Shkrimtari i njohur malazez, Jevrem Bërkoviq, fitues i disa çmimeve kombëtare dhe rajonale për vepra të shumta letrare dhe një disident i njohur gjatë luftërave në ish Jugosllavi, vdiq në Podgoricë dje, në moshën 88 vjeç.
Përveç veprës së tij të pasur letrare, Bërkoviq është i njohur për angazhimin e tij për pavarësinë e Malit të Zi gjatë viteve 1990, të cilin ai e kaloi si disident në Zagreb, ku kritikoi ashpër politikat e udhëheqjes së atëhershme malazeze që mbështeste fushatat e Sllobodan Millosheviqit në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Pas kthimit të tij në Malin e Zi, disa muaj pasi pavarësia u votua në një referendum, në vjeshtën e 2006, Bërkoviq i mbijetoi një sulmi para banesës së tij në qendër të qytetit të Podgoricës në të cilin u vra truproja i tij, Srdjan Vojicic.
Bërkoviq lindi në vitin 1933 në Piperi, ku mbaroi shkollën fillore, ndërsa ndoqi shkollën e mesme në Titograd (Podgoricë) dhe Sarajevë, ku u diplomua në Kolegjin e Gazetarisë. Ai publikoi poezitë e tij të para në revistat e kohës në ish-Jugosllavi, si në “Pobjeda”, “Omladinski pokret”, “Stvaranje”,”Zora” dhe “Nin”, para se të transferohej nga Sarajeva në Beograd, ku punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitin 1958, Berkoviq u kthye në Titograd, Podgorica e sotme, ku themeloi disa revista letrare dhe ishte president i Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi dhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Ai ishte edhe redaktor i programit kulturor të Radio Titograd për shumë vite dhe gjithashtu një nga themeluesit e PEN Qendrës Malazeze, Shoqërisë Malazeze të Shkrimtarëve të Pavarur etj. Ai u zgjodh anëtar i korrespodent i Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve në 18 Dhjetor 2015, dhe anëtar i rregullt në 18 Dhjetor 2018.
Është fitues i një serie çmimesh të njohura në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Është nderuar disa herë edhe në Kosovë ./ ObserverKult