Ukshin Hoti, letër motrës nga burgu i Nishit

ME SHTATË KËMISHA MUND TË ARRIJ DERI NË LUBJANË

(Ukshin HOTI – Letra Myrvetes nga burgu i Nishit)

“Momentalisht jam duke qepur këmisha (merrem me rrudhjen e mëngëve dhe të fundit të këmishës). Më vjen interesant “vozitja” me makinën qepëse. Ajo e ka pedalen si të biçikletës, të cilën duhet shtypur me këmbë, por reagon në principin e automobilit. Prej forcës së shtypjes së këmbës mbi pedale, po varet shpejtësia e lëvizjes së gjilpërës, me këtë edhe e këmishës. Gjilpëra në botën e imagjinatës sime po e zëvendëson timonin që duhet drejtuar nëpër fundin e këmishës, që më duket si një autostradë me peizazh përreth. Me shtatë këmisha mund të arrij deri në Lubjanë, me dymbëdhjetë deri në Paris, me 25 ose 30 këmisha deri në Londër e rrallë ndonjëherë me 40-45 në Nju-Jork. Ndërrimi i “shpullës” (një kalem i vogël i mbështjellë me penj) e zëvendëson mbushjen me benzinë, ndërsa ndërrimi i kalemit është rast për të soditur peizazhin ose për të vizituar qytetin e shpesh edhe për t’u shlodhur në ndonjë motel e kështu me radhë.

Ende nuk jam duke “udhëtuar” për në Prishtinë, sepse rruga më duket e mundimshme për shkak të gropave dhe kthesave të shumta, por një ditë do ta bëj edhe këtë…

Të m’i kesh në kujdes fëmijët e mi, se babai u mungon.

Të do vëllai Ukshini.”

(6 korrik 1997)

(* Postuar nga Agim Morina në profilin e tij në Facebook)

ObserverKult