Trupa pa kokë dhe të varrosur me fytyrë poshtë, arkeologët zbulojnë vendvarrimin romak

Arkeologët kanë zbuluar 17 trupa pa kokë në 3 varreza romake në Anglinë Lindore – një numër jashtëzakonisht i lartë për të cilin ekspertët mendojnë se ishin rezultat i ekzekutimeve gjyqësore. Perandoria Romake sundoi një pjesë të Britanisë së Madhe për rreth 400 vjet deri në vitin 410 p.e dhe disa qytete ende kanë mure mesjetare të ndërtuara pjesërisht nga fortifikimet romake.

Sipas një studimi hulumtues të botuar në internet nga Cambridge University Press në revistën Britannia, kokat e shumë trupave ishin vendosur në këmbët e tyre dhe disa ishin të gjunjëzuar kur vdiqën. Shumë prej mbetjeve skeletore ishin në gjendje të keqe, por nuk kishin shenja të lëndimeve përveç prerjes së kokës, dëshmi se vdekjet ishin të organizuara, transmeton ‘a2news.com’.

Numri i trupave pa kokë, por edhe i varrimeve me fytyrë poshtë, ishin shumë të larta krahasuar me varrezat e tjera romake në të gjithë Britaninë. Nuk është e qartë pse disa prej trupave ishin të varrosur me fytyrë poshtë, por mendohet se kjo praktikë kryhej për personat që ishin kriminelë ose që familja e tyre kishte turp prej të vdekurit.

Sipas hulumtimit, shumica e skeleteve besohet se u përkisnin të rriturve mbi 25 vjeç, me disa që tregojnë shenja të anemisë dhe prishjes së dhëmbëve. Pesëmbëdhjetë varre përfshinin dhe sende qeramike, të tilla si gota apo edhe një krehër që u gjet në një varr, i cili mund të ketë qenë në flokët e një gruaje, kur asaj iu pre koka.

LEXO EDHE: Pllaka e Epokës së Bronzit mund të jetë harta më e vjetër 3D në Evropë