Udhëtim përmes leximit: Shqipëria në sytë e një të huaji

(Mendime rreth librit “Shqipëria-Orienti i Europës” të shkrimtarit suedez Sven Auren)*

Shkruan Burim Breznica

Libri “Shqipëria-Orienti i Europës” është publikuar në vitin 1936 në gjuhën suedeze nga i ndjeri Sven Auren. Dhe falë intelektualit z. Adil Biçaku, ky libër është përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe, tashmë i kompletuar edhe me shkrimet e S. Auren nga vizita e tij e fundit në Shqipëri, në vitin 1968. Auren ishte gazetar dhe shkrimtar i shquar suedez që ka shkruar 55 vepra, shumica prej tyre me shënime dhe mbresa udhëtimi.

Autori Auren kishte njohur një shqiptar në Paris në moshë të re dhe kishte vizituar Tiranën, ku kishte qëndruar një javë. Ajo vizitë i kishte lënë përshtypje të forta, prandaj në vitet 1930-ta kishte ardhur prapë në Shqipëri për të shkruar një libër mbi vendin e shqiponjave.

Vlen të theksohet se Auren e njeh mirë historinë, interesat e fuqive të mëdha të asaj kohe dhe gjeopolitikën evropiane. Ai shkruan se historia e Shqipërisë është shumë e lashtë dhe mbretëritë ilire ishin të njohura dhe ishin para romakëve dhe grekëve, këtë e thekson psh. kur ishte duke udhëtuar në rrugën e njohur dhe të lashtë Via Egnatia. Ai përmend mbretërit Agron, mbretëreshën Teuta, mbretin Gent, por edhe mbretërinë e mollosëve në jug. Ai shkruan për fitoren e Pirros dhe luftën me elefantë. Ai shkruan për Skënderbeun dhe luftën e tij kundër pushtuesve osman. Skenderbeu thotë ai është simboli i kuptimit të kombit, për heroizmin dhe çdo gjë me të cilën krenohen shqiptarët.

Autori thekson se fuqitë e mëdha të botës zgjodhën pikërisht këtë vendin e vogël malor si vend spektakli për konfliktet e tyre ushtarake dhe fetare. Italia është një specialiste e vjetër për të peshkuar në ujëra të turbullta (f. 31). Por të huajt nuk arritën kurrë t´i tjetërsojnë shqiptarët, sepse ata gjithmonë kanë luftuar dhe për herë të parë ëndrra e lirisë erdhi pas shpalljes së pavarësisë më 1912, dhe u realizua praktikisht me ardhjen në pushtet të Mbretit Zog, thekson Auren.

Auren mendon se malësori shqiptar është nervi dhe forca e vendit. Ja si e përshkruan ai ardhjen e tij në Shqipëri në atë kohë: ”përballë meje, befas më shfaqet piktura e natyrës shqiptare, e paimagjinueshme, mahnitëse” (f. 11). ”Pukëvilli (konsull francez) ishte i pari që e quajti Shqipërinë – Zvicër të Ballkanit. Në të vërtetë kjo natyrë nuk ka asgjë të ngjashme me bukuritë si kartolina të Zvicrës, me atë kontrast idilik midis majave të alpeve si topa sheqeri dhe gjelbërimit intensiv me shtëpi të këndshme si të kukullave. Këtu çdo gjë është thjesht natyrale, e virgjër”(f. 13-14).

Kryeqyteti Tirana (me 31 000 banorë) është një shoqëri me kontrastet e ndryshme midis lindjes dhe perëndimit. Kafet e Tiranës janë të mbushura me qiejt më të dendur të tymit të duhanit që unë ndonjëherë kam parë. Por janë njerëzit, banorët e Tiranës, që i dhurojnë asaj gjithë atë forcë magjepsëse të rrallë, thjeshtësinë, shpesh naivë, por gjithmonë aristokratë dhe simpatikë (f.66). Neve u befasuam edhe nga jeta intensive në rrugë. Në këtë pikëpamje Tirana është më e madhe se Stokholmi (f. 78).

”Kundrejt meje është ulur prefekti i Tiranës, Rexhep Jella. Ai ka banuar një kohë në Oksford dhe adhuron gjithçka angleze. Vishet si anglez, tymos me llullë si anglezët dhe e ka ndërtuar shtëpinë në stilin anglez” (f. 146).

”Jo larg Zotëri Jellës është ulur një bajraktar, që ka zbritur nga malet e Veriut. Ju falenderoj, o perëndi lart në qiell, që keni lënë vend edhe për burra të tillë në Europën e kapeleve republikë të kostumeve standarde” (f. 175).

Auren mendon se kafja dhe duhani janë shumë të rëndësishme në Shqipëri. Kafja e fillon miqësinë thotë ai dhe shqiptarët pijnë shumë kafe. Asnjëherë gjatë vizitës time në Shqipëri, në asnjë lloj forme, nuk jam mashtruar me pagesat. Kontrasti me Italinë është tronditës sepse Italia është vend irritues i mashtrimeve të vogla” (f. 142).

Ka ndonjë shtet tjetër, që e filloi të aplikojë transportin me aeroplanë, vazhdoi me automobila dhe mbaron me karroca kuajsh? Këtë e ka bërë Shqipëria thotë Auren.

Auren shkruan edhe për tolerancën e madhe fetare që ekziston mes tre religjioneve në Shqipëri si vlerë dhe aset kombëtar.

”Elbasani është qytet me rëndësi shpirtërore për Shqipërinë dhe shtrihet në mesin e vendit, atje jetojnë 10 000 banorë dhe ka furnizuar me inteligjencë vendin, ka krijuar shkolla dhe ka përgatitur mësues, ka përbërë bazën e Kongresit Gjuhësor të suksesshëm të vitit 1916” (f. 178, 180).

”Shkodra është një nga qytetet më të bukura (me 30.000 banorë) më interesante dhe më i përmenduri i Ballkanit. Shkodra është si një qytet aristokrat që e sheh me përçmim Tiranën e sapolindur. Atje takon Ernest Koliqin që është zotëri i arsimuar, që flet shumë mirë frengjisht dhe e ka historinë e Shkodrës në pesë gishtat e dorës. Shkodra në sajë të ndikimit katolik gjatë ka luajtur rolin e një oazi intelektual në shkretinën e kulturës së Shqipërisë. Në pazarin e Shkodrës të huajt kalojnë në ekstazë përpara pelerinave të qëndisura me flori, mrekullive të përpunimit të armëve, filigranave të magjishme. Në lashtësi quhej Scodra, liqeni quhej labeatis dhe aty e kishte kryeqendrën mbreti Gent” (f. 225, 227, 228, 234).

”Vlora është një qytet i pasur dhe ka rreth 10.000-12.000 banorë. Porti i shumëvlefshëm i Vlorës u shndërrua në Gjibraltarin e Adriatikut. Shtëpitë janë të bardha, të stilit italian” (f. 306).

”Saranda është qytet i vogël bregdetar me 2000 banorë. Si skelë e qytetit më jugor të Shqipërisë, ajo luan rol shumë të madh tregtar për Epirin shqiptar. Por, unë këtu jam njohur me shqiptarin më simpatik e më të kulturuar, që kam pasur privilegjin ta takoj, me Delvino Beu”(f. 254).

”Butrinti në jug është një senzacion arkeologjik. Butrinti i lashtë, ishte një nga qendrat më të shquara të Epirit për kulturë e tregti. Shqipëria është tokë e pasur, një truall i virgjër, në kuptimin arkeologjik dhe z. L. Ugolini sot për sot është specialisti i vetëm që punon këtu” (f. 275-340).

Prefektët në Shqipëri janë zotërinj të vërtetë, të sjellshëm, të edukuar dhe flasin gjuhë të huaja thotë Auren.

Për Eqrem Bej Vlora, shkruan se ai kishte marrë një edukatë të shkëlqyer në universitetet e huaja dhe ai ishte shtetasi më i evropianizuar i monarkisë (f.150). Sipas Vlorës në vitin 1920 në Shqipëri vetëm 10% të popullsisë dinin shkrim lexim, kurse në vitin 1935-36 shifrat e analfabetizmit kanë rënë në 40%. Në Shqipëri kishte 577 shkolla popullore dhe mbi 1000 mësues dhe mësuese. 20 shkolla të mesme, 6 gjimnaze, 5 shkolla pedagogjike, dhe shkolla të tjera teknike, (f. 153).

Auren shkruan edhe për presionin që Italia i bënte Shqipërisë dhe i kushtëzonte huatë ekonomike, ndërhynte në punët e brendshme etj. Nuk ka asnjë shtet, që interesohet për të në mënyrë që të mundet të kthehet lirshëm nga kthetrat e shantazhit italian. Interesi italian për brigjet shqiptare e ka prejardhjen prej kohës së synimeve ekspansioniste të perandorisë Romake dhe vazhdon edhe sot.

Po çfarë mund të bëjë mbreti Zog? Pjesa më e madhe nga eksporti konsumohet nga Italia. Por, aktin e ekuilibrit që monarku shqiptar ka mbajt dhe mban, është një numër impresionues i artit virtuoz. Kjo tregon se mbreti Zog justifikon një karakteristikë e cila shpesh i ka ra atij për pjesë: koka më e ndritur brenda politikës moderne të Ballkanit, sipas Auren (f. 168).

Kthimi i Sven Auren në Shqipëri në vitin 1968

Auren kishte parë një lajmërim në Paris që po organizoheshin udhëtime me autobus për në Shqipëri dhe ishte interesuar menjëherë. Ambasadat shqiptare ia kishin refuzuar vizën që të hynte në Shqipëri. Ai siguron një pasaportë të re dhe e vë profesionin shkrimtar në vend të gazetar dhe ashtu arrin të sigurojë një vizë për në Shqipëri dhe vjen me një grup të turistëve të tjerë.

Pasi kaluam bregdetin italian shohim vargmalet blu nga qielli, shkruan Auren. Kjo që kemi përpara është Shqipëria: sateliti i Kinës në Europë, republika popullore staliniste e fundit në Europë. Një herë në javë fluturon një firmë italiane në linjën Romë – Tiranë me një aeroplan gjysmë të mbushur.

Shqipëria gjatë gjithë historisë ndodhej në rrugën e konflikteve të mëdha të interesave të fuqive të mëdha. Që shqiptarët, të cilët janë pasardhësit e ilirëve dhe mundën të ruajnë gjuhën dhe zakonet kombëtare është një mrekulli (f.299).

A ka mbetur diçka nga shteti magjepsës Ballkanik?

Në Shqipëri udhëtarët ishin mbretër, ata priteshin si miq të nderuar. Të pasur dhe të varfër konkurronin për t´u hapur dyert, shkëlqenin nga kënaqësia dhe gatishmëria e tyre ishte totale. Shqiptarëve u pëlqente t´i fotografoje dhe na jepnin dhurata e peshqeshe kudo që shkonim. Edhe mbreti Zog, i cili kurrë nuk deshi të quhej “mbreti i Shqipërisë”, insistonte të quhej “Mbreti i Shqiptarëve” duke menduar për shqiptarët në Greqi dhe ish Jugosllavi.

Ne tani jemi në aeroportin e Tiranës. Ka qenë në mbrëmjen e dasmës së Zogut kur unë e pashë këtë aeroport herën e kaluar. Atëherë ishin një mori njerëzish të gëzuar që admironin raketa e fishekzjarre në qiell dhe kishte shumë njerëz. Po tani?

Tani është i shkretë si një shesh i braktisur për zbritje emergjente. Asnjë aeroplan tjetër përveç tonit. Asnjë njeri tjetër përveç një ushtari melankolik, asnjë ndërtesë me përjashtim të një shtëpie si kioskë të kurorëzuar me një yll të kuq (f. 302).

