Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi dje qëndrestarin dhe martirin antikomunist Sami Dangëllia (13 korrik 1920 – 23 prill 1987).
Sami Dangëllia u mbajt në burg deri në vdekje. Dangëllia konsiderohet një nga njerëzit që ka kryer më shumë vite burg në ish-Lindjen komuniste.
Një i ri, i cili në moshën 20 vjeç është akuzuar se ishte bashkëpunëtor i Ballit Kombëtar, konsiderohet një nga njerëzit që ka kryer më shumë vite burg në ish Lindjen komuniste.
Dangëllia lindi në Menkulas të Korçës. Pas pushtimit të Italisë vazhdon një shkollë ushtarake në këtë vend. Por, e rikthejnë në Shqipëri në vitin 1943.
Periudhë kjo, që u angazhua në luftë kundër pushtuesve me forcat partizane të Brigadës II Sulmuese. Në tetor 1943 – 1 shtator 1944 radhitet në radhët e Ballit Kombëtar, edhe arrestohet nga komunistët për mosbindje.
Në vitet 1942-43 shërben në karabinieri dhe më pas u inkuadrua në radhët e Ballit Kombëtar. Arrestohet në fund të vitit 1944 dhe u dënua në vitin 1945 si “kriminel lufte dhe armik i popullit” me burgim të përjetshëm, punë të detyruar, konfiskim pasurie dhe humbjen e të drejtave qytetare.
Nga ky moment, Sami Dangëllia nuk do të jetonte më asnjë ditë lirie. Në shtator 1954 u lirua nga burgu dhe u vendos në internim në Shtyllas të Fierit.
Në nëntor 1959, Sami Dangëllia arrestohet në pikën kufitare të Nikolicës në Korçë, ku po tentonte të arratisej drejt SHBA nëpërmjet Greqisë së bashku me Haxhi Mekollin.
Dënohet nga Gjykata ushtarake e Tiranës me 25 vjet burg, heqje e te drejtave qytetare dhe konfiskim të pasurisë, ndonëse s’kishte më asnjë lloj pasurie.
Në burg u ridënua me 25 vjet të tjera si fajtor për “pjesëmarrje në organizatë kundër pushtetit, sabotim dhe agjitacion e propagandë” në Revoltën e Spaçit të vitit 1973.
Gjatë zhvendosjes nga reparti i Zejmenit për në repartin e të burgosurve në Shën Vasil të Sarandës, ndërroi jetë më 23 prill 1987.
Gjithsej vuajti 38 vjet burg dhe 5 vjet internim, që përbën dhe kohëzgjatjen më të madhe që një i dënuar ka vuajtur gjatë regjimit komunist.
Rezistenca
I konsideruar, si një nga figurat simbol të rezistencës gjatë regjimit komunist në vendin tonë, për shkak se nuk pranoi që të bashkëpunonte më këtë sistem, Dangëllia nuk përjetoi asnjë zhvillim jashtë dyerve të burgjeve, nga mosha 27 vjeçe deri ditën që vdiq.
“Para viteve 44, kur u kthye nga Italia në ’43 e akuzuan, sepse u rreshtua në radhët e Ballit kombëtar, si një nacionalist i vendosur edhe i spikatur, propagandoi fjalën për liri edhe demokraci.
Propagandonte me të madhe, se komunizmi ishte një antivlerë në botë”, – është shprehur i afërmi Destan Dangëllia.
Sami Dangëllia shfaqi në çdo formë rezistencën e tij që kulmoi në revoltën e Spaçit, më 21-23 maj 1973, ku ishte një nga organizatorët. Historia e një jete jashtë së imagjinueshmes.
Pasi u arrestua në moshën 24 vjeç, Sami Dangëllia, nuk jetoi më asnjë ditë si i lirë. Diktatura e arrestoi. Pastaj e riarrestoi.
Pastaj e riarrestoi edhe një herë. Ai nuk mundi të dalë i gjallë nga qelia. Nuk mundi të veshë mbi trupin e drobitur një rrobë tjetër veç asaj të burgut që e kishte mbajtur për 38 vjet.
