Unë e kam dashur nënën tënde,
Më shumë se babi që ke ti!
Dy detet që i ka tek sytë,
Ende i gjen në sytë e mi!
Nëse ka dallgë brenda tyre,
Nëse fryn erë dhe tani,
Ta dish,nuk është faji i syve,
Po faji i nënës që ke ti!
Eh,ku ta dija se një ditë,
Do të më mbysnin ata dete!
E ku ta dija se stuhitë,
I mbante mami yt me vete!?
Sepse për të, gjithnjë kam qenë,
Si muaji prill, për muajin maj!
Edhe nën borë çelja lule,
Që t’i gëzoja sytë e saj!
Dhe ajo qeshte si ujvarë,
Më puthte sytë,sidomos!
-Shiko,se sa e vockël dukem,
Në sytë e tu-gjithnjë më thosh!
Eh,ku ta dija se padashur
Ajo më thoshte të vërtetën!
Se sa ç’e kisha unë syrin,
Ajo s’e kishte gjithë zemrën!
Përndryshe nuk do kishte dimër,
Në dashurinë midis nesh!
S’do kishte rënie të dëborës,
(Ne s’ishim, bashkë, as dyzet vjeç!)
Por ja që kishte nëna jote,
Ca gjëra që ti nuk i di!
Ca trille që e çuan larg,
Prej fjalës Maj, prej fjalës Prill!
Si bijë, që je, e shoqes sime,
Një porosi të jap tani:
Ta duash nënën që të lindi,
Por mos i ngjaj në dashuri…