisi krijimtarinë letrare në poezi e prozë, shquhet në fushën e mendimit letrar në fillim të viteve ’40. Së bashku me Muzafer Pipën themeloi në Tiranë të përmuajshmen kulturoro-letrare “Fryma” më 1944, ku është dhe redaktor. Studimet kritike mbi Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Migjenin, Gaspër Palin, Kolë Mirditën e S. Spassen si dhe autorë të huej dallohen për origjinalitet, erudicion, mprehtësi të gjykimit dhe analizë.
Një pjesë e veprës së tij u dogj e asgjësua nga diktatura, ndërsa familja e tij mundi të shpëtonte fare pak pjesë të kësaj vepre.
Studiuesi Bushati nënvizon faktin se krijimtaria e mbetur në dorëshkrim, së bashku me krejt arkivin e Qemal Draçinit u ruajt për 50 vite në fshehtësi të madhe në sajë të përkushtimit të të vëllait, “Mësuesit të Popullit” Enver Draçini.
Libri “Era” i botuar me 1995 përmban një pjesë të krijimtarisë së Qemal Draçinit. Pjesë e arkivit të ruajtur nga familjarët e Qemal Draçinit janë dhe “Ditarët”, shtatë fletore.
Studiuesi Bushati ka bërë një studim të hollësishëm të këtyre ditarëve ku shpalosen mjaft qartë vlerat Qemal Draçinit si intelektual i kompletuar dhe si shkrimtar.
Gjatë studimit të këtyre ditarëve Bushati vëren se fletorja e parë fillon më 14 maj 1939, një ditë pasi ka dalë nga burgu i Mbreshtanit, kurse ditari i fundit, një bllok i vogël shënimesh, fillon më 10 shtator 1945 dhe nuk vazhdon përtej datës 1 maj 1946, tre-katër muaj para arrestimit.
Ditarët e një të riu…
Duke bërë një përshkrim të ditarëve, studiuesi Bushati vëren se Qemal Draçini e ka vendosur në ballinën e fletores numër 1, titulluar “Ditar i tinëzive të mija e të Rinis s’ime” një citat në frëngjisht “Se confessant – on croit alléger sa douleur”
(Duke u rrëfyer, njeriu beson se lehtëson vuajtjet e veta). Në fletoren numër 2, krahas citatit të mësipërm, autori e ka zgjeruar “kushtimin” në këtë trajtë: “Ditar i tinëzive të mija – Pasqyrë ku u feksue drita e shpirtit tim të ri – Shok i padam, që m’u gjete përore ndër derte e travajë të mija; – Gjithçka ndër këto radhë shfryeshëm unë shkrova, besimi e uzdatja e jote mue ma frymëzuene! Ty, unë t’u çila, siç hap zemrën besimtari mkatnuer para Rrfimit të Kobit të Kryem – Përse edhe unë mkatnova, – përse bana nji faj që, – oh! – kurrë s’falet: Jam mkatnuer!…”
Bushati shprehet se kështu zë fill “seriali” i shtatë ditarëve të Qemal Draçinit, i cili na informon edhe se dy ditarë të mëparshëm janë djegur nga ai vetë si masë paraprake për të zhdukur prova të mundshme akuze në raste bastisjeje apo arrestimi nga ana e xhandarmërisë, pasi ishte në pritmëni arrestimi për veprimtarinë e vet ilegale.
Nga vetë pohimi i mësipërm kuptohet se “seriali” të ketë zënë fill që kur autori ishte një adoleshent 15-16-vjeçar. Kufiza “serial” është fare e rastit, “e gjetur” dhe përdorur këtu vetëm në kontekstin e vazhdimësisë së thjeshtë nga njëra fletore ditari tek tjetra: midis tyre nuk ka asnjë ndarje sipas viteve, sipas tematikës apo ndonjë kriteri tjetër. Kurdo mund të emërtohet edhe në numrin njëjës, “Ditari”, pasi, i njajti – autori, e njajta – përmbajtja.
Sipas Bushatit, shpërndarja ndër shtatë fletore duhet të jetë e lidhur dhe me kushtet kur janë mbajtur shënimet: vite lufte, vite pasigurie, tundime autocensure. Fletoret e shkëputura, mesatarisht prej 150-190 faqesh paraqisnin lehtësi manovrimi, kur Qemali zhvendosej ose kishte sinjalizime të caktuara. Për fat të mirë ato kishin kapakë të fortë dhe shumica i qëndruan, pak a shumë, kohës; bën përjashtim numri 7: një bllok fare i vogël, ku janë shfrytëzuar vetëm 16 faqe.
Në tërësi bëhet fjalë për rreth 930 faqe. Arrestimi i papritur i Qemalit bëri që materiali të mbeste i pasistemuar siç duhej. Familjarët arritën ta fshihnin për 50 vite, por lagështira dhe koha kishin sjellë dëmtimet e rastit: shumë fletë ishin grisur, boja e shkrimit ishte çngjyrosur, duke vështirësuar kështu leximin.
