Pa dyshim, kemi të bëjmë me një vepër të shkëlqyer, për të cilën lexuesve u duhet kohë për t’u pjekur në mënyrë që ta kuptojnë. Injorantët dhe njerëzit pa horizont do ta ndjejnë veten krejt të humbur duke lexuar këtë roman.
Nga Zdeněk Svoboda
Prozatori i ri kosovar, i cili është në të njëjtën kohë edhe autor dramash, poet, eseist e profesor universitar, na ofron, në përkthimin e Orkida Backus Borshit, një krijim letrar unik. Një libër të vështirë të mbushur me fakte (botuar nga shtëpia botuese “Albatros”), me të cilin 95% e idiotëve do të kenë problem për ta kuptuar. Pesë përqind dashamirës të letërsisë do të entuziazmohen, kjo është e qartë.
“Ulurima e ujkut”, një libër i çuditshëm
Si duhet t’i qasemi romanit të prozatorit dhe poetit bashkëkohor Ag Apolloni? Pa logjikë të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë pretendim. Imagjino një situatë të tillë: je në breg të detit pranë një anije. Dikush të thërret ta ngresh spirancën. E mbërthen litarin me sa fuqi ke. Fillimi është i thjeshtë, por pas pak shikon se si litari është veshur plot me alga. I heq, ato rrëshqasin, vazhdon të tërheqësh. Pak më vonë shikon një peshk të ngordhur, qafa e tij e lidhur në litar, sytë i ka të nxjerrë, kokërdhokë. Ngordh. Ti vazhdon ta tërheqësh litarin, nxjerr një leckë të qelbur. Prapë vazhdon, nxjerr pisllëqe. Megjithatë vazhdon ta tërheqësh litarin pa fund. Spiranca nuk del, deti sjell baticë, asnjë nuk vjen të të ndihmojë, ke frikë për anijen, për veten, për kohën, për konseguencat e dështimit tënd qesharak.
Pikërisht ky është momenti, i cili shfaq atë që Ag Apolloni e quan brikolazh. Lévi-Strauss flet për këtë qasje jo shumë të përhapur si për një mënyrë mendimi të pakufizuar. Apolloni e shpjegon atë si një përzierje të sendeve të ndryshme e cila synon të krijojë një kontekst të ri. Në rastin e tij, flitet për një mozaik esesh, poemash e tekstesh, tregimesh, ditarësh dhe dialogësh.
Vendosja e shtresave të pafundme njëra mbi tjetrën shfaqet te përdorimi i termave letrare, por megjithatë as aty nuk hasim afërsi me konceptin e ndërlikuar që ka krijuar autori. Duket se gjëja e parë që i ra ndërmend Apollonit ishte ujku, pasi siç dimë, ai i kishte qejf tregimet, por nuk i pëlqente leximi. Autori ujkun e ka parë të asocuar me pastruesin, i cili mund të hynte në çdo moment në klasë dhe t’i prishte të gjitha. Kësaj i paraprin kujtimi i vëllait, i cili e quante autorin idiot, por për këtë të fundit ky nuk ishte një ofendim, pasi në Greqinë e lashtë idioti ishte ai që u rrinte larg njerëzve. Sigurisht, këtu hasim edhe paralelen me braktisjen dhe Robinsonin, por mos të harrojmë se idiot është edhe princ Mishkini. Ujku i përmendur më lart lidhet me Herman Hessen, por në të vërtetë “Ujku i stepës” nuk përmendet në mënyrë eksplicite në roman dhe Apolloni e lidh atë më tepër me humanizmin. Shtresëzimi i tillë e tregon qartë se në çfarë thellësie zhytet autori dhe se çfarë kërkon nga lexuesit e tij. Nuk kuptohet qartë nëse shkrimtari Ag Apolloni ndjen vërtet vazhdimësi me krijimtarinë e kolegut të tij dhe shokut të vdekur, autorit të “Siddhartës” alegorike dhe të veprave të tjera, por sidoqoftë ai nuk ndalet këtu. Në rreshtat që vijojnë, ai kalon te Platoni, te Goethe i njohur për sigurinë e tij, ose te Shakespeare. Narratori në këtë libër të çuditshëm është profesori që u mban leksione studentëve të tij dhe gjithçkae përshkruar më sipër ndodh vetëm në disa faqe. Profesori u flet atyre për (tregimtarin) Augusto Monterroson, por studentët heshtin. Ai (këtu hasim një fat të ngjashëm me atë të Halfarit të Petr Bezruçit) e kupton shpejt që ata nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë emrin e tij dhe, në këtë moment, e zgjeron pyetjen duke folur për autorë të mëdhenj si: Roth, Grass, Sabato (klasiku i fundit i madh i Argjentinës)… Askush nuk reagon, heshtje, mërzitje, bojë gri, profesori atëherë kalon në recitim dhe nxjerr nga xhepi poezinë e Eliotit pa përkthim, “The Hollow Men”, që bëhet shumë domethënëse në këtë moment.
