reklamë

U promovua monografia kushtuar themelimit të universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës

Në 13-vjetorin e themelimit

Nga: Blerim Valla

Gjakova rikujtoi një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës së saj arsimore dhe kulturore, duke shënuar 13-vjetorin e themelimit të Universitetit Publik “Fehmi Agani”. Në këtë përvjetor simbolik u promovua monografia “Themelimi i Universitetit Publik në Gjakovë – Kontributi i Shoqatës së Intelektualëve ‘Jakova’”, me autor Malush Tullumi, një vepër që dokumenton rrugëtimin e gjatë dhe përpjekjet e intelektualëve gjakovarë për krijimin e një institucioni të arsimit të lartë në këtë qytet me traditë të pasur kulturore.

Aktiviteti u organizua nga Universiteti “Fehmi Agani” në bashkëpunim me Shoqatën e Intelektualëve “Jakova” dhe mblodhi përfaqësues institucionesh, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, profesorë universitarë, studentë dhe shumë personalitete të jetës intelektuale e kulturore. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe familjarë të akademikëve dhe profesorëve të njohur gjakovarë, të cilët me punën dhe vizionin e tyre kontribuan në themelimin e universitetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit “Fehmi Agani”, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, e cilësoi këtë përvjetor si një moment reflektimi për rrugëtimin e universitetit dhe për kontributin e atyre që e bënë të mundur themelimin e tij. Ai theksoi se promovimi i kësaj monografie në ditën e përvjetorit ka një domethënie të veçantë, pasi sjell në kujtesë përpjekjet e intelektualëve dhe të komunitetit për krijimin e një qendre të dijes në Gjakovë.

Rektori Bunjaku kujtoi gjithashtu figurën e akademikut Prof. Dr. Fehmi Agani, emrin e të cilit mban universiteti, duke theksuar se trashëgimia intelektuale dhe kombëtare e këtij personaliteti mbetet një obligim për të vazhduar zhvillimin e universitetit si qendër e dijes, kërkimit shkencor dhe formimit të brezave të rinj.

Në vijim të promovimit, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, foli për rëndësinë e dokumentimit të historisë së përpjekjeve për themelimin e universitetit, duke theksuar se kjo monografi përbën një dëshmi të çmuar për rolin që intelektualët dhe komuniteti qytetar kanë luajtur në zhvillimin arsimor dhe kulturor të rajonit.

Për vlerat e librit folën edhe redaktori i monografisë, publicisti Emin Azemi, dhe recensenti, shkrimtari e studiuesi Lulëzim Logu. Ata theksuan se vepra paraqet një dokument të rëndësishëm historik dhe akademik, i mbështetur në dokumente arkivore, dëshmi dhe analiza që pasqyrojnë në mënyrë kronologjike rrugëtimin institucional dhe qytetar drejt themelimit të universitetit publik në Gjakovë.

Të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Prof. Dr. Ardian Gola, i cili vlerësoi lart kontributin e intelektualëve gjakovarë dhe uroi 13-vjetorin e themelimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Në fjalën e tij, autori i monografisë, Malush Tullumi, falënderoi bashkëpunëtorët dhe institucionet që ndihmuan në realizimin e kësaj vepre, duke e cilësuar dokumentimin e historisë së themelimit të universitetit si një detyrim moral dhe akademik për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Ai theksoi se monografia i kushtohet plejadës së intelektualëve gjakovarë që me vizion dhe përkushtim nxitën nisma të rëndësishme për zhvillimin arsimor dhe kombëtar të qytetit.

Promovimi u përmbyll me dhurimin e disa ekzemplarëve të monografisë për bibliotekën e Universitetit “Fehmi Agani”, si dhe për familjarët e profesorëve dhe intelektualëve të njohur gjakovarë që kontribuan në themelimin e këtij institucioni e që tashmë nuk janë më në mesin tonë.
Kështu, përvjetori i 13-të i universitetit nuk ishte vetëm një shënim simbolik, por edhe një rikthim në kujtesën historike të qytetit, duke nderuar ata që me përkushtim dhe vizion e shndërruan një ide në një institucion të rëndësishëm të dijes dhe arsimit të lartë në Gjakovë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Blerim Valla: Pse u harrua kaq shpejt Ali Podrimja?