“Ulpiana” larg kritereve si park arkeologjik, rrezikon të mbetet pa rojë

Gazin për t’u ngrohur në kabinën e vogël në hyrje të parkut arkeologjik “Ulpiana” e paguajnë vetë. Por bombolën, e cila në njërën anë u shërben të ngrohen e në tjetrën ua rrezikon shëndetin, nuk e kanë ndezur ditëve të fundit. Gjashtë të angazhuarit për rojë e mirëmbajtje të Parkut kanë hyrë në muajin e tretë pa paga. Ministria e Kulturës nuk i ka kryer detyrimet që dalin nga kontratat mujore, që i nënshkruajnë punonjësit e “Ulpianës”. Me vonesa të pagave ata përballen tash e më shumë se një vit. Këto halle burojnë qysh prej pjesës së dytë të vitit 2018, kur Zyra Kombëtare e Auditimit konstatoi se llogaritë e institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës nuk ishin të autorizuara nga Thesari i shtetit. Si pasojë llogaritë në bankat komerciale ishin mbyllur. Krejt pagesat bëhen nga Divizioni i Financave në Ministrinë e Kulturës.

Por pagat janë veç një nga shqetësimet. Mirëmbajtja e Parkut ka kosto. Ngrohja, plehu artificial për të ushqyer hapësirat e gjelbëruara, kositja e barit me makinë e nevojat e tjera janë probleme më vete. Duhet pasur mjete për t’i paguar.

Dejan Dimitrijeviq ka më shumë se shtatë vjet që punon si rojë dhe mirëmbajtës i lokalitetit më të njohur arkeologjik të Kosovës, një pjesë e të cilit në tetorin e 2016-s u inaugurua si Park arkeologjik. Ai ka përsëritur disa herë se nuk janë paguar për muajin janar e shkurt. Ka bërë thirrje që institucionet të shtojnë vëmendjen nga Parku.

Qamil Sinani, po ashtu mirëmbajtës e rojtar, ka thënë se pos punës që bëjnë, janë të lidhur shumë me Parkun arkeologjik, pasi kanë punuar në zbulimin e strukturave të qytetit antik e edhe në hapjen e tyre për publik. Ai përmend se veç vitin e kaluar kanë qenë mbi 30 mijë vizitorë. Ka thënë se ky fakt i bën të ndihen mirë.

Problemi nuk mund të zgjidhet nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Drejtori i këtij institucioni, Enver Rexha, ka thënë se vonesa e pagave buron direkt nga mbyllja e llogarive të institucioneve.

Me goxha pompozitet ishte bërë përurimi i Parkut të parë arkeologjik në Kosovë. Asokohe ishte premtuar se shpejt do të zgjidheshin shumë probleme.

Qysh para inaugurimit, Instituti Arkeologjik i Kosovës ishte pajisur me leje për sjelljen e energjisë elektrike në lokalitet, por praktikisht puna për të nuk ka nisur ende./koha