Umberto Eco: Çfarë domethënë të jesh intelektual?

Umberto Eco - Ekspozitë

Fragment nga një intervistë e Umberto Ecos

– Ju jeni ndër intelektualët më të famshëm në botë. Si do ta cilësonit vallë termin “intelektual”?

– Eco: Nëse si intelektual nënkuptojmë këdo që punon mendërisht dhe jo me duart e veta, atëherë edhe një punonjës banke është mirëfilli një intelektual, kurse Mikelanxhelo artisti i madh, jo.

Në ditët e sotme, falë kompjuterave, gjithkush mund të bëhet kështu intelektual. Si rrjedhojë, nuk besoj se kjo çështje ka të bëjë thelbësisht me profesionin dhe klasën shoqërore.

Për mendimin tim, intelektual është dikush që ngjiz dije të reja falë krijueshmërisë së tij.

Një fshatar, kur e kupton se një farë e re mund të shndërrohet në një lloj të ri mollësh, po kryen gjithashtu një veprimtari intelektuale.

Kurse një profesor filozofie që e kalon jetën duke përsëritur pareshtur të njëjtat mësime të Heidegger-it, nuk ka përse të cilësohet si intelektual i mirëfilltë.

Krijueshmëria kritike, shpirti kritik që na nxit të analizojmë gjithçka që bëjmë, ose të sajojmë mënyra të reja për ta bërë këtë gjë, përbën peshoren e vetme për matjen e veprimtarisë intelektuale.

Përktheu: Elvi Sidheri

ObserverKult


Lexo edhe:

BORGES: ME KOHË MËSOHET SE DASHNI S’DO ME THANË ME SHKUE N’SHTRAT…