U ndava me prindërit kur isha 1-muajshe, nuk thirra dot kurrë mama!

Historia e pazakontë e Valbona Çoku Mirakës, ndarja me nënën e babain kur ishte vetëm 1-muajshe, internimi në Lushnjë dhe më pas, ritakimi me babain pas 47 vitesh

Çdo mëngjes hidhte sytë tek fotografia e së ëmës e të atit dhe përsëriste shprehjen refren “Mjerë ju që jetoni pa mua”… ishte dhimbja e një fëmije mbetur jetim me nënë e baba gjallë. Valbona Çoku Miraka ishte vetëm 1muajshe, kur i ati i saj, Mentor Çoku u arratis drejt Italisë, ndërsa e ëma u largua pak ditë më pas për kurim, ku mbeti përgjithmonë. Ajo nuk e pa kurrë më me sy foshnjën e saj që la në Tiranë tek e ëma.

“Unë kisha fotografinë e mamit dhe të babit. Çdo mëngjes, thosha: Mjerë ju, si jetoni pa mua. Nuk shikoja çfarë halli kisha vetë, si jetoja vetë. Sidomos, kur u bëra me fëmijë! Tani i kam dy fëmijë në Itali. Vajzën e vogël dhe djalin. Më shkulet zemra kur ikin ata. Mendoj, si kanë bërë prindërit e mi që s’më panë kurrë, nuk i thashë as “mama”, rrëfen Valbona.

Valbona do të rritej jetime nga daja i saj, deri sa të bëhej 16 vjeç, kur regjimi komunist vendos ta internojë vajzën e mitur. Është e pazakontë historia e Valbonës, është dhimbje e madhe jeta e saj. U nda nga prindërit foshnjë. Mamanë nuk e pa më kurrë, ndërsa të atin e takoi pas 47 vitesh. Në kamp, u njoh e u martua me bashkëshortin, Sokol Mirakën e u bë vetë nënë, por për prindërit e saj mbeti gjithmonë foshnjë.

Më poshtë, kujto.al publikon një rrëfim të ndjerë të Valbona Mirakës, dhënë për Kristale Ivezaj për botimin e  AIDSSH-së, Kampi i Tepelenës.

Ndarja me prindërit

“Unë quhem Valbona Çoku. Jam vajza e Mentor Çokut. Babai im ka qenë shumë patriot, ka luftuar për bashkimin e Shqipërisë. Ai ishte nga Ohri, nip i Iliaz Dibrës, kryetar i Lidhjes së Prizrenit. Gjithë familja e tij, gjithë jetën e tyre, punuan, luftuan për këtë vend, që të ishte bashkë. Kur erdhi fundi, humbën edhe eshtrat e gjyshit, patriot i madh, që gjithë jetën e çoi nëpër internime, burgjeve të Turqisë, Serbisë, Maqedonisë. Në vitet 1943-1944, babai, Mentor Çoku ishte deputet i Ohrit dhe i Strugës.

Në ditët e fundit të 1944-ës, më saktë, fillimi i nëntorit 1944, babai u detyrua të largohej, nga ata të fundit që ikën nga Shqipëria, se i ikte koka. Kam qenë vetëm 1muajshe. Nuk mund të na merrte tok me mamanë, sepse një bebe aq e vogël do i prishte punë tërë grupit që iku. Mamaja u bë keq; një grua e re, e bukur. Ikja e burrit e tronditi shumë, e përjetoi dhe u sëmur keq.

Ishin muajt e parë dhe akoma nuk kishin filluar ato gjërat e tmerrshme që ndodhën më pas. Një shok i saj i shkollës që studionte në Korfuz, e ndihmoi dhe i siguroi lejë që të shkonte për kurim. Unë isha njëmuajshe dhe s’mund të më merrte. Më la me gjyshen dhe dajën. Mamaja shkoi dhe nuk dinte a do e takonte babain. U takuan. Më pas, u mbyllën rrugët e ata mbetën atje. Unë mbeta këtu, me një fëmijëri, me thënë të drejtën me halle, si të gjithë. Daja im ishte shumë i pasur, por ia morën të gjitha, deri te plaçkat e shtëpisë. Megjithatë, unë kisha përkëdheljen e gjyshes e të të gjithëve.

Internimi

Kur mbusha 16 vjeç, moshë madhore atëherë, sa kisha mbaruar vitin e 3-të të shkollës pedagogjike, një ditë më thonë: – Ti je internuar në Lushnjë. Them, tani, po më ngatërrojnë me ndonjë tjetër, megjithëse e dija çështjen e prindërve, por nuk më shkonte mendja, si të rinj që lexonim dhe i ndiqnim pak këto punë e dija që ata, njerëzit shumë të rëndësishëm, mund të internohen, jo një kalama. Më prunë makinën te dera. Erdhën më morën vetëm fare. Vetëm se unë isha vajzë e vetme e babait tim! Ata nuk bënë asnjë fëmijë tjetër. Kështu që, unë mbeta gjithmonë vajza e tyre e vetme.

Pashë makinën te dera. Më morën, më çuan në Savër të Lushnjës. Një ndodhi e tmerrshme për mua. Fillova të bërtas, obobobo, o nëna ime. Pashë gjithë komshinjtë që u mblodhën. Më thotë ai që erdhi të më marrë: Mos thuaj, o nëna ime, se për mamanë e babanë po internohesh. Atëherë, thashë, nuk qenka gabim. Qenkam unë tamam ajo që… nejse, më çuan në Lushnjë. Në momentin që më morën në makinë, isha te disa njerëzit tanë. Duhet të merrja dyshek e ku e di unë s’ia kisha idenë. Më thonë, po të çojmë në shtëpi te daja t’i marrësh. Unë, si fëmijë mendoj, t’i çoj te shtëpia e dajës do t’i tmerroj, prandaj u them, – jo, s’ka nevojë, se nuk e kisha idenë fare ku po shkoja. Më në fund, më çuan në Lushnjë. Ndejta nja 2 ditë te një kushërira ime, derisa më erdhën nja dy tesha, një batanije, një dyshek. Më çuan në një kamp, në një fshat të Lushnjes. Në disa fshatra të Lushnjës, sektorë ferme, jo fshatra, kishin kampe internimi. Më çuan në këtë vend, ku ka qenë edhe babai im, më futën në një kazermë, ku çonin beqarët, pa familje. Familjet ishin në baraka, dikush një dhomë, dikush 2 dhoma. Ishte e tmerrshme. Vetëm fare. Baraka ishte mirë, po aty ishte një si magazinë e madhe, që kishte vetëm njerëz beqarë.

“Ajo ditë ka qene e tmerrshme”

Na bënin një apel në mëngjes edhe në darkë, një kapter, që banonte aty, se fshati banohej gjysma nga banorë vendas që punonin në fermë, e gjysma tjetër ishin baraka ku strehoheshin të internuarit. Po ky polic na bënte apelin edhe në darkë, a ishim prezent. Ajo ditë ka qenë e tmerrshme. Në ato 2 ditë që ndejta në Lushnjë, dikush nga njerëzit e mi, më sugjeroi një familje shumë të mirë, ishin të gjithë shumë të mirë, më thanë, do shkosh tek ata, mbase të mbajnë te dhomat e tyre. Kisha shumë turp, por kur e pashë veten atje, u tmerrova, sa i thashë atij policit: A mund të shkoj te ajo familje? Atij i erdhi keq, se s’kishte parë, s’kishte ndodhur ndonjëherë, kurrë që një vajzë vetëm të internohej. Ishin nëna me fëmijë, se baballarët i kishin nëpër burgje, por vetëm fare, kurrë! Dhe me thotë: Nëse të mbajnë, shko. Shkova atje dhe u thashë: A mund të rri me ju? Ajo ishte një grua e moshuar, me tri vajza të mëdha në moshë. Ngaqë i ishte arratisur djali, i kishin sjellë aty. Më thotë, posi, ti do të rrish me ne.

Njerëzit kishin frikë nga arrestimet. Ishte një tmerr kur vinte xhipi i Degës së Brendshme dhe merrte personat. Sa herë u lirohej ndonjë birucë, vinin të arrestonin dikë tjetër. Në një familje arrestuan të zotin e saj. Mbeti vetëm e shoqja me vajzat e vogla. Pas 3 muajve, vjen prapë xhipi i Degës, se do merrte ndonjë tjetër. Vajza e vogël e asaj familjeje shkon vrap tek e ëma dhe i thotë: – Mami erdhi xhipi, se kë do marri. Shyqyr, ne kemi shpëtuar, se babin e morën. Aq ishte tmerruar fëmija.

Lirimi në vitin 1990

Mendova, të blej një pasaportë të heq djalin, se djali 22 vjeç e do fillojë edhe ai me burgje. Akoma nuk na besohej që shpëtuam. Unë me djalin andej, lashë Sokolin me dy vajzat këtu… Nejse, kam shkuar ate natë.

Të dy, me djalin të ngrirë. Kur zbritëm, një gjë e çuditshme më ka ndodh. Në aeroport m’u duk errësirë, s’kishte drita. Fytyra e babit kishte një dritë për mua, pas 47 vjetëve, se baba më la 1-muajshe, unë e kisha parë veç në fotografi, e ishte gjëja e vetmja që unë pashë në gjithë atë grumbull njerëzish!

Mamaja kishte vdekur në 1988. Për dy vjet, nuk e takova dot. Nuk e pashë kurrë. Vdiq e depresuar për fëmijën e vetëm, jo vetëm që nuk e shikonte, por që e kishte në kamp, dhe duke menduar që ishte për faj të saj. Arriti një moment që nuk njihte më kërkënd, 75 vjeç, nuk ishte shumë e vjetër… Babai, për të larguar emocionet e veta, gjithë rrugën në makinë fliste e fliste, dhe unë thoja, po, ky është babi im që flet. Hyra në shtëpi. Ai ndali, hyra vetëm. Kishte vënë një fotografi të mamit përballë dhe një tufë me lule, me një letër “Mirë se erdhe, e zonja e shtëpisë”. Shtëpia m’u duk e errët, e errët. Të nesërmen në mëngjes, më solli gjithë kujtimet e saj. – Këto janë të tuat. Atëherë fillova ta shoh, sa i dashur qenka ky babai im. Shkuam në varreza, i them babit që të rrinte larg, se dëgjohej zëri, nuk e di deri ku…

Më kujtohet, një foto timen, 13 vjeçe, në baletin e shkollës, para internimit, ia kishim dërguar asokohe prindërve të mi në Itali. Unë i kisha vënë një shenjë vetes sime që të më dallonin. Babai më tregoi se prej kësaj fotografie, mamaja kishte ndenjur 3 javë në shtrat. I kish thënë: -Mendo, vajza jonë, ka venë shenjë të tregojë ku është, se ne nuk e njohim akoma. Dhe ishte sëmurur shumë keq. Unë si fëmijë doja t’u tregoja ku jam, por nuk imagjinoja dot atë efekt tek mamaja. Një fëmijë nuk është një mama!

Kalova ditë të mrekullueshme me babain. Pothuaj 80 vjeç dhe në një formë të paparë: i mençur, i ditur, aktiv shumë. Kalova nja 5 vjet e gjysmë shumë të lumtura me të. Dhe më thoshte: Vali, ti je 1 vjeç për mua, sa herë kalonte viti, je 2 vjeç, 3 vjeç dhe kur unë bëra 5 vjeç, ai iku… Vdiq nga zemra, dhe u mbyll ajo histori e tij, histori e rrallë, e trishtueshme.

Intervista e realizuar nga Kristale Ivezaj. Marrë nga “Kampi i Tepelenës” Dëshmitë e të mbijetuarve, Volumi 1, Botim i AIDSSH-së./kujto.al