“Udhët që më njohin”, ekspozita e radhës në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Galeria Kombëtare e Kosovës ftoi të interesuarit në hapjen e ekspozitës personale “Udhët që më njohin” të artistit Rron Qena, kuruar nga Lulzim Zeqiri. Ekspozita hapet të mërkurën, më 17 korrik, nga ora 19:00.

Rreth krijimtarisë së Rron Qenës

Filozofisë së tij artistike Rron Qena i rri gjithmonë pranë, duke e formuar nga afër karakterin bashkë me veprat e tij. Nga ky qëndrim ai përsosë stilin e shprehjes figurative dhe qasjes së tij origjinale në pikturë. Akti krijues brenda kornizës së pëlhurës, nëpërmjet tregimit të guximshëm personal synon thellësitë e përjetimit, si përvojë, si kujtesë, si ftesë për komunikim ndërnjerëzor. Muza e tij mbetet gjithmonë bindja e tij për të bukurën, si model nga i cili nuk i shmangë sytë.

Kapjet e momenteve plot jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë apriori vrojtime dhe përceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Është reflektimi elokuent karshi motivit dhe elementeve të cilat e bëjnë peisazhin urban, apo pasqyrojnë psikologjinë e portretit në punimet e tij.

Ky observim i kujdesshëm i marrëdhënies së gjatë me hapësirën dhe kohën e forcon intuitën e tij krijuese kudo që ai gjendet. Qasja me qëllim njohje dhe studimi më të thellë të gjuhës së ngjyrave, evoluon në mjeshtëri pikturimi dhe e përbën sintaksën vizuele të pikturës së tij.

Rrugët e Prishtinës, Berlinit, Shkodrës, Bremenit, nuancë pas nuance shtrohen në pëlhurën e tij, për të na shpier në një gjeografi që nuk vijëzon kufi, e cila na merr me vete në udhëtim për të parë dhe ndjerë forcën e imagjinatës dhe pasurinë e botës së artistit.

Në këto udhëkryqe lagjesh e metropolesh përparësi merr fryma e njeriut të lirë, njeriu i cili mezi shihet në labirinthin e qytetit, në mes makinave dhe kaosit, por që e dijmë se diku pas fasadave apo nën hije të parqeve ai vazhdon të shkruaj fatin e tij. Këtij njeriu të lirë pikturat e Rron Qenës i japin shpirt bohemi dhe e nxjerrin jashtë mbrëmjeve të dal me shokët, të hapërojnë të dehur nën ritmin e perkusioneve, udhëve dhe vendeve ku emërtimet nuk kanë rëndësi./express

ObserverKult


Lexo edhe:

NGA 21 DERI MË 28 KORRIK MBAHET FESTIVALI I TEATROVE, “PRIZRENFEST”