Falë përkushtimit dhe këmbënguljes së të vëllait, ditarët, krahas tërë materialit – krijimtari në dorëshkrim, epistolar, shënime etj. – u sistemuan jo vetëm duke bërë bashkimin e fletëve, por edhe duke ua vënë numrin sipas renditjes, diçka që i vlen shumë çdo studiuesi.
Aty ku ka qenë e nevojshme, “Duke u rrëfyer, njeriu beson se lehtëson vuajtjet e veta” çdo datë është shoqëruar dhe me shënime plotësuese ose të veçanta për të dalluar pjesët më me interes e më me vlerë, në rastin e një botimi të mundshëm, të cilin ai e ëndërronte me tërë shpirt. Gjithashtu, vetë fletoreve, ua janë vënë në ballinë numrat e duhur, nga 1-shi deri te 7-a, shoqëruar me datën e fillimit dhe atë të fundit, në të cilën janë mbajtur shënimet; një plotësim i tillë i vlen çdo të interesuari për t’u orientuar drejt gjatë leximit të materialit.
Për hir të saktësisë së informimit, duhet vënë në dukje dhe përdorimi nga vetë i ndjeri, Enveri, i kapëseve metalike të zakonshme në tre raste. Te fletorja nr. 4, mes fq. 121-125, është bashkangjitur një fletë-format ku, vetë ky, ka përkthyer nga frëngjishtja tekstin e datës 14 maj 1942. Me kapësen e dytë janë fiksuar 6 faqe shkrimi, shkruar italisht nga vetë Qemali, titulluar: “Pagine di diario – Confessions” dhe mbyllet me shënimin: “Firenze- Principio di dicembre, 1941- Mezzanotte”, transmeton ‘konica.al’.
Në rastin e tretë kapësja është përdorur për të bashkangjitur një shkrim dyfaqesh, në shqip, shkruar në Milano më 31 mars 1941, kushtuar ndarjes përfundimtare me bionden gjermane, Marijen. Fletorja nr. 5 përmban një letër të gjatë, në italisht, që fillon më 8 tetor 1943 e vazhdon, me një ndërprerje të shkurtër, deri më 10 nëntor të atij viti. Është shfrytëzuar ditari, sepse për arsye lufte nuk funksiononte posta: përmes kujtimesh të karakterit konfesional, autori ka bërë dhe një analizë të gjatë psikologjike plot reflektime interesante, veçanërisht mbi vdekjen.
Nuk mungon dhe këtu një fletë e kopsitur që përmban një fragment të shkëputur, shkruar shqip nga Qemali ku, përmes 20 radhëve, shprehet shqetësimi i tij për shpirtin që i vuan pse bota s’e kupton ose, në anë tjetër, as ai vetë s’e kupton atë.
Te fletorja nr. 6 të tërheq vëmendjen përpjekja serioze e vëllait të Qemalit për të përkthyer pjesë nga tekstet ose vargjet në italisht ose në frëngjisht: përkthimi është bërë në marzhin e fletëve, pranë e pranë tekstit origjinal ose në një fletë-format bashkangjitur, mbushur cep më cep, me shkrimin e pasigurt të dorës së vet që i dridhej nga sëmundja tinëzare, e cila s’do të vononte ta mposhte plotësisht. Ditari i fundit ndryshon nga homologët e vet: jo më një fletore, por një bllok i përmasave të vogla e pa kapakë, i cili, që në faqen e parë, bart këtë shënim të vetë autorit, në frëngjisht:
“Journal intime – notes et pages d’une vie inconnue; Scutari, le 10 Septembre 1945“ (“Ditar intim – shënime e faqe të një jete të panjohur” – sh. ynë), shoqëruar me citatin e vënë në krye : On se confessant, on croit alléger sa douleur”.
Janë vetë këto shprehje në frëngjisht, ashtu si ato të sa e sa rasteve të mëparshme, që dëshmojnë preferencën e dukshme të autorit për gjuhët e huaja, veçanërisht për italishten e pastaj frëngjishten, pa harruar mjaft citate në gjermanisht. Gjuha e shifrave e konkretizon më së miri këtë dukuri, veçanërisht nga fletorja nr. 4 e tej. Sipas fletoreve, raporti në mes faqeve në shqip dhe atyre në gjuhët e mësipërme, paraqitet si vijon: nr. 4(107:64), nr. 5(144:78), nr. 6(152:144) dhe nr. 7(6:17).
Nderime
Me anë të një peticioni t’inteligjencës e disidencës shkodrane për 45 vjetorin e vrasjes drejtuar Presidentit të Republikës S. Berisha i kërkohej shpallja e Draçinit “Pishtar i lirisë e demokracisë”, shpallja “Martir i Demokracisë” u ba më 1992. Pjesë të veprës së Qemal Draçinit u përmblodhën në vëllimin “Era”, Shkodër ─ 1995. Më 2008 Këshilli Bashkiak i Shkodrës e vlerëson me titullin “Qytetar Nderi”.
————————
LEXO EDHE:
DËSHMI TRONDITËSE: SI MA PUSHKATUAN BASHKËSHORTIN E MA BURGOSËN DJALIN…