Gërshetimi i të gjitha këtyre që u përmenden më lart është shumë i admirueshëm, i ndërlikuar dhe dëshmon vetëm një gjë: substancë të përpunuar në një mënyrë të pakushtëzuar dhe famoze, njohuri të thella dhe një lehtësi, të cilën mund t’ia lejojnë vetes vetëm ata njerëz që kanë njohuri të mëdha, të cilët janë ekspertë në procese të tilla komparatistike. Le të shtojmë këtu edhe faktin që Ag Apolloni lindi më 13 qershor 1982, por pa u zgjatur në hollësira analitike që kanë të bëjnë me datat, ose me astrologjinë. Pas citimit të “The Hollow Men”, u vjen radha mendimeve të lira, deri sa teksti shkon prapë në drejtimin e duhur: Gertrude Stein, Anna Ahmatova, Mann, Twain dhe, më së fundi, te ai që ia shkrepi vetes një plumb me pushkë, por që më përpara arriti ta përfundonte novelën “Plaku dhe deti”.
Roman që këndon
Lehtësia, që u përmend pak më parë, nuk prek vetëm letërsinë, por të gjitha format e saj. Filmin (Kubrickun), ose muzikën (Chris Rean njëlloj si DMX-in e acaruar së bashku me të gjithë qentë e tij). Kështu që, nëse disa nga tekstet e famshme i keni të memorizuara, libri edhe mund të këndojë. Megjithatë, përshtypja e përgjithshme nga pikëpamja e një lexuesi të zakonshëm do të jetë e papërcaktuar dhe e vakët.
Pa dyshim, kemi të bëjmë me një vepër të shkëlqyer, për të cilën lexuesve u duhet kohë për t’u pjekur në mënyrë që ta kuptojnë. Injorantët dhe njerëzit pa horizont do ta ndjejnë veten krejt të humbur duke e lexuar këtë roman. Mbase do t’u referohen fusnotave (si p.sh. kritika e Ballkanit, shoqërisë dhe budallallëqeve sipërfaqësore të tjera të këtilla), por çelësi për perceptimin e kësaj vepre është kryesisht mozaiku i sipërfolur. Kjo vepër është e ndërlikuar, e larmishme, e rrënjosur në botën dhe marrëdhëniet bashkëkohore dhe e gatshme për dialog.
Nëse nuk lexoni, nuk keni njohuri, nuk i mbani mend emrat dhe veprat, do ta ndjeni veten krejt të humbur dhe e vetmja gjë që do t’ju mbetet nga gjithë ai libër i bukur, do të jetë dëshpërimi ndaj vetes suaj. Por nëse keni lexuar të paktën njëmijë libra e sipër, do ta ndjeni veten njëlloj si ata që shumë shpesh i shohim tek këqyrin triptikun e Boschit në Prado me përmasat 220 x 389 centimetra.
(Recensioni është botuar në gazetën “Krajskélisty”, 2019)
Përktheu nga çekishtja: Orkida Backus Borshi
ObserverKult