Uliksi shqiptar, shfaqet në Tiranë premiera e dokumentarit për aktorin Bekim Fehmiun

Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu rikthehet në Tiranë, jo fizikisht por vepra e tij në një film dokumentar!

U deshën vite punë, ngadalësuar nga pandemia e Covid 19, për të ardhur mbrëmjen e  21 shtatorit, në shfaqjen premierë të dokumentarit që përshkuan momente nga lindja deri te shuarja e aktorit shqiptar me famë botërore.

Dokumentari nis me rrëfimin e bashkëshortes Branka Petriq dhe momentin kur ai u gjet i pajetë në banesën e tij në Beograd.

Si kutia e Pandorës, bashkëshortja e tij nxjerr një valixhe ku janë kyçur objekte nga filmat ikonë në të cilët ka marrë pjesë, shënime të vetë Bekim Fehmiut.

Për Bekim Fehmiun, djalin që lindi në një familje gjakovare në Sarajevë më 1 qershor të vitit 1936, e që fëmijërinë e kaloi nëpër rrugicat e lagjes Rus në Shkodër, flasin të afërm, bashkëjetues dhe kolegë të ndryshëm nga sheshet e xhirimit.

Por cili ishte pengu i Bekim Fehmiut, tregon skenaristi Fahri Musliu.

”Ne jemi munduar të përmbledhim Bekimin në tonalitetet e tij por fatkeqësisht Bekimin e ka munduar gjithmonë që nuk ka mundur të luaj një rol shqip”, thotë skenaristi Fahri Musliu.

Për regjisorin Valmir Tertini asgjë nuk ishte e lehtë për xhirimin e një figure kaq komplekse

”Dritëhijet e tij janë treguar dhe kulminacioni i tij që ka pasur në Hollywood”, thotë regjisori Valmir Tertini.

Dokumentari për Bekim Fehmiun pritet të jetë pjesë e festivaleve të ndryshme prestigjioze mbarëkombëtare./rtsh

ObserverKult  


bekim fehmiu

Lexo edhe:

BEKIM FEHMIU: NGA VITI 1981 JETA IME KA QENË FERR…SHQIPTARËT TRAJTOHEN SI SKLLEVËR!

L’Unità” ka botuar, të hënën e 30 gushtit 1993, në faqen n°8, bisedën telefonike të aktorit të famshëm shqiptar Bekim Fehmiut me gazetarin italian Alberto Crespi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Aventura e vërtetë e Uliksit

L’Unità, e hënë, 30 gusht 1993, fq.8

Një ditë më parë, Raitre filloi të shfaqë Odisenë e vjetër të Franco Rossi-it. Kështu, keni mundur të shihni Uliksin, ose Bekim Fehmiun, një aktor që u bë shumë i njohur 25 vite më parë falë kësaj “shfaqje – drame” të shkëlqyeshme dhe me fat.

Por çfarë ndodhi me Bekim Fehmiun ? Ai jeton në Beograd, dhe si një shqiptar nga Kosova, i lindur në Sarajevë, jeta e tij nuk është e lehtë në Serbinë e sotme. Le ta dëgjojmë sesi e tregon atë.

…Biseda me të nëpërmjet telefonit ishte njëkohësisht emocionuese dhe frustruese :

Familja ime vjen nga Kosova, nga një qytet që ka dy emra : një shqiptar, Gjakovë dhe një “sllav”, Giakovica. Babai im ishte fëmijë i vetëm dhe pati studiuar në Shkup, Maqedoni. Ai ishte mësues. 

Gjatë gjithë rinisë së tij ai luftoi kundër turqve, si me pushkë, ashtu edhe me libra. Qëllimi i tij, si mësues, ka qenë gjithmonë t’iu japë njerëzve tanë njohuri, krenarinë e identitetit të tyre kulturor.

Ai gjithmonë ka punuar për të hapur shkolla ku mund të studiohet gjuha jonë shqipe. Në 1972 shkova në Shqipëri dhe në një arkiv në Shkodër zbulova se babai im ishte dënuar me vdekje nga serbët dy herë, në 1914 dhe 1917.

Më 1929 u martua me nënën time dhe dy javë më vonë ata u internuan (u dëbuan). Të gjithë familjen e futën në një tren, dhe e dërguan në Sarajevë. Unë kam lindur atje, në qytetin që sot është simbol i hipokrizisë botërore.

Babai dhe nëna ime ishin me fat në krahasim me të tjerët : ata mbijetuan. Kur isha tre vjeç, në 1939, u kthyem në Shqipëri. Dhe në 1941 u transferuam në Kosovë, në Prizren, i cili sipas Le Corbusier ishte qyteti më i bukur në botë.

Më në fund ishim në tokën tonë. Aty u rrit familja jonë : tetë fëmijë, katër djem dhe katër vajza. Jeta ishte e qetë për shumë vite.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult