U promovua libri “Migrime dhe identitete në lëvizje/ Zërat e diasporës shqiptare nga Kosova” i autores, Mimoza Dushi

Nga Blerim Valla

Organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë u bë promovimi i librit të Mimoza Dushi, “Migrime dhe identitete në lëvizje: zërat e diasporës shqiptare nga Kosova” që përfshin një hulumtim interesant dhe intervista me shqiptarët që kanë migruar që nga vitet e ’60 – ta e deri më sot në Evropë dhe në Amerikë.

Në fillim të promovimit fjalën hyrëse e pati kryetari i Shoqatës, Ruzhdi Sefa, i cili mes tjerash tha se: “Prezantimi dhe promovimi i autores Dr. Mimoza Dushi me këtë libër në Gjakovë është një ngjarje e rrallë pasi kemi të bëjmë me një hulumtuese dhe profesoreshë të nivelit të lartë e njohur edhe ndërkombëtarisht. Por po e promovojmë edhe një libër me vlera të mëdha shkencore dhe akademike”.

Skenarin dhe moderimin i këtij promovimi, i cili u mbajt me moton “Ç’duhet t’i kishte ndodhur njeriut në vendin e vet, që ai lirinë ta ndjejë në vend të huaj”, e udhëhoqi Teuta Lama – Hoda, e cila bëri një bashkëbisedim interaktiv me Dushi rreth librit të saj, e ku bëhët fjalë për migrantët shqiptarë nga Kosova që me jetën dhe punën e tyre kanë shkruar histori të paharruara përtej kufijve të Kosovës

Autorja Dushi, mes tjerash gjatë bashkëbisedimit para të pranishmëve ka thenë se bëhët fjalë për një libër i cili për ta shkruar ka marrë një dekadë, për t’u mbushur kështu me shumë të dhëna konkrete për procesin e migrimit, ilustruar me një numër të madh të intervistave. Autorja e librit ka veçuar edhe remitancat nga diaspora, dhe ndryshimin e qasjes në këtë drejtim ndër vite. Sipas saj, libri “Migrime dhe identitete në lëvizje: zërat e diasporës shqiptare nga Kosova”, është një përpjekje për t’i dhënë zë atyre që rrallë herë janë dëgjuar, e të cilët kanë qenë subjekt i hulumtimit të saj.

“Jam shumë e lumtur që vitin 2025 e kam përmbyll me publikimin e monografisë me titull “Migrime dhe identitete në lëvizje: zërat e diasporës shqiptare nga Kosova” pas një punës 10-vjeçare. Libri është ndërtuar mbi intervista me migrantë shqiptarë nga Kosova në Gjermani, Zvicër dhe SHBA, ku rrëfimet dhe përvojat personale të tyre janë në qendër të studimit. Prandaj edhe mban titullin “Zërat e diasporës”. Monografia përfshin të gjitha valët e migrimit nga Kosova, nga vitet ’60 e deri sot, si dhe përvojat e tri gjeneratave të migrantëve, duke trajtuar tema si integrimi, identitetet hibride, familjet transnacionale, komunikimi digjital, perspektivat gjinore dhe rolin e diasporës në zhvillimin e Kosovës”.

Dushi para se të pranishmit e shumtë t’i bënin pyetje rreth librit të saj, ka shprehur një falënderim të veçantë për migrantët shqiptarë që kanë ndarë historitë e tyre e që këto histori pastaj janë përfshirë në librin e saj.

Përndryshe Mimoza Dushi është gjeografe dhe demografe. Në vitin 2009 ka përfunduar doktoraturën në Demografi në Fakultetin e Shkencave Matematikore dhe Natyrore në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Ka udhëhequr projektin mbi migrantët e brendshëm “Integrimi i migrantëve të brendshëm në kryeqytetin e Kosovës”. Që nga viti 1996 punon në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematikore dhe Natyrore, Departamenti i Gjeografisë. Shumica e artikujve të saj janë prezantuar në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare dhe i ka botuar në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare.
Ka përfunduar dy programe Postdoktorale: në Universitetin e Innsbruckut në Austri dhe në atë George Washington University, Uashington DC, SHBA.
Përmes bursave ndërkombëtare ka realizuar qëndrime hulumtuese për migrimin e popullsisë me fokus diasporën tonë, e në veçanti është marrë me regjistrimin në Kosovë ku ajo ka përfshirë aspektin e lindshmërisë. Ka zhvilluar hulumtime përfshirë intervista biografike me migrantë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka kontribuar si eksperte kombëtare për UNFPA dhe Bankën Botërore.
Ky është libri i saj i tretë, pas: ”Lindshmëria” (2006 në bashkautorësi) dhe tjetri “Femra dhe evolucioni i lindshmërisë në Kosovë” (2009).
Aktualisht është koordinatore e programit master në Departamentin e Gjeografisë, në Universitetin e Prishtinës.

ObserverKult


Lexo edhe:

Tri poezi nga Eden Beka: Fjal’t e Babës