U promovua libri monografik “Shqiptarët dhe Serbët – E Vërteta Kundër të Pavërtetës” i autorit Shyqri Nimani

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është promovuar libri monografik “Shqiptarët dhe Serbët – E Vërteta Kundër të Pavërtetës”, nga Shyqri Nimani, bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi në Facebook- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

Ky vëllim monografik, në shqip dhe anglisht, që ka gjithsej 23 kapituj, shqyrton çështje të rëndësishme ndërmjet popullit shqiptar dhe atij serb gjatë shekujve, që zgjojnë interesim të jashtëzakonshëm.

“Autori na ofron kumte për ekzistencën e mjaft kishave të rëndësishme dhe artefakteve të çmueshme që gjenden në vendet fqinje e që historikisht i takonin trojeve etnike shqiptare, duke demaskuar kështu një numër të madh të pavërtetave që serbët i kanë plasuar.
Para shumë të pranishmëve, familjarëve, historianëve, albanologëve, shkrimtarëve, Albani, djali i Shyqri Nimanit, tha se libri ka qenë i përfunduar pak para se babai i tij të ndërronte jetë, dhe tregoi se është libri i tetë i koleksionit të hulumtimit të historisë shqiptare e i parafundit, pasi ka lënë edhe një dorëshkrim tjetër që pritet të botohet së shpejti”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Rreth diskutimit të librit monografik folën historianët Jusuf Buxhovi, Pëllumb Xhufi dhe poeti Lulzim Tafa, të cilët theksuan ky libër demaskon gënjeshtrat hegjemoniste serbe në planin kulturor dhe historik, si dhe krahas materialeve të shumta që ofron, ka sjell dokumente, harta e fotografi të shumta të papublikuara më parë.

Autori i këtij libri ndërroi jetë më 22 qershor 2023 dhe mbetet ndër emrat më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, i cili la pas një pasuri të madhe të veprave të ndryshme shkencore dhe artistike. Ai ishte shkruesi i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Promovimi i monografisë është organizuar nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit.

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA PIKTORI I NJOHUR, SHYQRI NIMANI