Pasi ndërroi jetë, policët e tërhoqën zvarrë, siç kishin bërë edhe kur ishte gjallë, vetëm se atëherë, bashkë me kockat, lëkurën dhe rrobat e burgut, tërhiqnin dhe një shpirt që nuk u nënshtrua kurrë dhe tani nuk mund të nënshtrohej më.
Varrimi u bë nga administrata e burgut, nuk dihet ku u varros.
Arrestimi
Sami Dangëllia u arrestua në fund të vitit 1944 sepse kishte luftuar për gati një vit me forcat e Ballit Kombëtar. Në tetor 1945, Gjykata Ushtarake e Korçës dha për të riun e lindur në fshatin e Menkulasit, dënimin me burgim të përjetshëm.
E çuan nga burgu i Korçës ku e mbajtën pas arrestimit, në Burrel.
Në vitin 1954, doli nga Burgu i Burrelit, ndryshe nga ç’thuhej për këtë burg dhe u dërgua në disa vende internimi.
Atij nuk i mbetej asnjë mundësi tjetër veçse ta shtynte jetën me punën e rëndë të bujqësisë, jo në burg, por përsëri i izoluar, ndaj pas pak vitesh, të vetmet gjatë gjithë kësaj periudhe që nuk i kaloi në burg, vendosi të arratiset.
Nuk shkoi dot më larg sesa fshati Nikolicë i Korçës, ku u arrestua për herë të dytë. Kishte me vete adresat e të afërmve në kontinentin e largët, katër kilogramë biskota dhe me siguri shumë ëndrra.
Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 25 vjet burg.
Edhe me konfiskim pasurie, por u verifikua që ai nuk kishte asnjë lloj pasurie. Ngaqë nëpër dokumentet e përmbarimit nuk shënohen ëndrrat që Sami Dangëllisë iu konfiskuan ditën kur u arrestua.
E megjithatë, sado e pashpresë të ishte bërë jeta për të, ai nuk u dorëzua. Iu rikthye uniformës së burgut, qelive, punës së rëndë, trajtimit çnjerëzor të gardianëve, kushteve mizerabël.
Është një përvojë që të ndryshon jetën nëse kalon edhe pak stinë të vitit në burg, por Sami Dangëllia, ishte i dënuar të kalonte stinë të jetës. Në Burrel, ku e çuan sërish, i vunë nofkën “babagjyshi”.
Pas ca kohe, e transferuan në Spaç. Ishte mbi 50 vjeç kur në burgun e Spaçit shpërtheu revolta e majit të vitit 1973.
Sami Dangëllia ishte një nga protagonistët e saj. Pjesë e zemrës së asaj revolte që nxiti zemrat dhe zërat e rreth një mijë të burgosurve, të thërrisnin kundër pushtetit dhe komunizmit dhe të kërkonin të drejtat e tyre të shkelura me këmbë.
Ditët e revoltës janë quajtur si ditë lirie në burgun e Spaçit, një lirie të rrëmbyer me një guxim të paimagjinueshëm nga duart e tyre që e shtypnin pa mëshirë. Për Samiun ato do të ishin të fundit ditë lirie të jetës.
Revolta
Pas revoltës, ai u gjykua bashkë me organizatorët e tjerë dhe u dënua me 25 vjet burg. Nëse do të kishte ndonjë pasuri, dënimi, edhe i kësaj here, do ia konfiskonte, por Sami Dangëllisë nuk i kishte mbetur pasuri jashtë burgut.
Gjithçka që ai zotëronte, ligjërisht të paktën, ishin paratë e fituara nga puna e rëndë në minierë.
Pasurinë e familjes e kishin sekuestruar. Vëllanë e tij, Enverin, i cili ishte arratisur, e kishin dënuar me burgim të përjetshëm dhe më pas, me pushkatim dhe që nga viti 1956, ai u nuk u kthye më kurrë në Shqipëri dhe nuk patën asnjë lajm.
Prindërit dhe vëllezërit e tjerë i kishin internuar në fshatrat e Fierit, ndërsa Samiun, dukej se nuk do e linin të dilte ndonjëherë nga burgu.
Me vendim nr.1 të Gjykatës së Lartë, në gjyqin e jashtëzakonshëm, katër veta u dënuan me pushkatim dhe tetë, ndër ata Sami Dangëllia, me 25 vite burg.
Djaloshi i burgosur 24 vjeç, mbushi 60 vjeç në burg. Në fund të jetës, por jo ende të dënimit, e çojnë në kampin e Shën Vasilit, ku ai sëmuret dhe ndërron jetë në moshën 67-vjeçare.
Sipas disa dëshmive, Samiu u la të vuante i sëmurë për tri ditë pa u dërguar në spitalin e Sarandës, vetëm pak kilometra larg.
Ai do të shuhej në burg, ku jetoi për 38 vjet që, bashkë me 5 vitet e internimit, formojnë një dënim prej 43 vitesh.
Emri i tij mund të kthehej në një fjalë që shpreh dënimin e gjatë, një jetë të burgosur nga pushteti. Një gjysmëlegjendë.
Një personazh folklori, ngaqë është e vështirë të perceptohet si e vërtetë. Skena më rrënqethëse tregohen edhe sot nga dëshmitarë okularë të asaj kohe.
I burgosuri tërhiqej zvarrë në rrëpirat e Spaçit dhe fshiheshin natën sikur të burgosurin ta kishin gjahun e tyre. Varrosej fshehurazi, larg syrit të të burgosurve dhe vendi i varrimit nuk tregohej deri në vuajtjen e plotë të dënimit.
Këtë fat mizorë pati edhe Dangëllia, që është simboli i qëndrushmërisë ndajë regjimeve, është sfidues ndaj diktaturave. Në eposin tonë do të zërë vendi e personazhit të legjendave./ panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
“NËNË MË FAL, PO VDES! KRIMINELËT MË SAKATOSËN ASHTU SI BËNË ME BABANË”- RRËFIMET E ISH-TË BURGOSURIT POLITIK, NGA SHËNIMET NË MURET E QELISË, TEK TORTURAT…
“Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova të rënda që në moshën më të njomë në skutat e fshehta të shpirtit të tij, lind një farë peshoreje.
Një peshore e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote.
Duke e ndier veten të pafajshëm, ai iu nënshtrua fatit pa bërë zë. Nuk u qa aspak. Ai që s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët”!
Rini e copëtuar
Kushtuar familjes dhe shoqërisë,
Autori
Kujtime
Në qelitë e sigurimit
Qelia ku më mbyllën kishte dimensione 2.5 X 1.5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm dhe përfundonte në 1.5 metra. Koka dhe i gjithë trupi, më dhimbnin.
Nuk e di sa kisha në atë gjendje, kur dëgjova një zë që thërriste, sikur pëshpëriste:
– “Hej, kush jeni”?!
Nuk kisha fuqi të përgjigjesha. U mundova, por u rrëzova përsëri. Thirrja u përsërit. U kapa pas hekurave të dritares së vogël që ndodhej në portë. Dhe munda të ngrihem me mundim.
Në krah të qelisë time, nën shesh pushimin e shkallëve, ndodhej një qeli tjetër, që me timen ishin të vendosura në formën e gërmës ”L“.
Në dritaren e portës së saj, pashë fytyrën e një burri.
– “Ujë”! – i thashë me gjysmë zëri
U mundua të më jepte shtëmën e vogël që kishte, por atë nuk e nxinin hekurat, Atëhere mbushi opingën e tij dhe ma dha. Në fillim ndjeva neveri, të pija ujë, me opingën e një të panjohuri. Mos vallë vinte erë nga djersa e këmbëve të tij? Por etja më detyroi. E piva përnjëherësh. E mbushi përsëri. Dhe e përpiva edhe atë. Uji më gjallëroi. E mbushi për të tretën herë dhe më tha:
– “Laj fytyrën”!
U lava. Ndjeva se uji më solli në jetë. Në këtë kohë më hyri një e dridhur në shtat. Ndoshta po më fillonin ethet. Ai më pa. Mori një batanije dhe ma zgjati nëpërmjet dritares.
– “Merre dhe mbulohu, por kujdes mos të të shohë roja”.
E mora dhe u mbulova. Pas pak më zuri gjumi. U zgjova nga një zhurmë hapash. E vura batanijen në një anë që të mos dukej. Çelësat e portës vringëllitën dhe u shfaq një polic, që fliste me dialekt verior, të trazuar me jugor.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult