U promovua kompleti i librave për fëmijë i autorit, Jonuz Fetahaj

Në sallën e madhe të bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë, u zhvillua promovimi i kompletit të librave për fëmijë të autorit të njohur Jonuz Fetahaj, krijues i përkushtuar i letërsisë për fëmijë e të rritur. Kjo ngjarje mblodhi rreth vetes shumë personalitete të njohura të letërsisë, botës akademike dhe politike shqiptare, dashamirë të librit e gazetarë.



Jonuz Fetahaj është emër që është pranishëm në shtypin dhe botimet e Kosovës që nga viti i largët 1963, fillimisht në revistat letrare për fëmijë, më pas në gazetari e dekada me radhë me libra për fëmijë dhe të rritur.

Gjithë këtë veprimtari, Fetahaj e kurorëzoi me botimin e kompletit prej gjashtë veprash nga shtëpia botuese “Ura”, pasuri e vërtetë për bibliotekën dhe një kontribut i rëndësishëm në pasurimin e letërsisë shqipe për fëmijë.

Veprat e tij nuk janë vetëm krijime letrare, por thirrje për t’i kthyer fëmijët drejt leximit, ku ndërlidhen vlerat universale me realitetin e përditshëm të tyre. Përmes fabulave, personazheve të dashur dhe temave të ndjeshme, Fetahaj arrin të ndërtojë ura mes brezave, duke i dhënë letërsisë për fëmijë vend të merituar ne kulturën tonë.



Për librat folën Xhevat Syla, Xhemë Karadaku dhe Kismete Hysenaj, të cilët vlerësuan lart stilin, temat dhe mesazhet edukative që autori përcjell në veprat e tij.

“Letërsia për fëmijë nuk është aspak më e lehtë se ajo për të rritur. Fetahaj ka ndërtuar një univers të veçantë ku çdo vjershë, poemë, tregim apo roman nuk është thjesht histori, por një përjetim emocional që u flet fëmijëve me dashuri dhe respekt”, tha nder të tjera Xhevat Syla.

Kompleti i veprave të tij nga vëllimi i parë deri të i gjashti është dëshmi se Jonuz Fetahaj nuk është një kalimtar në këtë fushë, por një ndërtues i qëndrueshëm i një letërsie që i flet brezave. Ky promovim dëshmoi edhe një herë se libri për fëmijë mbetet bazë e fortë për edukim, zhvillim kreativiteti dhe kultivim të dashurisë për leximin që në moshë të hershme.



Nxënës të shkollës “Xhemail Mustafa” deklamuan pjesë nga krijimtaria e autorit, ndërsa piktori Demush Avdimetaj si bashkëpunëtor i ngushtë për shumë vite në revistën “Pionieri” i dhuroi Fetahajt një vepër të tij.

ObserverKult


Lexo edhe:

BIBLIOTEKA “HIVZI SULEJMANI” SHËNOI DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIBRIT PËR FËMIJË