U ikja të gjitha gjërave që më çonin te vetja…

kant lumtur


Esmeralda Shpata

Nga: Esmeralda Shpata

Dukja ime e mirë më bën mos ta shoh të shtunën e pushimit djalin me hire. Mirëpo, unë i shpëtoj dukjes me mendje dhe vetëshprehem me pasion për të shtunën e hamendësuar.
E shtunë!
Ai ka ardhur. E ndodhur në një gjendje të tensionuar e të paqartë ai ma kupton hallin dhe më afrohet për të më çliruar. Pulovra e tij njëngjyrëshe nuk është shprehi e qenies së tij, por mua më rri në mendje.

Unë u kam ikur ditëve për njërin në veçanti, i ika dhe ajrit të mbushur me eren e butë të manjolave. U ikja të gjitha gjërave që më çonin te vetja në fakt, ishte pikërisht si një lojë kënaqësie. Kënaqesha që askujt nuk ia tregoja që s’kisha asgjë. Ata kënaqeshin si unë që s’e dinin se ç’kisha. Kështu ndodhi, derisa ai më gjeti.

Më njohu. Ishte më i guximshëm se unë, më kërkoi dorën. U martuam në fshehtësi. Unë kam premtuar se do të jem një vajzë e ndershme me botën. Pa të shtunën!
Nuk është iluzion lidhja ime me djalin, është shprehja e qenies. Mirëpo ne dukemi keq!
Kjo ditë është shumë e vetmuar për ta kaluar vetëm. Ai vjen, e heq pulovrën e tij njëngjyrëshe, ma hedh mua krahëve për të më pushuar të dridhurat. Kështu jam unë.

Bëjmë thashetheme, u largohemi festave popullore, këndojmë, kemi këngën tonë.
I lëmë të gjitha pronat masë, i heqim nga mendja zotërimet tona dhe takohemi. Pa asgjë, ju kemi ikur të gjithave, stiva është mbushur plot me ngarkesat tona. Sa shumë! Zot si i kemi mbajtur?!

Të dy e fshehim të shtunën me kujdes. Gjatë javës, i kemi ndarë me përpikmëri përgjegjësitë. Ngarkohemi, merremi me punët dhe rregullat dhe presim ditën tonë, të shtunën e hamendësuar. Me mollëzat e gishtave prekim qenien mes largësive dhe shkojmë te vetja.
Koha rrjedh, por pa të shtunat.

*Titulli i origjinalit: “Nëpër të shtuna”

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: SI NUK E DESHA ATËHERË… AJO KA IKUR…