Ditë të trishta kanë qenë këto dy javët e kaluara për një ndër shkrimtarët që në vendin tonë mund të kenë lindur, jetuar dhe punuar ndonjëherë, Ismail Kadarenë. Motra e tij, Kadrie Kadare ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare, të mërkurën dhe është përcjellë për në banesën e fundit ditën e djeshme në Sharrë. Në moshë të thyer, ajo çka e ka rënduar edhe më tepër gjendjen e redaktores ka qenë humbja e të vëllait, Shahinit.
Burime janë shprehur për Gazetën Shqiptare, se shuarja e Kadrie Kadaresë, e njohur në qarqet letrare si Kakuja, ka ndodhur për shkaqe natyrale. Ka qenë pesha e viteve mbi supet e saj, ajo çka i ka sjellë Kadrie Kadaresë një vdekje të qetë.
Ceremonia mortore ka qenë modeste për shkak të rregullave kundër COVID-19, kanë thënë burimet për Gazetën Shqiptare, teksa kanë konfirmuar se gjatë gjithë kohës janë respektuar me përpikmëri masat kundër përhapjes së virusit.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë vëllai i së ndjerës, Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare. E pranishme ka qenë edhe Alda Bardhyli, një personazh i njohur në botën e librit dhe botimeve. Ka qenë po e njëjta Alda Bardhyli, e cila është pjesë e librit të autorit të madh: “Kohë për rrëfim: dialog me Alda Bardhylin”.
Po të njëjtat burime kanë pohuar se Kadrie Kadare i ka qëndruar pranë gjatë gjithë jetës vëllait së saj, shkrimtarit të famshëm, Ismali Kadaresë. Gjithë dashuria që Kakuja mund të ofronte ka qenë për vëllain dhe letrat, kanë thënë burimet.
Nga ana tjetër, mikesha e saj Nadire Buzo, shkruan se çifti Kadare, është kujdesur për “rebelen” deri në çastet e fundit.
“Do na mungojë Kakuja, mua dhe gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të. Po më fort, vëllait Gjeni dhe Helenës me të cilët kaloi së shumti jetën. Ata u kujdesën fort për rebelen e tyre te dashur. E cila si motra e madhe nuk e përballoi dot humbjen e vëllait të vogël doktor Shahinit. Që kujdesej për të në mungësë të Z. Kadare. Edhe sot u përcoll si një Princeshë, prej të dashurve të saj të zemrës dhe miqve të mirë që nuk i përmbanin dot lotët. Perëndia qoftë me ne, kur prap takohemi!”, shkruan mikesha e saj.
Për ndarjen nga jeta në moshën 85-vjeçare ka reaguar edhe studiuesi Sadik Bejko.
“Sot në moshën 85 vjeç është ndarë nga jeta Kadrie Kadare. Ajo ishte një grua me arsimim të lartë, me kontribute si mësimdhënëse, lektore në Universitet. Ajo ka një kontribut të pavërejtur si korrektore e veprës së Ismail Kadaresë. Ka punuar dhe në disa nga gazetat me të rëndësishme në këto vite të tranzicionit. Korrektore në gazetat Albania, Shekulli, 55. Panorama, Rilindja Demokratike, Mapo. Etj. Sot, Ismail Kadare në intimitet, në heshtje solemne, në rreth të ngushtë familjar, ka përcjellë në varrezat e Sharrës motrën e tij të vetme. Para një muaji u nda nga jeta vëllai i tij, dr Shahin Kadare. Të qoftë dheu i lehtë, Kadrie Kadare. Paqe, prehje e përjetshme për ty”, shkruan ai.
Por, kush ishte Kadrie Kadareja?
Një “rebele” e vërtetë mund të quhet Kadrie Kadareja, pasi natyra për të folur hapur, edhe në kohë si diktatura, i ka krijuar jo pak tensione familjes së saj. Sistemi komunist i kishte hapur edhe dosje, si e dyshuar “Për agjitacion dhe propagandë” apo se u shërbente agjenturave të huaja.
Vetë Kadare është detyruar t’i shkruajë letër diktatorit Enver Hoxha, duke e justifikuar se nuk ishte e kthjellët. E vetmja mënyrë kjo për ta shpëtuar nga dënimet e rënda. Kakuja, siç i thërrisnin miqtë ka qenë një natyrë e tërhequr nga jeta publike, dhe vitet e fundit punoi edhe në shtëpinë botuese “Onufri”.
“Ismaili nuk kishte mënyrë tjetër të më mbronte, përveçse duke sajuar historinë e sëmundjes mendore”. Kështu është shprehur Kadria, e motra e shkrimtarit Ismail Kadare, pas botimit të letrës që i vëllai i dërgonte Enver Hoxhës, në prill të vitit 1980.
Sipas saj, i vëllai u detyrua t’i shkruante këtë letër diktatorit për ta shpëtuar nga ndonjë dënim i mundshëm, në atë valë dënimesh të asaj kohe. Letra e Ismail Kadaresë, që bëri bujë në media gjatë orëve të fundit, duket se nuk është asgjë e re as për Kadrie Kadarenë e as për shkrimtarin Ismail Kadare.
“Po, e kam bërë për ta shpëtuar!”
Rrethe konfidenciale të të dyve e dinë këtë histori prej më shumë se një viti më parë, kur shkrimtari vetë e ka përmendur në tavolina të ndryshme të vërtetën e letrës: “Po, e kam bërë për ta shpëtuar!”. Sikurse arsyetohet edhe prej leximit të letrës së Kadaresë dërguar Enverit, qëllimi është i qartë”.
Vetë motra e Kadaresë, Kadria, asnjëherë nuk ka pranuar të bëhet pjesë e medias, mirëpo frekuentimi i rretheve të gazetarëve, për të, është i pashmangshëm. Prej një jete ka punuar e punon si redaktore në media të ndryshme, prandaj edhe bisedat me ta, edhe për shkak të karakterit të saj deri diku shpërthyes, janë të paevitueshme.
Biseda më e fundit e saj, me ata që ka pasur e ka kolegë, ka qenë pikërisht rreth çështjes së letrës. Përse e ka dërguar Ismail Kadare atë letër tek Enver Hoxha?! Çfarë donte të tregonte?! Kadrie Kadare, apo siç të gjithë e njohin me emrin Kakuja, është e bindur për të vërtetën dhe këtë nuk ngurron ta thotë gjithandej në rrethet e saj të takimeve, sado që për median është e vendosur të mos japë asnjë deklaratë zyrtare.
“Më kanë thirrur në hetuesi pikërisht në kohën kur ishte vala e arrestimeve të ruseve. Njërës prej tyre i kishin gjetur një autograf me emrin tim dhe kaq duhej për të mbërritur tek unë. Ismaili nuk kishte mënyrë tjetër të më mbronte, përveçse duke sajuar historinë e sëmundjes mendore”.
Siç bashkëkohësit e dinë, Kadrie Kadare, si antikomuniste e thekur, nuk i kursente fjalët “e tepruara” antiregjim.
Shpeshherë nuk zgjidhte as vendet ku i thoshte. Prandaj edhe vijimi letrës së shkrimtarit shkruan se “ajo është vetëm një maniake depresive, që i shan të gjithë!”.
Shtrigat” dhe “Krokodili
Sipas ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, , në vitin 1978, Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, mbi bazë të një denoncimi, çeli dy probleme të centralizuara: “Shtrigat” dhe “Krokodili”.
Në thelb të këtyre çështjeve ishte emri i Enver Hoxhës, i zënë me gojë në mënyrë të ashpër edhe për pederastinë e tij nga disa prej personave të implikuar. Çështja përfundoi me disa burgosje, këshillime dhe me një vetëvrasje.
Pjesë e dosjes me emrin “Shtriga” ishte edhe Kadrie Kadare. Sipas Dervishit, përmes dosjes bëhet e njohur se “Kadrie Kadare, lindur më 1937, në Gjirokastër, pedagoge në ILB Kamzë, u vu në përpunim paraprak më 15.7.1978.
Më parë ishte marrë në përpunim aktiv 2A, më 3.11.1976, fillimisht si “agjente e mundshme” në shërbim të zbulimeve të huaja e më pas iu ndryshua tendenca në agjitacion e propagandë, më 4.2.1977.
U këshillua më 3.8.1978. Megjithatë, vazhdonte të bënte agjitacion e propagandë sepse “flet shumë ashpër kundër udhëheqësve të Partisë e të shtetit”. Fjalët e saj ishin, ndër të tjera: “Shteti harxhon valutë për të përkthyer veprat e Enver Hoxhës për t’i botuar jashtë, por bota nuk pyet për to. Vëllai im ia ka hedhur Enver Hoxhës dhe ai është i zoti. Po ndërroi situata, do të mbretërojë me librat e tij”, ka skruar më herët Javanews./gazetashqiptare.al
Lexo edhe: