Nga Jorgjeta Babliku
…u rritëm me përrallat…, fjetëm me to…dhe ëndrrat i ëmbëlsuam me vazhdimin e tyre…
Një herë e pamë veten të ishim Borëbardhë. Shtriga, sipas rastit, merrte fytyrën e asaj që na kishte mërzitur më shumë atë ditë (ndoshta dhe një ose dy ditë më parë). Kishim edhe një gjahtar që, kujdesshëm, bënte shkëmbimin e zemrës sonë, gjithmonë me dëshirën e mirë për të na mbrojtur, me ndonjë zemër tjetër të ndonjë kafshëze që, në rastin më të zakonshëm, mjaftonte të ishte e butë dhe në atë më ideal, të ishte delikate, e brishtë, e këndshme…
Princi…, ah, princi ishte gjyshja (ndoshta dhe dikush tjetër), ajo që na kishte vënë në gjumë e tani me të njëjtat mashtrime, mjaltë të ëmbla, na zgjonte për në shkollë.
Tjetër herë vetja jonë ishte Aurorë që, bashkë me agimin, jeta e prezantoi, kërcënueshëm edhe me rrezikun. Ishin qielli, hëna, yjet ata që do të shkruanin “historinë” tonë e ndoshta, errësira do konfirmonte fundin e ngjarjes. Po gjyshja (ndoshta dhe dikush tjetër) ishte përsëri aty, një zanë e tretë shpëtimtare që, si dhuratë të çmuar ruante një puthje-bekim për një ditë të bukur.
Si Kësulëkuqe ishim herën tjetër. Epo një natë edhe ne do t’ ia kushtonim njeriut që na qetësoi mendimin, na ushqeu ëndrrën, na zgjoi duke na bërë dhuratë sigurinë e një dite të dlirë. Mbuluar me një pelerinë dashurie e ngarkuar me një shportë mirësie, u bëmë heroina shpëtimtare për gjyshen (ndoshta dhe dikë tjetër).
Si Hirushe flemë shpesh. Pranë një vatre ku zjarri gati shuhet në hi, gatuajmë mëngjeset. Bëjmë kujdes të pastrojmë gjithcka, mbi të gjitha, shpirtin…dhe kuptojmë se, jo vetëm njerka, por edhe ne vetë nuk jemi aq të pamëkat../ObserverKult
Lexo edhe:
ME VETEN U TAKOVA NË RRETHANA, KREJT “NDRYSHE”…
Shumë kanë shkruar për veten…, po s’ ka gjë, unë kam veten time, që është krejtësisht imja dhe, mbetet krejtësisht e veçantë, jo, më mirë, personale (ndoshta këtu qendron sekreti i të qenit “ndryshe”).
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult