U ndalua nga mbretëresha, dokumentari shumë i diskutuar për familjen mbretërore rishfaqet në Youtube

Dokumentari “Familja mbretërore” është rishfaqur në Youtube pasi u ndalua nga mbretëresha Elisabeth rreth 5 dekada më parë.

Familja mbretërore britanike lejoi që kamerat të ndiqnin jetën e tyre të përditshme për afro 1 vit e gjysmë mes 1968-1969. Rezultati ishte një film dokumentar që titullohej thjesht “Familja Mbretërore” dhe që u transmetua në BBC në një mbrëmje qershori të vitit 1969.

Rreth 30 milionë shikues e panë atë kur u transmetua për herë të parë në BBC, dhe 15 milionë shikues të tjerë kur u transmetua një javë më vonë.

Për 110 minuta magjepsëse, britanikët që e kishin parë mbretëreshën dhe familjen e saj si të largët dhe të paprekshëm, provuan një tjetër ndjesi. Familja mbretërore u shfaq si “e zakonshme”, duke ngrënë, duke biseduar dhe duke qeshur, duke hedhur poshtë disa nga mitet që ishin ngritur rreth tyre, transmeton ‘a2news.com’.

Sidoqoftë, dokumentari ngjalli shumë diskutime dhe u përball me kritika për kufizimet e bëra dhe u ndalua nga Mbretëresha në vitin 1972.

Sekretari i pallatit mbretëror tha asokohe se dokumentarit iu vendosën kufizime, sepse nëse familja mbretërore do e bënte këtë gjithmonë, ajo nuk do e kishte më magjinë e saj.