U mbajt edicioni i 14-të i Festivalit Mbarëkombëtar “RadioFest”, u ndan edhe çmimet

Nga Blerim Valla

Në Gjakovë, pas 5 viteve mungesë, rikthehet festivali mbarëkombëtar i radiostacioneve shqiptare “Radiofest 14”, festival ky unik në tërë rajonin, i organizuar nga Radio Gjakova.

Radiostacionet nga Kosova, Shqipëria dhe trevat shqiptare edhe këtë vit erdhën në Gjakovë me krijimtarinë e tyre më të re në garën që organizohet në fushën e radioreportazhit, raportit radiofonik dhe të spotit publicitar.

Qëllimi i mbajtjes së këtij manifestimi, është nxitja e gazetarëve, teknikëve dhe stafeve të radiostacioneve për një punë profesionale dhe ofrimit të materialeve atraktive për radio dëgjuesit.

Qëllimi tjetër i projektit është edhe stimulimi dhe shkëmbimi i vlerave radiofonike dhe atyre kulturore si dhe njohja dhe rritja e bashkëpunimit të qytetarëve të shteteve në regjion. Përndryshe, mbajtja e këtij edicioni të 14 të festivalit Radiofest, i bashkohet edhe shënimit të 44-vjetorit të fillimit të punës së Radio Gjakovës.

Ky festival pos programit aristik, ku performuan Kori i grave dhe vajzave “Besa” si dhe nxënësit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” nga Gjakova, pati edhe pjesën zyrtare ku u ndan shumë çmime radiofonike.

Fillimisht u përkujtuan kolegët – gazetarët e njohur të radiove nga mbarë hapësira shqiptare si: Hivzi Krasniqi, Zana Dibra, Vangjel Sako, Halil Gashi dhe Kastriot Shehdadi, që u nderuan me Mirënjohje “Post Mortum” për kontributin e çmuar në edicionet e kaluara të Festivalit Radiofest.

Kurse çmimet që u ndan në këtë edicionin të 14 – të Radiofestit ishin: në fushën e radioreportazhit vendi i parë i takoi Radio Kukësit, në fushën e raportit radiofonik më i miri ishte Radio Lushnja, kurse vendi i parë si spoti më i mirë publicitar i takoi Radio Tiranës.

Si zëri më i mirë radiofonik u zgjodh ai i gazetarit të Radio Shkodrës, Marjo Gjini. Kurse çmimi special i këtij edicioni të 14 të Radiofestit i takoi Radio Gjirokastrës.

Përndryshe Festivali Radiofonik “RadioFest 14” këtë vit është përkrahur dhe mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e KK të Gjakovës.

ObserverKult


Lexo edhe:

MBRËMJE MAGJIKE OPERISTIKE NË GJAKOVË