reklamë

Udhërrëfyesit turistikë pa licencë ndëshkohen me gjobë

Ministria e Kulturës, Turizmit e Kosovës ka bërë të ditur se udhërrëfyesit turistikë në Kosovë duhet të jenë të licencuar për të ushtruar veprimtarinë e tyre.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po zhvillon inspektime në terren për të verifikuar nëse veprimtaria e udhërrëfyesve turistikë po ushtrohet në përputhje me kërkesat ligjore.

Sipas njoftimit të Ministrisë, rastet e ushtrimit të kësaj veprimtarie pa licencë po ndëshkohen me gjobë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministria u ka bërë thirrje të gjithë personave që aktualisht ushtrojnë këtë veprimtari pa licencë që të kryejnë procesin e licencimit dhe të vazhdojnë punën në mënyrë të rregullt dhe profesionale.

Në njoftim theksohet se një sektor i zhvilluar i turizmit kërkon rregulla të qarta, zbatim të ligjit dhe shërbime cilësore për vizitorët.

Licencimi, sipas Ministrisë, është detyrim ligjor dhe njëkohësisht garanci për një turizëm më profesional në Kosovë.

ObserverKult


Lexo edhe:

U nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, i jepet lamtumira etnologut dhe antropologut- Mark Tirta