“Turp, diktaturë”, gazeta daneze: Teatri u rrafshua për t’i liruar vend arkitektit “yll”

“Politiken”: Gjykata Speciale kundër Korrupsionit aktualisht po heton kryeministrin dhe kryebashkiakun për korrupsion

Gazeta daneze “Politiken” dhe gazetari i saj, Jóhann Thór Haahr Hansen ka sjellë dy artikuj lidhur me Bjarke Ingels, duke pasqyruar se çfarë projekti i tij shkaktoi në Shqipëri me shembjen e Teatrit Kombëtar. Këtij artikulli i kanë paraprirë me dhjetëra “email”-e të dërguara nga qytetarë në adresë të Ministrisë së Jashtme të Danimarkës, eurodeputetëve danezë, zyrës arkitektonike “BIG” si dhe Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Danimarkës. Ky shkrim i botuar në gazetën më të madhe daneze “Politike”, me autor Johann Thor Haar Hansen është përkthyer nga Patris Pustina.

Nga “Politiken Danimark”*

Një teatër historik, i denjë për t’u ruajtur është shkatërruar. Protestat masive dhe dhuna policore vijuan. Një proces jotransparent vendimmarrjeje dhe akuza korrupsioni. Projekti i Bjarke Ingels për një Teatër të ri Kombëtar në Shqipëri është kundërshtuar që kur doli nga tryeza e planifikimit, por arkitekti i famshëm danez dhe partnerët e tij kanë qenë dhe mbeten të heshtur mbi këtë çështje.

Në zemrën e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, pranë sheshit “Skënderbej” gjendet Teatri Kombëtar i vendit. Një teatër i stilit modernist Art Deco, i ndërtuar nga italianët në 1939-ën, kur kryeqyteti ishte i pushtuar nga fashistët dhe i konsideruar nga shumë shqiptarë dhe një sërë organizatash ruajtjeje si një monument historiko-kulturor jo vetëm i Shqipërisë, por i Europës në tërësi.
Apo më saktë, ishte.

ÇËSHTJET PROBLEMATIKE PËR ‘BIG

— Takimi me Jair Bolsonaron.

Bjarke Ingels takoi presidentin brazilian, Jair Bolsonaro, në lidhje me një udhëtim kërkimor në Brazilin e Veriut. Kjo solli kritika nga kolegët e tij arkitektë dhe të tjerë që besonin se takimi nënkuptonte miratimin indirekt të pikëpamjeve kontroversiale të Bolsonaros kundrejt personave LGBT dhe popullsisë indigjene të Brazilit. Këtyre akuzave Bjarke Ingels iu përgjigj duke thënë se ai është “arkitekt, jo politikan”.

— “Meka” e re e zbavitjes në Arabinë Saudite

BIG ka projektuar megaprojektin e Arabisë Saudite Qiddiya – një qytezë resort jashtë kryeqytetit Riad. Pas vrasjes makabre të gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Turqi, një sërë studiosh të mëdha i anuluan projektet e planifikuara në Arabinë Saudite. Bjarke Ingels mori në konsideratë të bënte një gjë të ngjashme, por në fund zgjodhi të vazhdonte me projektin e tij.

—Kinemaja “Palads” në Kopenhagen

Tri vite më parë, Bjarke Ingels e përshkroi prishjen e mundshme të kinemasë Palads si “një krim kundër historisë arkitekturore të Kopenhagenit”. Por, sot BIG ka projektuar një version të ri të kinemasë së famshme dhe me sa duket, Bjarke Ingels ka hequr dorë nga kundërshtimi i tij ndaj prishjes së godinës me dekorin shumëngjyrësh të Poul Gernes.

FAKTET

Në orën 4 të mëngjesit të 17 majit, ndërsa Shqipëria ishte nën karantinë si pasojë e koronavirusit, punëtorë bashkie ndezën ekskavatorët dhe filluan prishjen e godinës historike, ndërsa policia largonte me dhunë protestuesit që kishin zënë teatrin në shenjë proteste.

Ndërsa Teatri Kombëtar bashkë me kostumet, veprat e artit dhe objektet brenda tij shndërroheshin në rrënoja, protestuesit bërtisnin “Turp” dhe “Diktaturë” ndaj punëtorëve. Pas shkatërrimit të kryer nga ekskavatorët, hapësira boshe u bë qendër përplasjesh të dhunshme mes policisë, protestuesve dhe politikanëve të opozitës. Të paktën 37 persona u arrestuan, duke përfshirë dhe gruan e Presidentit shqiptar, Ilir Meta. Në mes të gjithë kësaj qëndron danezi Bjarke Ingels dhe firma e tij arkitekturore ‘BIG’. ‘BIG’ ka projektuar teatrin e ri në formë fluture. Çmimi 30 milionë euro. Disa kritikë besojnë se prishja e teatrit është pasojë e dëshirës së qeverisë për një ndërtim prestigjioz nga arkitekti i famshëm danez dhe që edhe Bjarke Ingels mban përgjegjësi për të. Kjo nuk është hera e parë që Bjarke Ingels ka bashkëpunuar me krerë shteti që shihen si problematikë. Ai është pas masterplanit të një resorti në Arabinë Saudite. Gjithashtu, në shkurt, Ingels tërhoqi kritika të shumta nga mediat ndërkombëtare pas takimit të tij me presidentin kontrovers brazilian Jair Bolosonaro. Takimi ndodhi gjatë një udhëtimi kërkimor të Ingels në veriun e Brazilit, ku ai i prezantoi presidentit idetë e tij mbi turizmin i qëndrueshëm dhe u fotografua me të. Mijëra kundërshtarë të prishjes së teatrit kanë protestuar në Tiranë ndaj asaj që qeveria dhe bashkia e qytetit quajnë “rilindje urbane”, por që për qytetarët mban erë korrupsion, hile dhe përpjekje për të shkatërruar të kaluarën dhe trashëgimin kulturore të vendit. “Kjo nuk ka të bëjë më me prishjen e teatrit, por me shkatërrimin e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri. Ne po jetojmë në një diktaturë”, tha një protestues anonim për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është gjithashtu në anën e protestuesve në këtë çështje. “Në errësirën e natës, mafia urdhëroi shkatërrimin e një prej monumenteve historike kulturore më të rrezikuara të Evropës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, shkroi Presidenti Ilir Meta të nesërmen në një video postim në “Facebook” duke treguar ekskavatorët që shkatërrojnë fasadën e ndërtesës së vjetër.

Një ditë pas prishjes, kryeministri Edi Rama ndau imazhe nga Teatri Kombëtar i Bjarke Ingels dhe i quajti protestuesit “ngatërrestarë profesionistë”. “Dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje”, ka shkruar Edi Rama. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lëvdoi teatrin e ‘BIG’ në vitin 2018 gjatë prezantimit të planeve të ndërtimit: “Teatri i ri i projektuar nga ‘BIG’ do të kthehet në xhevahirin e këtyre transformimeve në zemër të kryeqytetit. ‘Flutura’ do të bashkojë artistët, ëndërrimtarët, talentet”.

Por, deri më tani, projekti i ‘BIG’ nuk i ka bashkuar shqiptarët. Përkundrazi, ai ka ngjallur përçarje të mëtejshme politike dhe fillimin e një lëvizjeje aktiviste kundër korrupsionit që pretendohet të ndodhë në mes të pushtetarëve shqiptarë.

Bjarke Ingels dhe ‘BIG’ nuk kanë dashur të intervistohen. Pas një numri pyetjesh të dërguara nga “Politiken” brenda një jave, menaxheri tregtar i kompanisë, Dan Bjerg Jensen, i dërgoi një koment me ‘email’ në emër të BIG: “Gjithmonë ka ndjenja dhe qëndrime të forta që lidhen me një ndërtese, por si arkitektë ne nuk ndërhyjmë në axhendat politike lokale, as nuk mund të komentojmë mbi procese për të cilat ne nuk jemi përgjegjës ose kemi ndikuar”, shkruan Dan Bjerg Jensen.

NJË HUMBJE E MADHE E HISTORISË KULTURORE

Planet për të zëvendësuar Teatrin e vjetër Kombëtar me të riun e Bjarke Ingels, kanë nxitur organizata ruajtje si “Europa Nostra” dhe “Docomomo” të ngrenë zërin.

“Europa Nostra” e kategorizoi Teatrin si një nga shtatë ndërtesat historike më të rrezikuara në Evropë dhe ofroi të ndihmojë në mbledhjen e fondeve për të restauruar ndërtesën në vend të shembjes. “Europa Nostra” e përshkruan ndërtesën si një “shembull unik i arkitekturës moderne italiane”. “Tani jemi duke vlerësuar humbjen historike, arkitektonike dhe kulturore”, – tha Ana Tostões, zëdhënëse e “Docomomo International”.

Teatri i vjetër Kombëtar ishte ndërtuar pjesërisht me materialin populit. Një përzierje unike e çimentos, fibrave të drurit dhe algave me të cilën eksperimentuan italianët në vitet 1930. Gjatë okupimit, populiti mund të prodhohej si panele në Itali dhe të dërgohej në Tiranë për të ulur çmimin dhe për të lehtësuar ndërtimin e shumë ndërtesave të italianëve në Tiranë.

“Ishte me shumë trishtim që dëgjuam që Teatri Kombëtar në Tiranë ishte rrënuar. Aktualisht jemi duke vlerësuar humbjen historike, arkitektonike dhe kulturore”, shkruan International Ana Tostões në një ‘email’ për “Politiken”.

Shikuar përmes spektakleve historike dhe politike, Teatri i vjetër Kombëtar ka pasur një rëndësi të veçantë edhe për shqiptarët. Kjo është ajo ku janë zhvilluar proceset gjyqësore të para në periudhën komuniste pas Luftës së Dytë Botërore, ku kundërshtarët politikë u dënuan me vdekje ose u dërguan në kampe pune.

gazeta danezeeee
gazeta danezeeee
Gazeta Daneze

<►>

Në vitin 1990, hapësira përreth Teatrit ishte gjithashtu një vend grumbullimi për revoltat studentore të Tiranës, të cilat ishin nga shkaqet fillestare të rënies së komunizmit në Shqipëri, një vit më pas. Dhe teatri ishte, deri në fund, një pikë tubimi për kundërshtarët e qeverisë dhe grupet aktiviste.

“Europa Nostra” ka dënuar me forcë prishjen e ndërtesës, një vendim të cilin organizata akuzon bashkinë se ka bërë pas dyerve të mbyllura pa dëgjuar popullin dhe që qëllimisht u ekzekutua në mes të natës, në ditën e fundit të karantinës së koronavirusit në Shqipëri.

“17 maji shënoi një ditë të trishtueshme për trashëgiminë kulturore, demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Evropë”, shkruan “Europa Nostra” në faqen e saj “online”.

PROCESI JOTRANSPARENT

Populli i Shqipërisë nuk është i zemëruar vetëm për humbjen e një pjese të trashëgimisë kulturore. Shumë kritikojnë mungesën e transparencës së projektit dhe veçanërisht gatishmërinë e qeverisë për t’i dorëzuar një pronë të madhe publike një ndërtuesi të pasur. Gjithashtu, mbetet ende e paqartë nëse projekti i Bjarke Ingels ka kaluar një proces tenderi.

Partia Demokratike (PD), partia më e madhe e opozitës në Shqipëri, akuzoi BIG për tri shkelje tetorin e kaluar. Korrupsion pasiv në sektorin privat, bashkëpunimi në ndërtime pa leje dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm mbi zyrtarë shteti. “Qartazi, Bjarke Ingels ka qenë në dijeni se kjo ishte një ofertë e parregullt dhe ka pranuar me dashje ta zbatojë”, tha sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

Megjithatë, një muaj më vonë prokuroria shqiptare hodhi poshtë akuzat me arsyetimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ngritur një padi kundër Bjarke Ingels.

Sipas raportit të fundit të organizatës “Transparency International” mbi korrupsionin këtë vit, Shqipëria është vendi i tretë më i korruptuar në Europë. Sipas organizatës, shkalla e korrupsionit është rritur në pesë vitet e fundit.

Një nga zërat më kritikë është Vincent van Gerven Oei, gazetar i medias së pavarur shqiptare në gjuhën angleze “Exit News”. Ai dhe pesë kolegët e tij kanë mbuluar për disa vite Teatrin Kombëtar.

Vincent van Gerven Oei është përpjekur më kot të marrë ‘BIG’ të flasë për procesin e vendimmarrjes që qëndron pas projektit. U komunikua nga ‘BIG’ dhe nga qeveria që ‘BIG’ kishte fituar një konkurs arkitektonik.

Por, ka qenë e pamundur që “Exit News” ose media të tjera shqiptare të marrin informacion për konkursin, kush tjetër ishte pjesëmarrës dhe kush u ul në juri.

Kur Vincent van Gerven Oei i dërgoi pyetje ‘BIG’, zyra iu referua Këshillit Bashkiak të Tiranës me një shënim se ‘BIG’ kishte nënshkruar një deklaratë konfidencialiteti për bashkinë.

Kjo ishte e çuditshme, sepse këshilli bashkiak nuk kishte kompetencë, pasi toka ishte në pronësi të qeverisë. Dhe në faqen e saj të internetit, ‘BIG’ shkroi se klienti për projektin e teatrit të ri ishte kompania private e ndërtimit “Fusha shpk.”.

“Për mua, dukej sikur nuk kishte ndarje të qarta midis një kompanie private që propozonte një ndërtesë dhe një buxhetit të shtetit”, thotë Vincent van Gervein Oei.

PERSPEKTIVA TË PAQARTA

Në Tiranë, Teatri është zhdukur dhe nuk ka më asnjë plan konkret se kush do të ndërtojë teatrin e Bjarke Ingels apo kush do të paguajë për të.

Një ditë pas shembjes, Këshilli Bashkiak i Tiranës në një deklaratë për shtyp tha se marrëveshja me kompaninë “Fusha shpk.” nuk ekzistonte më. “Fusha” nuk do të jetë në gjendje që ta ndërtojë teatrin me buxhetin e kërkuar dhe në kohën e kërkuar, sipas të gjitha kërkesave teknike të përfaqësuesve të Teatrit Kombëtar. Prandaj, bashkëpunimi publik-privat tani ka rënë.

“Bashkia e Tiranës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të financojë ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, një ikonë për qytetin dhe vendin tonë, me fonde publike. Këshilli i qytetit të Tiranës merr përsipër të ndërtojë teatrin në më pak kohë dhe në respekt të të gjitha kërkesave teknike të kërkuara nga komuniteti i artistëve në Tiranë”, shkruan këshilli i bashkiak në faqen e tij zyrtare. Më tej, këshilli pohon se ndërtimi do të fillojë brenda këtij viti kalendarik, i cili shënon 100-vjetorin e Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë.

Protestat e mëdha në Tiranë kanë vdekur, por kritikat akoma ndjekin vendimin e pushtetarëve shqiptarë për shkatërrimin e teatrit. Gjykata Speciale kundër Korrupsionit aktualisht po heton kryeministrin dhe kryebashkiakun për korrupsion. Ndërsa kundërshtuesit po i kërkojnë vazhdimisht Bjarke Ingels të tërhiqet nga projekti. Si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pohojnë në deklaratat e tyre publike se teatri i Bjarke Ingels do të bëhet realitet. Gazeta “Politike” nuk ka arritur dot të marrë një deklaratë, ose intervistë me përfaqësues të Këshillit Politik.

‘BIG’ nuk pranon të komentojë të ardhmen e projektit me Politiken, por sugjeron që projekti ende qëndron.

“Ne do të punojmë me përkushtim për krijimin e një ndërtese unike, teatri që do të jetë një vend grumbullimi për të gjithë shqiptarët dhe për brezat që vijnë dhe është ambicia jonë që ai të ndikojë kulturën shqiptare në të ardhmen”, shkruan Dan Bjerg Hansen në emër të ‘BIG’. *Marrë nga “Exit News”