Hotel Dajti ishte më i miri në Shqipëri dhe përpara ishte i rezervuar për të huajt. Ai ka vetëm një ashensor dhe ai nuk funksionon. Atmosfera është përgjithësisht e rëndë dhe karakterizon republikën popullore tërësisht. Portieri përshëndet mysafirët pa asnjë buzëqeshje. Nuk ka uiski, konjak ose sherry, ka vetëm raki ose lëng limoni. Nuk mund ta mohosh që Tirana është zbukuruar dhe ka infrastrukturë më të mirë, por nëse në barin e Hotel Dajtit sundon një atmosferë si në një dhomë varri, në Bulevardin Stalin mbizotëron qetësia e vërtetë e varrezave.

Se çfarë shihte një shqiptar në Tiranë para luftës ishte gjallëria dhe zhurma. Zhurma ndoshta bënte një përshtypje irrituese, por pasqyronte një jetë të gëzuar në kryeqytet.

Në sheshin Skenderbeu të pret një tjetër përjetim. Në shesh, shërbente një polic me një shkop të bardhë gome. Ai është i vetmi polic trafiku në Shqipëri, dhe ky i shkreti s’ka asgjë për të dirigjuar. Duket se fshesa komuniste ka fshirë shumë gjëra të tjera. Çdo gjë që i jepte qytetit ngjyra dhe joshje janë zhdukur: dyqanet e vogla të shumta, tregtarët, gratë që shisnin atje, katundarët me veshjet e bukura, Tirana mbante aromë kafeje në atë kohë. Tani qyteti nuk ka asnjë aromë (f.306).

Shqipëria e sotme është një ndërmarrje familjare komuniste. Zotërinjtë e rinj kanë ngritur një lagje me vila për veten e tyre, që siç duket janë inspiruar nga qyteti i ndaluar i kohëve të kaluara, Pekini (f. 308). Në qytetin e ndaluar jetojnë tri familjet që bashkëqeverisin Hoxha, Shehu dhe Kapo. Që të tre janë martuar me motrat ose fisin e njëri tjetrit.

Shqipëria është kundër të gjitha shteteve evropiane dhe i ka mbyllur kufijtë me shtetet kapitaliste, por edhe me ato komuniste të lindjes. Asnjë shqiptar i zakonshëm nuk disponon pasaportë dhe nuk i jepet viza të huajve.

Libraritë shesin vetëm literaturë propagandiste. Eshtë e pamundur të gjesh një libër apo gazetë të huaj. Të gjitha letrat që hyjnë e dalin i nënshtrohen censurës. Janë dy kanale zyrtare: shtypi dhe radio që transmetojnë lajmet për njerëzit. Nuk ka radio private, por ka altoparlantë në qytete që propagandojnë dhe me anë të tyre autoritetet mbushin popullin me propagandë.

Në Shqipëri ka një sistem dhe organizim të fortë denoncimi kundër njëri-tjetri që shkakton tmerr tek çdo shqiptar. Kishat dhe xhamitë janë shkatërruar dhe Shqipëria është shtet ateist. Nuk ka asnjë pronë private. Mbretëron një heshtje e çuditshme rrugëve, edhe kur njerëzit kthehen për në shtëpi pas mbarimit të punës. Rrugët janë me njerëz por heshtja është e plotë.

Ai populli shqiptar që unë me të në vitet tridhjetë lidha shoqëri, ishte i hapur, mikpritës dhe i donte të huajt: ishin të zellshëm për të dhënë dorën, përpiqeshin për të folur gjuhë të huaja, ofronin dhurata, të bënin ftesa, dukej sikurse je në vendin e lumturisë. Tani i huaji është armik e spiun. Njerëzit nuk të përgjigjen, shikojnë me dyshim e kurrë nuk të japin një buzëqeshje. (f. 318).

Si përfundim, suedezët e kanë një shprehje të bukur. “att läsa är att resa” që do të thotë “të lexosh është sikur të udhëtosh” dhe ky libër i përkthyer dhe përshtatur mjeshtërisht nga z. Adil Bicaku ta jep atë ndjenjë magjike udhëtimi në kohë dhe ky libër lexohet me një frymë.

*Ky tekst është fjala hyrëse e mbajtur në promovimin në Tiranë e Prishtinë të librit “Shqipëria-Orienti i Europës”

ObserverKult


Lexo edhe: